Vdes i vetëm 100-vjeçari
Përkundër moshës që kishte, një 100-vjeçar në qytetin e Elbasanit ka vdekur i vetmuar. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm është gjendur i vdekur në banesën e tij Sherif Tafani, 100 vjeç, lindur e banues në lagjen “Vriserion Xhuvani”, Elbasan. Nga ana e policisë, në vendngjarje u dërgua grupi hetimor, i cili pasi kreu veprimet e para, si dhe nga deklarimet e të afërmve të tij, u konstatua se jetonte i vetëm në banesë. Paraprakisht, sipas mjekëve, mendohet se vdekja është natyrale. Burime të të afërmve të tij ndërkohë bëjnë me dije se 100-vjeçari kishte kohë që kishte mbetur i ve, ndërsa fëmijët e tij ndodhen në emigracion. Ata nuk kishin pasur mundësinë t’i qëndronin afër. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
#