Qeveria, gjoba për kryebashkiakun
PD-ja tërhiqet nga varianti për të caktuar ministrin si ekzekutues të gjobave ndaj kryetarëve të bashkive. Vendosin për Drejtorin e Gjendjes Civile. Opozita kundërshton.
Shkelja, Drejtori i Gjendjes
Civile, gjoba Kryetarit të Bashkisë
TIRANË- Të zgjedhurit e qeverisjes vendore, përfshi edhe kryetarët e bashkive më të mëdha në vend, për të gjitha shkeljet administrative, do të jenë tani e tutje objekt i gjobitjeve nga drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile.
Kështu ka vendosur dje mazhoranca në komisionin parlamentar të ligjeve, ku dhe po diskutohet projektligji i shumëdebatuar, "Për Gjendjen Civile", pavarësisht insistimit të opozitës se një i emëruar nuk mund të penalizojë me gjobë një të zgjedhur me votë, siç është rasti i drejtuesve të njësive vendore.
Por, përpara se të arrinin në këtë përfundim, komisioni i ligjeve është përfshirë në një debat të gjatë, pikërisht për nenin 66, i cili parashikon dhe masat penalizuese për kundërvajtjet penalizuese. Shkak është bërë përmbajtja fillestare e kësaj dispozite, ku parashikohej që, për të gjitha kundërvajtjet administrative të krerëve të njësive vendore, të ishte ministri Brendshëm ai që të mund të vendoste dhe ekzekutonte gjobat.
Por, ky propozim ka gjetur reagimin e ashpër të përfaqësuesve opozitarë, të cilët kanë argumentuar se një ministër nuk mund t'i vërë gjobë një të zgjedhuri nga populli, pasi e vë direkt këtë fundit nën varësi, gjë që nuk ia lejon Kushtetuta dhe ligjet e tjera, mbi të cilat organizohen këto pushtete. "Nuk mund t'i vërë dot gjobë ministri Kryetarit të bashkisë.
Ai është person i zgjedhur dhe s'mund të ketë kompetencë ministri t'i vërë gjobë kryetarit", - u shpreh deputeti socialist Blendi Klosi, i cili është njëkohësisht dhe relator i këtij projektligji. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, duke mbrojtur variantin e paraqitur, ka theksuar se është e nevojshme përfshirja e ministrit në vendosjen dhe ekzekutimin e këtyre gjobave, si një autoritet më i lartë dhe pjesë e ekzekutivit.
"Problemi është se ne kemi pasur raste kur Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka ushtruar funksionin e vet të kontrollit, ka bërë propozimin për largimin e një personi që është kapur me shkelje dhe kryetari nuk e zbaton.
Atëherë është vendosur një masë gjobe dhe, normalisht, drejtori nuk mund t'i vendosë gjobë një njeriu të zgjedhur. Prandaj kemi menduar që do të ishte një zgjidhje që, ministri, si një autoritet më i lartë dhe përfaqësues i qeverisë, ta ketë këtë shans", - u shpreh Teliti.
Por, duke u përpjekur që të shmangë një interpretim politik të kësaj çështjeje, ka ndërhyrë kryetari i komisioni të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili i ka dhënë të drejtë opozitës për të mos i dhënë ministrit këtë kompetencë. Për këtë ai ka hedhur propozimin, i cili ka gjetur mbështetje dhe nga përfaqësuesit e tjerë të shumicës qeverisëse, që kjo e drejtë t'i lihet Drejtorit të Gjendjes Civile.
"Ministri nuk mund të ekzekutojë gjobat tuaja si drejtori, nuk shkon, nuk ka logjikë. Ju mund t'i vendosni gjobë kryetarit dhe ju keni instrumente ligjorë për të ekzekutuar gjobën që i vini kryetarit, pra, me instrumente që parashikon ligji për kundërvajtjet administrative. Por ju nuk mund të bëni përmbarues ministrin.
Ekzekutimi i gjobës mund të bëhet duke mos dhënë shërbime", - u shpreh Rusmali. Por, edhe me këtë propozim opozita nuk ka qenë dakord, pasi ka gjykuar se një i emëruar, siç është rasti i Drejtorit të Gjendjes Civile, nuk mund të gjobisë një kryetar bashkie, i cili është zgjedhur me votat e popullit.
"Unë them se duhet hequr fare, pasi nuk zgjidhet me gjobitjen e titullarit të qeverisjes vendore. Nuk mund të vendoset nën presionin e gjobave një i zgjedhur vendor. Në mënyrë absolute jo", - u shpreh deputeti tjetër socialist, Besnik Dervishi.
Pavarësisht qëndresës së deputetëve të majtë, mazhoranca ka lënë në fuqi këtë propozim, megjithëse nuk ka mundur t'i japë një formë përfundimtare nenit 66.
Ndërkohë që, një pikë tjetër, për të cilën opozita dhe mazhoranca nuk kanë gjetur ende konsensusin, është edhe neni 14 i këtij projektligji, i cili sipas propozimit të paraqitur, parashikon që të gjithë studentët, ushtarët dhe të burgosurit, duhet të votojnë në vendqëndrimet e tyre të përkohshme dhe jo siç parashikon ligji, pranë vendbanimeve të përhershme.
Ndërkohë, komisioni ka miratuar një tjetër nen të diskutueshëm, që ka të bëjë me emërimet në zyrat e gjendjes civile. Sipas nenit 54 të këtij drafti, parashikohet që konkursin për vendet e punës e zhvillon DPGJC-ja, e cila nga ana e vet, i paraqet kryetarit të njësisë vendore për të zgjedhur, një listë me tre emrat e parë fitues.