"Sigurimet, Shqipëria ka ende punë për të bërë"
Shqipëria renditet ndër vendet e fundit për nga sigurimi në përgjithësi, aq sa mesatarja për frymë është diku te 15 euro, ndërsa në Bashkimin Evropian, deri në 2000 euro. Pak kohë më parë, vendin tonë e vizitoi Valent Dakic, përgjegjës për risigurimet në Evropën Juglindore në kompaninë gjermane "Hanover re". Ai viziton një herë në gjashtë muaj Shqipërinë për të parë nga afër ecurinë, për pasojë e njeh shumë mirë tregun tonë dhe problemet që hasen. Dakic gjatë punës pesëvjeçare me tregun shqiptar të sigurimeve, evidenton problemin e mungesës së mentalitetit tek individët për të siguruar pronën dhe jetën. Sipas tij, ligji i detyron shqiptarët të sigurojnë vetëm automjetet, kurse pjesët e tjera mbeten shumë prapa. "Shërbej si mbikëqyrës i tregut shqiptar, për efekt të marrëveshjeve që kemi me risigurimet. Mendoj se tregu i sigurimeve në Shqipëri po zhvillohet çdo vit, por ka ende shumë probleme", thotë Dakic. Ai rendit të parën respektimin e primit në kontratë, por edhe kulturën. "Megjithatë, një pjesë e përgjegjësisë i takon qeverisë shqiptare e cila duhet të fusë elemente shtesë dhe të detyrueshëm në ligjin për kompanitë e sigurimit", vijon Dakic, ekspert gjerman për risigurimet. Risigurimi ndodh kur një kompani vendase nuk e ka potencialin për të mbuluar të gjithë vlerën reale të objektit të siguruar, e në këtë pikë hyn në lojë, falë marrëveshjes një partner, i cili garanton dëmin. Shumë kompani shqiptare kanë lidhur marrëveshje me firmat gjermane dhe franceze. Tjetër problem vlerësohet sigurimi i shtëpive që po legalizohen aktualisht nga qeveria shqiptare, numri i të cilave shkon deri në 350 mijë, por që askush nuk e garanton cilësinë e tyre. Dakic e vë theksin te bizneset shqiptare, që sipas tij, duhet të jenë të parat që të sigurojnë aktivitetin dhe pronën e tyre.