E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria dhe shëndeti në punë, Ksera: Situata problematike

TIRANë- Nga 91 raste të aksidenteve në punë të evidentuara gjatë vitit të kaluar, 29 prej tyre ishin me pasojë vdekjen dhe këto shifra tregojnë se situata e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës është problematike dhe nevojiten ndërhyrje të menjëhershme dhe bashkëpunim më i ngushtë me të gjithë aktorët, deklaroi sot ministri i Punës, Spiro Ksera në Ditën Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Sot, në Tiranë, Organizata Ndërkombëtare e Punës, organizoi aktivitetin “Standarde Bashkëkohore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Shqipëri”, me qëllim promovimin e parandalimit të aksidenteve dhe sëmundjeve në vendin e punës.

Ministri Ksera cilësoi se "sfida e vërtetë, qëndron në zbatimin e legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë".
Në këtë drejtim, sipas tij, strukturat shtetërore përgjegjëse si Inspektoriati Shtetëror i Punës, që kontrollon zbatimin e legjislacionit, ashtu edhe punëdhënësit, të detyruar direkt nga ligji për marrjen e masave apo edhe punëmarrësit, duhet të marrin sa më shpejt masat për përmbushjen e këtyre detyrimeve.
“Shqipëria sot ka një standard dhe detyrë të përmbushur në këtë fushë. Për herë të parë kemi një Ligj “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, por jemi të vetëdijshëm që ky është vetëm hapi i parë”, vijoi Ksera, sipas të cilit, rreth 63. 7% e gjobave të vëna nga strukturat e inspektimit kanë qënë për shkelje të neneve të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.
Ksera theksoi se nuk mjafton vetëm plotësimi i kuadrit ligjor, pasi sfida qëndron në zbatueshmërinë e tij.
(e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›