Sigurimet, hidhen të dhënat për ish-kooperativat

Instituti i Sigurimeve Shoqerore, Tirane
Të gjithë ata persona që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore, të cilët duan të kenë dijeni mbi vitet e tyre të punës mund ta marrin këtë informacion përmes tërheqjes së një vërtetimi pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku përfshihet ish-kooperativa ku kanë punuar. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëri me dije se tashmë ka përfunduar regjistrimi elektronik dhe hedhja e të gjithë të dhënave në sistem nga 9411 regjistrat e vjetërsisë në punë për ish-kooperativat bujqësore në gjithë vendin. Personat e interesuar mund të pajisen menjëherë me vërtetimin e vjetërisë së tyre në punë në ish-kooperativat bujqësore, duke paraqitur kërkesën pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, që përfshin (ka në juridiksion) ish-kooperativën bujqësore ku ata kanë punuar. Pajisja e qytetarëve me vërtetimin e vjetërisë në punë është falas, thuhet në njoftimin e ISSH-së. Ndërkaq, kjo e fundit sqaron se përfshirja e këtyre të dhënave në bazën elektronike të ISSH-së është pjesë e projektit të informatizimit të sistemit që do ti shërbejë transparencës mes kontribuuesve dhe skemës së institutit. Nga ana tjetër, informatizimi pritet që të japë efekte pozitive edhe në saktësinë, shpejtësinë si dhe caktimin e pagesës së përfitimeve, por do të ketë edhe kosto më të ulëta administrative. Pas përfundimit të hedhjes së të dhënave të ISSH-së i mbetet vetëm që ti ballafaqojë ato me qytetarët dhe për këtë, në vijim institucioni bën me dije se do të fillojë të publikojë listën e plotë të ish-kooperativave bujqësore, si dhe regjistrave të vjetërsisë në punë për secilën prej tyre, të ndarë sipas rajoneve. Janë përfunduar dhe janë hedhur në sistem 9411 regjistra të vjetërsisë të ish-kooperativave bujqësore. Në vijim, ISSH do të publikojë periodikisht edhe listën e ish-ndërmarrjeve shtetërore që janë përfshirë në sistem dhe të dhëna të tjera lidhur me ecurinë e informatizimit të sigurimeve shoqërore deri në përfundimin e plotë të tij, thuhet në njoftimin e ISSH-së.