E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, Krimet e Rënda lënë në qeli miqtë e Indrit Dokles



Laureta Rryçi

Gjykata e Krimeve të Rënda u komunikoi dje masën e arrestit katër nga shtatë të arrestuarit për akuzën e trafikut të drogës. Gjykata vendosi arrest me burg për Rindi Xhungon, Vito Bibën dhe Shefqet Vatën. Kurse për Eglantina Bibën u vendos masa e sigurisë arrest në shtëpi. Për tre të arrestuarit e tjerë, mes të cilëve Indrit Dokle në gjykim si anëtar i bandës së Durrësit, për Isuf Bunën dhe Edmond Taullain masa pritet të jepet ditën e sotme. Sipas prokurorisë, Indrit Dokle do të njihet me akuzën e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike", ku përmes telefonit celular, nga qelia e Burgut 302 dyshohet se ka mundur të ngrinte dhe drejtonte një grup të fuqishëm të trafikut të drogës. Grupi kishte transportuar 40 kg drogë drejt Italisë. Përgjimet arritën të zbardhnin të gjithë mekanizmin dhe të binin në gjurmët e anëtarëve të tij.
Arrestimet
Vetëm tri ditë më parë, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, njoftuan arrestimin e shtatë të dyshuarve për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike" në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe "shitjes së lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Gjatë operacionit u arrestuan Isuf Buna, i njohur me pseudonimin "Lalushi", Shefqet Vata, i njohur si "Çeti", Ridi Xhunga, i njohur me emrin "Ruçi", Edmond Taullai i njohur në përgjime si "Moke", Vito apo Vehap Biba, si dhe bashkëshortja e tij, Eglantina Biba (Lulo), e njohur si "Tina". Si organizator i rrjetit dyshohet Endrit Dokle, i cili qëndron i paraburgosur në burgun "Jordan Misja" për llogari të procesit të "Bandës së Durrësit".
Masat e sigurisë
Për gjashtë të dyshuarit, Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së prokurorisë, caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë. Për Eglantina Bibën u vendos masë shtrënguese "ndalimin e largimit nga vendi", për shkak se ka katër fëmijë. Sipas prokurorisë, gjatë periudhës shtator 2008- prill 2009 të dyshuarit kanë nisur drejt Italisë 40 kg heroinë, që iu është sekuestruar katër "korrierëve"; një shqiptari, një kosovari, një kroati e një boshnjaku. Këta të fundit janë arrestuar në zona të ndryshme të Italisë, si në Abruco, Milano e Trieste, ku janë kapur pas njoftimit nga Prokuroria shqiptare që kishte në përgjim "shefat" e tyre. "Arrestimi i tyre në Shqipëri nuk është kryer në atë kohë, pasi donim të zbulonim gjithë rrjetin”, - thanë zyrtarët e Prokurorisë dhe të Policisë. Katër nga personat janë ndaluar në Tiranë në banesat e tyre, njëri në qytetin e Durrësit dhe dy të tjerë pas mesnatës, në një disko në qytetin e Sarandës. Është shpallur në kërkim një person tjetër që hetohet me rreth 20 të dyshuar të tjerë të këtij rrjeti.

Trafiku u zbardh gjatë hetimit për një vrasje

Hetimet ndaj këtij grupi kanë nisur nga Prokuroria e Durrësit menjëherë pas vrasjes së Shkëlqim Saliut, vëllait të Klodian Saliut, në shtator të 2008-s, në lokalin e tyre në Durrës. Emrat e disa prej të arrestuarve të djeshëm janë vënë në përgjim, ku nuk rezultoi se ata kishin marrë pjesë në vrasjen e Saliut, por merreshin me "trafik droge", duke biseduar hapur për mënyrën e organizimit. Sipas prokurorit Anton Martini, në konferencën e posaçme për këtë operacion, ky grup kriminal ka pasur si aktivitet trafikimin e heroinës në drejtim të Italisë në rrugë tokësore duke bashkëpunuar me elementë të tjerë kriminalë në vende si Kosova, Bosnja, Kroacia dhe Italia.

Të akuzuarit
Indrit Dokle
I paraburgosur
Isuf Buna, i njohur gjatë përgjimeve si "Lalushi"
Shefqet Vata, "Qeti",
Ridi Xhunga, i njohur si "Ruçi" dhe "Redi"
Edmond Taullai, i njohur si "Moke"
Vito apo Vehap Biba
Eglantina Biba (Lulo), e njohur si "Tina"

Banda e Durrësit. Procesi, dëshmitarja “sëmuret” në sallën e gjyqit

Valbona Jaho, e mbrojtur nga Drejtësia për llogari të procesit ndaj bandës së Durrësit, pritej të vijonte dëshminë e saj në adresë të të pandehurve, por nuk ka arritur të flasë në seancën e radhës për shkak të një sëmundjeje të befasishme. Dëshmitarja e Drejtësisë, Jaho, në nisjen e procesit, i tha kolegjit penal se ishte sëmurë e nuk mund të dëshmonte, duke ndërprerë seancën për herë të dytë brenda pak ditëve. Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit shpjeguan se drejtuesi i kolegjit e ka pyetur nëse kishte ndonjë raport mjekësor për sëmundjen që po e pengonte vazhdimin e dëshmisë. Mirëpo dëshmitarja ka thënë se nuk i është nënshtruar ndonjë vizite mjekësore, por është mjaftuar vetëm me pohimin se nuk është në gjendje të vazhdojë më tej.
Valbona Jaho së bashku me të motrën, Genta Jaho, prej muajsh mbrohen dhe ruhen nga Drejtoria e Mbrojtjes së dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›