E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi i depozitave në masën 71 për qind

2009-a Agjencia e Sigurimit të Depozitave: Kemi rritur garancinë

Ndërhyrja e qeverisë për të rritur masën e sigurimit të depozitës në 2.5 milionë lekë ka dhënë kontributin në totalin e siguruesve. Në raportin vjetor 2009, Agjencia e Sigurimit të Depozitave, e cila mbikëqyret nga AMF-ja, thotë se depozitat e klientëve që janë subjekt i skemës së sigurimit të depozitave, zënë një pjesë prej 83 për qind kundrejt totalit të depozitave në tërë sistemin bankar. “Kurse depozitat përfaqësojnë rreth 71 për qind të depozitave të individëve”, thekson ASD-ja. Pjesën më të madhe të depozitave të individëve e zënë depozitat në lek dhe vetëm 43 për qind në valutë. “Referuar periudhës 2009, vërehet një rritje e depozitave të individëve me rreth 12.5 për qind, kurse depozitat e siguruara me rritje 11.7 për qind”, thotë ASD-ja në raportin që do t’i prezantohet këtë javë Kuvendit. Duke parë ecurinë e depozitimit në banka, ASD-ja vë re se ka një rritje të valutës me 7.5 për qind dhe një rënie të lekut me 5 për qind.

Depozitat me shumën deri në 2.5 milionë lekë zënë rreth 49 për qind të totalit të depozitave të individëve. Sa i takon numrit të depozituesve, të cilët e kanë shumën e depozitave të tyre të agreguara deri në 2.5 milionë lekë, dominon me 96 për qind.

Sigurimin e depozitës së bankës ASD e kryen përmes një formule të adaptuar nga direktiva e Bashkimit Europian. Agjencia i siguron depozitat me afat deri në 2.5 milionë lekë, si dhe depozitat në valutë, në të njëjtën vlerë, certifikatat e depozitave etj. Sa u takon të ardhurave dhe masës së sigurimit që paguan një bankë, thuhet se “kontributi fillestar është 0.5 për qind e kapitalit të bankës, ndërsa norma e vazhdueshme (primi) është nga 0.1 deri në 0.5 e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, të regjistruara në fund të çdo dite pune për tre muajt e fundit të vitit të kaluar”. Të ardhurat nga primi gjatë 2009-s arritën rreth 1 miliard lekë, me një rritje prej 6 për qind.
Aktiviteti që kryen ASD-ja është fitimprurës, për shkak se të ardhurat i investon në letra me vlerë të qeverisë. Aktualisht kapitali i agjencisë është rreth 8 miliardë lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›