E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet, Meidani e Moisiu mbështesin Presidentin

 

Dy ish-presidentët, komentuan dje debatin e fundit lidhur me dekretet e presidentit Topi

TIRANË- Dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani kanë mbështetur dje pasardhësin e tyre, Bamir Topi, në qëndrimin e këtij të fundit për dekretet e emërimit të 5 anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas tryezës se zhvilluar nga Lëvizja “G99” mbi të drejtën e votës dhe përfaqësimit politik të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, ish-presidenti Alfred Moisiu, i pyetur nga media rreth dekreteve të Topit, ka deklaruar se situata e krijuar nuk është normale. “Kryetarja e Kuvendit po i atribuon vetes disa kompetenca të cilat nuk ia jep as Kushtetuta, as ligji, asgjë. Dekretet e Presidentit janë dekretet e Kryetarit të Shtetit dhe pavarësisht se jemi Republikë Parlamentare, nga Parlamenti rrjedhin të gjitha institucionet kryesore të shtetit, duke filluar nga Presidenti. Por me krijimin e këtyre institucioneve, ata kanë kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore. Pra, nuk mundet në asnjë mënyrë që të sorollaten dekretet e Presidentit në atë mënyrë”,- tha Moisiu. Ish-Presidenti solli në vëmendje edhe një dekret të tijin, të vitit 2005, për emërimin e gjyqtares Gjenovefa Gaba, për të cilën ende nuk kishte marrë përgjigje nga Parlamenti. “Ndaj kjo është përgjegjësi e gjithë politikës shqiptare, jo vetëm e mazhorancës por dhe opozita, e cila e ka ditur këtë gjë dhe ka ngelur në heshtje. Këto janë gjëra që tregojnë se shteti ynë është akoma larg të qenit shtet ligjor”,- tha ai. Ndërsa ish-presidenti Rexhep Meidani, i pyetur për të njëjtën çështje, deklaroi se gjithnjë është i nevojshëm një bashkërendim institucionesh. “Në këtë rast, unë nuk e kuptoj se ku qëndron thelbi i problemit. Me sa kam parë unë nga mediat, kandidaturat janë tepër serioze”,- shtoi Meidani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›