E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipoteka, riregjistrim të pronave në Kodër Kamzë

Qytetarët kanë 45 ditë afat për konfirmim ose korrigjim.

Janë 4952 pasuri të paluajtshme në Tiranë, që i përkasin zonës kadastrale të Kodër-Kamzës me numër ZK 8320, për të cilat qytetarët duhet të bëjnë verifikimin. Përmes një njoftimi për shtyp, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën me dije se për këto pasuri ka filluar afishimi publik i regjistrimit fillestar sipas listave përkatëse. Të gjithë qytetarët e kësaj zone duhet të bëjnë verifikimin e tyre sipas listës, në mënyrë që edhe për paqartësi apo pretendime të ndryshme të kenë mundësi të bëjnë korrigjimet e nevojshme. Ky afishim bëhet respektivisht në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8320, saktësisht në adresën rruga ShkodërTiranë, Kodër-Kamzë, përballë farmaci Shehu, Tiranë. Periudha e afishimit publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike. Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8320, janë të ftuar të verifikojnë regjistrimin fillestar të pasurive të tyre, thuhet në njoftimin e ZRPP-së. Për çdo rast, qytetarët që hasin mangësi në përcaktimet e pasurisë së paluajtshme që është bërë përmes hartës nga specialistët e Zyrës së Regjistrimit, do të kenë mundësi të bëjnë ndryshimet e nevojshme që i shërbejnë saktësisë së procesit të regjistrimit. Për secilin rast që do të paraqitet, shqyrtimi dhe zbatimi i tyre do të bëhet brenda periudhës 45-ditore të afishimit publik.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›