E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Shqipëria të luftojë kultivimin e drogës

Zv-Presidenti i Komisionit Evropian flet për detyrat e Shqipërisë në konferencën “Lufta e BE-së kundër drogës”

BRUKSEL- Lehtësimi i regjimit të vizave për Shqipërinë do të varet shumë nga hapat që Shqipëria do të bëjë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe prodhimit të drogës. Për këtë të fundit, ka ngritur jo pak shqetësim dje edhe Jacques Barrot, Zv-President i Komisionit Evropian në takimin e zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha. Në konferencën me temë “Lufta e BE-së kundër drogës”, Zv-Presidenti i Komisionit Evropian, ka deklaruar se trafiku i drogës dhe prodhimi i saj në Shqipëri është një ndër çështjet ku Komisioni Evropian është shumë kërkues. “Po, sigurisht. Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i thashë se kjo është një nga pikat ku ne jemi shumë kërkues. Ne duam që Shqipëria të jetë shumë efikase në luftën e saj si kundër kulturave të prodhimit, ashtu edhe ndaj fabrikimit të drogave dhe lëndëve narkotike",- u shpreh Barrot. Në këtë konferencë, Zv-Presidenti Barrot prezantoi edhe kërkesat ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit. "Në marrëdhëniet tona me shtetet ballkanike, nuk harroj kurrë të nënvizoj rëndësinë që i kushtojmë kësaj çështjeje. Siç e dini, ata janë të interesuar për t’u afruar me BE-në për të arritur lehtësimin e regjimit të vizave. Parimet madhore për t’u arritur kjo, janë: lufta kundër krimit të organizuar dhe ndërprerja e një numri trafiqesh siç është ai i drogës. Është arritur diçka, por ka ende shume për të bërë",- tha ai. Në fakt, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishte një nga sfidat që Shqipëria duhet të përmbushte edhe në qëndrimin e pak ditëve më parë të Komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn. "Vendi ka bërë progres në demokraci dhe në çështjet e shtetit ligjor dhe po implementon mirë angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ndërmjetme e Stabilizim-Asociimit. Por me siguri, më shumë nevojitet për t’u bërë në lidhje me kulturën demokratike dhe për pavarësinë e institucioneve të shtetit. Por edhe sa i përket shtetit ligjor, ndërsa lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një sfidë madhore",- u shpreh Olli Rehn në një deklarim për mediat pak ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›