E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, ulje drastike e të ardhurave në janar, ja pse u rritën siguracionet

Emirjon Senja

Policat e sigurimit të automjeteve pësuan një rritje të menjëhershme të çmimeve nga data 1 shkurt duke detyruar pronarët që të paguajnë dy apo tre herë më shumë për automjetin e tyre. Vendimi u justifikua nga kompanitë me faktin se çmimet e aplikuara deri në atë periudhë ishin tepër të ulëta dhe nuk mund të mbulonin kostot, por krahas kësaj, sëfundmi del në dritë edhe një shkak tjetër. Tregu i sigurimeve ka pësuar një tkurrje të konsiderueshme gjatë janarit të këtij viti, ecuri kjo në kah të kundërt me zhvillimet pozitive në këtë sektor përgjatë disa viteve me radhë.

Çfarë ka ndodhur? Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se gjatë muajit janar, kompanitë e sigurimeve kanë realizuar më pak kontrata duke pasur më pak të ardhura njëkohësisht, ndërkohë që kanë rritur pagesat e dëmshpërblimeve ndaj klientëve. Të dhënat tregojnë se tregu u tkurr me 31.8 për qind gjatë janarit 2012. Një gjë e tillë duket se ka renduar arkën e kompanive duke i nxitur ato edhe më tepër të ndërmarrë ndryshimet e miratuara në shkurt, me anë të të cilave policat e sigurimit të detyrueshëm për makinat u rriten me të paktën tre herë krahasuar me çmimet që kishin aplikuar deri më tani.

Kështu, gjatë janarit 2012 mësohet se tregu i sigurimeve ka realizuar rreth 584 milionë lekë prime bruto kundrejt 857 milionë lekëve të realizuara përgjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë. Vlera është rreth 32 për qind më e vogël krahasuar me janarin 2011 duke pasqyruar kështu edhe ndikimin e madh në arkën e kompanive të sigurimit. Pjesa më e madhe e primeve i përket siguracionit të detyrueshëm motorik. Gjatë janarit 2011 kompanitë deklarojnë se realizuan rreth 322 milionë lekë të ardhura nga ky grup, ndërsa shifra ka zbritur në 225 milionë lekë në janar 2012 ose rreth 30.2 për qind më pak.

Ashtu si edhe tek të ardhurat, ndikimin më të madh në arkën e kompanive e ka pasur rritja e pagesave të dëmeve të siguracionit të makinave. Kompanitë deklarojnë se kanë paguar rreth 90 milionë lekë dëme në janar 2011, ndërsa 161.3 milionë lekë në janar 2012 me një rritje prej 79.6 për qind. Në përgjithësi, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 213.4 milionë lekë dëme gjatë janarit 2012 me një rritje prej rreth 15 milionë lekë.

Krahas uljes së të ardhurave dhe rritjes së pagesave të dëmeve, kompanitë e sigurimeve shënuan edhe ulje të numrit të kontratave gjatë janarit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e numrit të kontratave ishte tepër e madhe madje, minus 15 për qind. Kështu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se përgjatë muajit të parë 2011 u realizuan rreth 97 mijë kontratat kundrejt 82 400 kontratave të realizuara në janar 2012. Ulje e numrit të kontratave është shënuar edhe tek Sigurimi i Detyrueshëm Motorik, siguracioni i makinave që paguajmë zakonisht.

Konkurrenca uli çmimet nën kosto

Para datës 1 shkurt, çmimi i siguracionit për një autoveturë me fuqi deri në 1 600 kubik, lëvizte nga 4 500 deri në 6 000 lekë. Por pas kësaj date, çmimi për këtë siguracion shkoi në rreth 14 mijë lekë. Çmimi i Sigurimit të Detyrueshëm Motorik për një makine me motor më shumë se 1 600 kubik çmimi fillonte nga 6 500 lekë ndërkohë që tani kanë arritur në 14 600 lekë. Rritja përfshiu për të gjitha llojet e siguracioneve duke filluar që nga motoçikletat e deti tek mjetet bujqësore apo dhe zjarrfikëset. Qeveria liberalizoi tregun e sigurimeve me kërkesë të vetë kompanive duke ia lenë atyre në dorë që të vendosnin çmimin. Konkurrenca e madhe bëri që kompanitë të ulnin ndjeshëm çmimet duke shkuar madje edhe nën kosto.

Një gjë e tillë bëri që kompanitë të përballeshin me ulje të të ardhurave gjatë tre muajve të fundit të vitit 2011. Referuar treguesve më të fundit të AMF-së, duket se ulja ka vijuar edhe gjatë janarit 2012, madje edhe më e fortë. Një panoramë e tillë është bërë e papranueshme për kompanitë duke vendosur kështu në fillim të shkurtit rritjen e çmimeve sërish. Kompanitë i justifikuan asokohe ndryshimet në çmimet e policave të sigurimit me faktin se ulja e aplikuar gjatë periudhës shtator 2011- janar 2012 bënte të pamundur ecurinë normale të aktivitetit pasi primet nuk lejonin dëmshpërblimin e siguruarve. Sipas tyre, çmimet me të cilët ofrohet sot policat e sigurimit janë në kosto dhe mund të mbulojnë kostot.

Banka Botërore, asistencë teknike KLSH-së për rritjen e kapaciteteve

Banka Botërore do të mbështesë teknikisht Kontrollin e Lartë të Shtetit në drejtim të përmirësimit të punës së këtij institucioni për rritjen e kontrollit në instucionet publike por edhe bizneset që administrojnë fonde nga buxheti i shtetit. Premtimi iu bë dje kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj nga Drejtorja e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Kseniya Lvovsky.

Leskaj vlerësoi kontributin e Bankës Botërore për rritjen e kapaciteteve të institucioneve të ndryshme qeveritare dhe institucioneve të tjera shtetërore të vendit. Nga ana e saj, Lvovksy theksoi se KLSH ka një pozicion shumë jetik për tu dhënë jo vetëm donatorëve, por edhe taksapaguesve shqiptarë sigurinë se paratë e tyre shpenzohen si duhet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›