E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Duhet të kryhet përmirësim i sistemit zgjedhor

Deklarata Kreu i socialdemokratëve: Sistemi aktual, proporcional rajonal është i përshtatur keq

Protesta gjithëqytetare kundër qeverisë së Sali Berishës, përveç se ka rivënë në lëvizje aksionin politik për zgjedhje të parakohshme, ka nxitur krijimin rishtas të frontit opozitar. E thyer pas humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit, e majta shqiptare po rimerr si taktikë kryesore në luftën për pushtet bashkimin si mënyra e vetme për të korrigjuar veten, pavarësisht se ky akt formal nuk jep shumë të dhëna për sa i përket asaj që quhet si formula e bashkëpunimit. Lidhur me këtë çështje, socialdemokrati Skënder Gjinushi ka sqaruar dje për “Shqip” se në funksion të objektivit kryesor, që është rrëzimi i qeverisë aktuale, qëndron edhe nevoja e korrigjimit të gabimeve të mëparshme. “Ndryshimi i sistemit aktual është i domosdoshëm, pse sistemi aktual, proporcional rajonal është i përshtatur keq. Pra ndryshimi ose përmirësimi i sistemit, për të shmangur ‘aksidentet’ është një nevojë e logjikshme”, deklaroi kreu i PSD-së. Edhe njëherë tjetër duket se ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor do të jenë udhëzues i aleancave politike, funksionimi i mirë i të cilave është parakusht i fitores së pushtetit. Analizimi i situatës brenda të majtës, qoftë duke u nisur nga zgjedhjet e vitit 2005, qoftë duke marrë për bazë ato të vitit 2009, e absolutizon këtë arsyetim, për shkak se koston kryesore të gabimeve taktike elektorale e mori pikërisht opozita e sotme. Ndryshimi i vetëm që sot përqaset si pjesë thelbësore e vendimeve të pritshme politike është përjashtimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nga axhenda e të majtës, për arsye që lidhen me qëndrimin e partisë së Ilir Metës menjëherë pas 28 qershorit. Por distanca e provuar edhe më parë është bërë tanimë e pakapërcyeshme, aq sa në thirrjen e vet për protesta PS-ja dhe aleatët e saj kanë afishuar si tabelë sulmi si Kryeministrin Sali Berisha edhe numrin dy të tij, njëkohësisht kryetar i LSI-së. Apelin për mobilizim qytetar kundër qeverisë, në emër edhe të një krize që sa vjen dhe rëndohet e ka ripërsëritur dje sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili ka nënvizuar se për largimin e qeverisë aktuale PS-ja do të përdorë “çdo mjet demokratik”. “Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet në arsenalin e mjeteve demokratike për të larguar Sali Berishën nga pushteti, përpara se kostoja e sundimit të tij ilegjitim të bëhet e papërballueshme për vendin”, deklaroi ai. Theksimi i terminologjisë, ku opozita vlerëson se në Shqipëri nuk ka më qeverisje, por sundim, nuk ka më qeveri, por një regjim, dëshmojnë se rruga e protestës edhe sikur të jetë një mjet për imponimin e negociatave po e mban tensionin të lartë. Gjuha e fortë dhe këmbëngulëse si “protestat do të jenë të gjithanshme, kudo, në çdo cep të Shqipërisë, në çdo rrugë, në çdo qytet e në çdo fshat”, e artikuluar dje nga sekretari organizativ i PS-së, në fund të fundit flasin se minimalisht qeveria është përballë një situate jo normale, të cilën ka detyrimin ta menaxhojë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›