Dy Kadare
Restorant periferie.
Dy tipa me nga dy pjata përpara, një me fasule një me kos.
I pari:
Sa gjallëri këtu! Sa mahnitës ky restorant që më tërhoqi si magnet. Sa të mira këto fasule të buta të ngrohta. Sa bukur m'i paskan thekur copat e bukës në ngjyrë arre. Ua ua ua, më paskan prurë dhe një gjysmë qepe mbi një pjatë të vogël! Mmmm, në vend të lugës më paskan sjellë gabimisht pirun! Dikujt tjetër do t'i kenë dërguar lugën time në vend të pirunit të tij. Nejse, s'u bë qameti, sa ta ndërrojnë pirunin tim me lugën e tjetrit, po marr pak kos me pirun. Të kapë sa të kapë kos piruni, se s'duroj dot. Shih sa të shkathëta këto dy kamerieret! Me vrap, sa në banak sa nga një tavolinë tek tjetra. Ndonjëherë tek vrapojnë, u thonë klientëve me inat: “Prit, se jam e zënë!” Dhe ata presin urdhër tjetër, atje në rrugë atje në shi, rrethuar nga të katër anët, me mish, pilaf, dhe raki. Një mesoburrë me mustaqe në verandë pranë trotuarit përgatit qofte në prush dhe thek fetat e bukës. Është babai i banakierit dhe kameriereve. Pra, komandanti suprem, urdhërdhënësi, i pari i këtij shteti në miniaturë që punon si sahat. E kanë marrë me qera këtë lokal dy milionë e gjysmë në muaj. Fitojnë pak më tepër se kaq çdo muaj. Punojnë të gjithë, punojnë shumë. Ja tek erdhi dhe e lavdishmja luga! Tani mund t'i futem groshës dhe kosit si në harradoz. Në tavolinën pranë shqyejnë mish e pinë raki duke bërtitur dy barkderra. Janë nga ata që bëjnë ndonjë biznes të vogël, u ecin mirë punët, dhe hanë e pinë e s'e çajnë kokën. Ua bëj me sy barkderrave. Ma kthejnë isharetin me të bërtitura entuziaste plot fjalë që u dalin, më të pakuptueshmet nga gojët plot mish. Në tavolinën diagonal, tre mesoburra tek pinë raki, bëjnë ca si hesape mbi ca letra të zhubrosura dhe shohin vranët njëri-tjetrin. Nga pas, dy gra, më tepër llafosen se hanë. Mes dërdëllitjes së tyre të këndshme, ndërkohë që njëra vë hera-herës gishtin në tëmth, tjetra përkulet duke afruar kokën drejt tjetrës në mënyrë kërcënuese. Papritmas, meqenëse në tavolinat e tjera s'ka vend, pa më marrë leje, vetëm duke përshëndetur, më ulen në tavolinë një burrë dhe një grua rreth të gjashtëdhjetave. Këta kanë një mosinteresim total për gjithçka që ndodh përreth. Janë të rreshkur nga puna. Por të mbajtur të dy, si lisa. Vijnë nga një fshat i vogël i Belshit. Tek hanë, gruaja, me ndonjë ndërhyrje të rrallë të burrit, rrëfen pse ndodhen aty. “Erdha sot në Tiranë, bëra një vizitë në spital, sepse para një jave u operova në zemër, - thotë. - Operacioni kushtoi 6500 euro. Paratë m'i sollën djemtë nga Greqia. Se kam tre çupa dhe tre djem. Njëri djalë bëri tre vjet burg atje në Greqi. Çupat i kam të martuara në fshatrat rrotull. Dy prej tyre i kanë burrat në Itali, e vogla në Greqi. Djemtë, edhe ata i kam të martuar, të tre. Kanë ndërtuar shtëpitë e veta secili. Pata fat me operacionin, sepse doktori që më operoi, nuk ishte shqiptar, ishte kosovar. Besoj më ka operuar mirë, megjithëse unë nuk e di fare çfarë problemi kam në zemër”. Rrëfimi i ashpër dhe i bukur i belshakes më lë pa frymë. Sa interesant shëndeti i këtyre që hyjnë e dalin në këtë lokal dhe i atyre që kalojnë mbi trotuarin ku aroma e qofteve dhe e bukëve të thekura përzihen madhërishëm duke i bërë kalimtarët të zgjerojnë flegrat dhe të kthejnë kokën! Sa shpejt ia morën dorën kapitalizmit shqiptarët. Duket që janë të gjithë njerëz të ngrënë. Shqiptari i ka thënë përfundimisht ‘shporru’ fukarallëkut. Tani shqiptarët kanë shëndetin që sipas tipit secilit i përket. Si kudo në botë: ca barkderra, ca skilipeca. Dhe të gjithë këtu; buçkot që hanë e pinë, seriozët që bëjnë hesape, pjatat me mish, pilafin, groshët, kalimtarët, romanin e hatashëm të jetës së belshakëve, tek duket e zhduket brenda një kthine në fund të restorantit, i këqyr ai që heshtas bën punën e tij, ai me të bardha, ai që gatuan, kuzhinieri, Kadareja.
I dyti:
Uf, ç'u ula kot këtu në këtë restorant groshësh. Fetat e bukës s'i paskan thekur keq, por nga njëra anë sikur i paskan djegur pak. Po këtë qepë kush u tha të ma sjellin?! Ku i dinë këta midetë e mia? S'më paskan sjellë lugë, por vetëm pirun! Merret kosi me pirun?! Më mirë të më kishin sjellë garuzhde. Sa të rrëmujshme këto kamerieret! Qenkan dhe nevrike, pa le. Shih-shih, dhënkan dhe urdhra. Ky burri i vjetër me mustaqe që u mbajtka me të madh, pse ditka të përgatitka qofte dhe të thekë bukë, pse nuk e respekton higjienën ky, pse s'ka veshur rroba të bardha?! Me siguri fitojnë pa hesap dhe s'paguajnë taksa. Dhe ngrifen sikur çoç bëjnë, fasule ziejnë. Ata të dy atje me siguri janë hajdutë. Kanë vjedhur ndonjë lek kushedi se ku dhe vijnë e hanë mish e bëjnë zhurmë këtu. Ata të tre me letra nëpër duar do të jenë miqtë e ndonjë ministri. Këtu me siguri ndajnë paret e korrupsionit, duke pirë raki dhe kushedi ç'dallavere të tjera kurdisin. Ç'po m'i shurdhojnë veshët këto gratë nga pas. U ka hije femrave të bëjnë muhabet kështu?! Po këta dy katundarët, burrë e grua, si erdhën u ulën këta në tavolinën time pa marrë leje?! Sa pa edukatë që janë. Duken të punës, por shumë të prapambetur. Pa pikë finese. Hajt mo, popull i prapambetur jemi ne. Po pra, të prapambetur - të prapambetur po si t'ia bëj unë t'u shpjegoj vështirësitë për t'i qeverisur këta miqve të m'i të huaj nëpër seminare dhe uorkshope?! E çë se paskan tre djem në Greqi, se djemtë u vekan e vikan në Greqi, se paskan ngritur në fshatin e tyre shtëpi, se paskan edhe tri çupa të martuara? Këto dihen. Kështu ka qenë Italia në vitet '50. Ama Italia pati neorealizmin dhe ia doli me kinematografi. Po ne, ku ta gjejmë Pasolinin tonë? Sa i zhbalancuar shëndeti i këtyre që hanë e pinë këtu dhe i atyre që kalojnë në trotuar. Hanë keq, në mënyrë të paproporcionuar, prandaj. S'mësuan as të hanë, as të vishen, as të sillen. Kanë kaluar njëzet vjet dhe te groshët se te groshët mbetën. Vështirë të gjejmë karar me të tillë njerëz. Jemi popull i ngadaltë. Duhet shumë kohë. Të paktën edhe nja 50 vjet të gjejmë rehat. Por, unë e di kush e ka fajin për të gjitha. Ai skilja që duket e zhduket duke hyrë e dalë nga kuzhina, ai gjarpri i bardhë, ai që përgatit gjurulldirat e nxehta, supërat, pilafrat, mishrat, helmet, Kadareja.
edisonypi@gmail.com