E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliardat e borxheve që u kemi të huajve

Nga statistikat zyrtare të ofruara nga Ministria e Financave kupton qartë sektorët që të huajt preferojnë të hedhin paratë. Hapja e tregjeve dhe liberalizimi i ekonomisë e gjeti Shqipërinë të papërgatitur dhe me mungesë të plotë përvoje në trajtimin e projekteve me të huajt. Për rrjedhojë, qindra milionë dollarë të marra nga institucionet financiare ndërkombëtare, bankat dhe donatorët, nuk kanë dhënë efektin e duhur në ekonominë tonë. Deri tani janë tërhequr nga bankat rreth 2.1 miliardë dollarë borxhe, të cilat janë duke u paguar nga buxheti i shtetit. Brenda kësaj shifre nuk përfshihet huaja e marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si borxhe të tjera, që janë shlyer me kohë. Natyrisht që totali i borxhit është më i madh nëse llogarisim huanë e marrë nga tregu vendas përmes bonove, megjithatë treguesi i fundit deri në nëntor 2008 paraqet një vlerë të konsiderueshme, për të cilën çdo taksapagues shqiptar kontribuon për ta shlyer. Nga renditja e shteteve që kanë ofruar më tepër falë marrëveshjeve dypalëshe mëson se Greqia është në vend të parë me rreth 215 milionë dollarë, kurse si institucione financiare, padyshim që Banka Botërore mban më të madhe, me rreth 752 milionë dollarë. Lidhur me sektorët, sikundër u përmend më lart, transporti dhe sektori energjetik kanë përfituar më tepër, gati 1 miliard dollarë. Në këtë pikë mund të themi që pavarësisht vlerave të mëdha, ndikimi i tyre në ekonomi nuk paraqitet shumë efikase.

Sektorët

Sektori i transporteve në të gjitha format ka marrë nga të huajt rreth 541 milionë dollarë dhe renditet i pari për nga interesi që është treguar për ta financuar. Megjithatë, problemet me rrugët vazhdojnë të shqetësojnë edhe sot shqiptarët dhe të huajt, kurse linjat e tjera si deti dhe ajri kanë pasur një përmirësim. Energjetika ka marrë 389 milionë dollarë, kryesisht nga donatorët, të cilët japin kredi me interesa të ulëta. Ky sektor shfaq sërish probleme, sidomos me kapacitetin e linjave, megjithatë paraqitet deri diku i përmirësuar. Mbështetja për buxhetin e shtetit është kredia e pastër e marrë nga bankat tregtare, e cila, me borxhin prej 265 milionë dollarësh, renditet e treta. Shërbimet e marra nga Klubi i Parisit i kanë kushtuar vendit tonë rreth 170 milionë dollarë, të nevojshme për riskedulimin e borxheve të vjetra që në kohën e komunizmit. Bujqësia dhe ujësjellësit kanë marrë së bashku rreth 300 milionë dollarë, kurse arsimi dhe shëndeti kanë qenë më pak të "preferuar nga të huajt, pasi kanë marrë rreth 100 milionë dollarë. Hekurudhat, mjedisi dhe industria janë sektorët që kanë marrë më pak mbështetje nga financuesit e huaj, me një total prej gati 10 milionë dollarësh.

Partnerët

Banka Botërore dhe shteti fqinj, Greqia, kanë kontribuar më tepër në akordimin e kredive për qeverinë shqiptare. Të ndara sipas marrëveshjeve, statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se nga Greqia kemi tërhequr 215 milionë dollarë, borxhe të cilat jemi duke i paguar aktualisht. Të dytët janë Italia me 168 milionë dollarë dhe Gjermania me 160 milionë, kurse të fundit në listë janë bullgarët me 103 mijë dollarë, financime për shtetin tonë. Renditja i referohet marrëveshjes dypalëshe, pasi në aspektin shumëpalësh, në vend të parë qëndron Banka Botërore. Përmes IDA-s, Banka Botërore ka ofruar ndihmë në vlerë 752 milionë dollarë.

SEKTORËT

TRANSPORT 541,057.620
ENERGJETIKË 388,470.510
MBËSHTETJE PËR BUXHETIN 264,272.800
KLUBI I PARISIT DHE RISKEDULIME TË TJERA 170,028.600
BUJQËSI, UJITJE 146,635.910
UJËSJELLËS/KANALIZIME 135,977.160
IMPORT MALLRASH DHE PAJISJESH 79,263.460
ARSIMI 59,650.440
INFRASTRUKTURË URBANE DHE RURALE 58,283.180
SHËNDETËSI 53,900.790
ZHVILLIMI SEKTORI PRIVAT 43,542.130
ZHVILLIMI RURAL 36,868.690
ADMINISTRATA SHTETËRORE 36,307.480
TRANSPORTI AJROR 27,569.930
BILANCI I PAGESAVE 22,495.350
SIGURIME SHOQ./TREGU I PUNËS 20,075.870
TELEKOMUNIKACION 17,957.970
STREHIMI 16,375.250
TË TJERA 13,104.490
MBROJTJA 10,081.790
PYJE 7,374.590
TRANSPORTI HEKURUDHOR 4,526.820
MBROJTJA E MJEDISIT 3,363.040
INDUSTRI E LEHTË 3,052.470
PRODHIME ELEKTRIKE -
GJITHSEJ 2,160,236.32

Përfshin borxhin shtetëror dhe të garantuar

Të dhënat në dollarë, deri për periudhën nëntor 2008

Nuk përfshihen kreditë e marra nga FMN

Vetëm në vitin 2008 janë tërhequr rreth 330 milionë dollarë

Dypalësh 819,586.010

USD

Greqia 215,625.500

Italia 168,140.280

Gjermania 159,263.840

Japonia 62,613.950

Kuvajti 46,219.260

Kina 37,260.360

Norvegjia 26,106.740

Koreja 27,586.690

Turqia 20,980.640

Hungaria 14,178.950

Çekia 10,121.640

Zvicra 6,663.640

Austria 5,964.780

Rumania 5,408.230

Sllovakia 5,060.820

Suedia 4,125.000

Spanja 1,752.010

Maqedonia 1,160.260

Polonia 1,250.160

Bullgaria 103.250



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›