E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria rrugore, mungesa e sinjalistikës shkak i aksidenteve

Sipas specialistit të ISHP-së, Miska thekson se nuk investohet për sinjalistikën rrugore. Duhet të ndryshohet edhe kodi rrugor

Rrugët dytësore, por edhe një pjesë e madhe e akseve rrugore nacionale nuk janë të pajisura me sinjalistikën e duhur. Madje, mungesa e sinjalistikës shpesh është bërë edhe burim aksidentesh. Alarmin e japin specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të cilët theksojnë se duhet të rishihet kodi rrugor i vitit 1998.


Sinjalistika


Aksidenti tragjik që ndodhi në Rrëshen - Fushë-Arrës, është një nga shembujt që tregoi se në këto akse dytësore nuk investohet për sigurinë rrugore. Sipas specialistëve, në këto akse janë të domosdoshme pritat rrugore, për shkak të terrenit malor dhe kthesave të forta . "Aksi konkret sa vjen edhe po degradon, sepse nuk e ka vëmendjen e caktuar. Teorikisht mundësia e aksidenteve është e madhe, sepse mungon sinjalistika.


Duhen vendosur prita, të cilat e rikthejnë në rrugë mjetin në rast se ai ka tendencë për të dalë jashtë saj",- thotë specialisti i ISHP-së, Boris Miska, duke shpjeguar se vendosja e sinjalistikës dhe respektimi i tyre do të shmangte më shumë aksidentet rrugore.


Kodi rrugor


Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se kërkohet të rishihet kodi rrugor i cili i përket vitit 1998. "Në vitin 2009 një mjet është gjobitur tre herë çka tregon se ligji duhet të jetë më i fortë dhe më ndëshkues. Kështu do të kemi edhe minimizimin e aksidenteve",- pohon Biris Miska duke shtuar se sipas studimeve risku i aksidenteve është gjithnjë në rritje, ndaj kërkohet zgjerimi i rrugëve.


Ndërkohë, edhe kreu i shoqatës së aksidenteve rrugore, Gëzim Hoxha, shprehet se drejtuesit e mjeteve të mëdha në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë patentën e klasit përkatës, dhe për më tepër nuk ka autoshkolla ku ata të mësohen me drejtimin e këtyre mjeteve.


"Është për të ardhur keq, por disa herë janë konstatuar drejtues mjetesh që jo vetëm nuk kontrollohen, por nuk kanë as patentën e klasit përkatës. Ne kemi shumë drejtues autobusësh, por nuk shohim autoshkolla autobus dhe as kamionë të tonazheve të mëdha që të jenë autoshkollë.


Pra, në këto kushte them se trajnimi i tyre nuk është në cilësinë dhe nivelin e duhur",- shprehet kreu i shoqatës së aksidenteve rrugore. Sipas tij, një shofer që punon drejtues i mjeteve të shërbimit publik duhet të kalojë në shumë filtra dhe e gjithë kjo kategori duhet të shihet me vëmendje.


Në emër të të gjithë ekspertëve dhe specialistëve, Hoxha vë theksin në vëzhgimin me kujdes të çdo kategorie të drejtuesve të automjeteve, pasi çdo pakujdesi në rrugë mund të shkaktojë tragjedi të mëdha.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›