Rrugët e hekurudhat, hapet gara për konsulentët që do hartojnë studimet
Ministria e Transporteve është në kërkim të dy konsulentëve shumë të rëndësishëm që do të përzgjidhen njëri për të hartuar një strategji të taksimit rrugor dhe tjetri për të studiuar eficiencën e rrjetit hekurudhor në vend. Qeveria është aktualisht në procesin e dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit dhe saktësisht aksit Milot-Morinë, ndërkohë që një strategji e hartuar nga një konsulent do ti japë asaj një ide më të qartë mbi mundësitë për të dhënë me koncesion edhe rrugë të tjera në funksion të uljes së shpenzimeve që bën buxheti. Tenderi për konsulentin që do të hartojë strategjinë e dhënies me koncesion të rrjetit autostradal në Shqipëri, është lajmëruar më herët nga BERZH, që do të jetë edhe financuesi i 150 mijë eurove që do të vihen në dispozicion të konsulentit për këtë shërbim. Në anën tjetër, Ministria po dje ka publikuar edhe kushtet për konsulentin tjetër që do të merret me studimin e hekurudhave të vendit, për të matur sa eficiente janë ato duke nisur nga hekurudha Tiranë-Durrës. Edhe për këtë konsulent është BERZH institucioni financiar, që do të japë mbi 1.2 milionë euro. Në fund të studimeve të dy konsulentëve, qeveria do të ketë mbi tryezë një strategji taksimi për rrugët, si një alternativë e hapur për dhënie me koncesion dhe një studim të hollësishëm për hekurudhat dhe sa ia vlen të investohet për të rindërtuar ato, kur dihet që kanë një kosto shumë të lartë dhe një kthim të shtrirë në një periudhë shumë të gjatë.