Sigurimet shoqërore, emigrantët që paguajnë për 1 vit, përfitojnë 6% ulje
Vendimi i fundit i Institutit mundëson vlera më të ulëta kontributi
Krahas pushimeve, apo çmalljes me familjarët, emigrantët mund të bëjnë gjatë qëndrimit në Shqipëri një investim për të ardhmen e tyre…. Të sigurojnë një pension minimal duke kontribuuar vullnetarisht për vitet që u mungojnë në librezën e kontributeve
Me rritjen e pensioneve në fillimit të këtij muaji edhe masa e kontributit shënoi rritje, por duket se Instituti i Sigurimeve po u kushton vëmendje emigrantëve, pasi ofron një ulje deri në 6 % për kontributin vullnetar Sportelet e ISSH-së janë të hapur në të gjitha rrethet, sipas drejtuesve të institutit dhe mjafton një kontratë dhe pagesa në bankë për periudhën që doni të siguroheni.
Ulje do të mund të përfitojnë edhe ata emigrantë që paguajë këtë kontribut për një periudhë 3-mujore apo 6- mujore. Kështu, ata që do të paguajnë kontribute shoqërore për 3 muaj, përfitojnë ulje në masën 1.5 për qind të shumës, ndërkohë që për ata që paguajnë për 6 muaj ulja shkon në masën 3 për qind të shumës totale. Aktualisht, niveli minimal i kontributit vullnetar për sigurimet shoqërore për emigrantët është 4 110 lekë në muaj, ndërsa në vit arrin vlerën e 49 320 lekëve. Kjo do të thotë se, ata emigrantë që zgjedhin të paguajnë këtë shumë për periudhën njëvjeçare, do të përfitojnë rreth 2 959 lekë ulje. Në skemën e sigurimit vullnetar numërohen gati 28 mijë persona, ku çdo vit regjistrohen mesatariasht 7-8 mijë persona. Sigurimi vullnetar është një zgjidhje edhe për ata që janë siguruar për pagën minimale, por duan të kontribuojnë për të siguruar një pension më të lartë.