E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrenjtohen çmimet e ushqimeve, INSTAT: Inflacioni 3.6 për qind

 Muaji janar u ka kushtuar më shtrenjtë shqiptarëve nëse bazohemi në shifrat që ka publikuar Instituti i Statistikave. Inflacioni ka shënuar shifrën 3.6 për qind, por nuk merret parasysh fatura e re e energjisë e cila këtë herë vjen me çmimin e ri. Tarifat e  reja të energjisë që hynë në fuqi në fillim të këtij viti pritet të japin efektin e tyre negativ në shkurt. Duke bërë pjesë të llogaritjeve të INSTAT edhe çmimin e ri të dritave, ka gjasa që objektivi i Bankës së Shqipërisë për ta mbajtur inflacionin 4 për qind të vihet të rrezik. Duke u kthyer tek raporti i Institutit të Statistikave për janarin një pjesë e mirë e mallrave të shportës kanë pësuar rritje me përjashtime të vogla. Sipas INSTAT Indeksi i çmimeve të Konsumit në muajin Janar 2010, arriti 106.3 për qind  kundrejt muajit Dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin janar sikur u theksua është 3.6 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.1 për qind. Gjatë muajit që kaloi çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike kanë shënuar një rritje prej 1.3 për qind. Më i shtrenjtë ka qenë ky muaj edhe për konsumatorët e duhanit dhe pijeve alkoolike. Ndërkohë që grupet e tjera si ai i veshjeve dhe këpucëve, kanë pësuar ulje. Brenda grupit të transportit çmimi i naftës për janarin shënoi një rritje me 0.1 për qind kurse çmimi i benzinës u rrit me 0.6 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›