E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, çmimet e ushqimeve kryesore u rritën në muajt mars-prill



Në dy muajt e fundit, në tregjet ushqimore të kryeqytetit është vërejtur një rritje e lehtë e çmimit të ushqimeve bazë. Sipas të dhënave të fundit çmimet janë rritur me 1.1 për qind, sidomos për prodhimet e stinës. Në tregun e ish-uzinës “Dinamo” në Tiranë, i cili është edhe një pikë transiti për prodhimet e rretheve, të cilat kanë destinacion kryeqytetin, një kg perime të stinës kushton gati dyfish në ditët e fundjavës. Kështu, nga 70 lekë që ishte një kile kastraveca të enjten, të shtunën çmimi i këtij artikulli shkoi në 120 lekë për kg. Vetë tregtarët e shpjeguan këtë ndryshim të çmimit me kërkesën e lartë që shfaqet në fundjavë. Kjo lidhet edhe me traditën e kryeqytetasve, të cilët pazarin e shtëpisë kanë nisur ta bëjnë për fundjavë, duke rritur kështu presionin për tregun, i cili ka nisur t'i përgjigjet kësaj tendence me rritje të çmimeve. Por këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, prodhimet vendase të stinës po vijnë me çmime të larta. Kjo pasi pranvera e vonë ka ndikuar në sasinë e prodhimit, i cili këtë vit nuk ka mundur të dominojë kërkesën. Nga ana tjetër, bujqit në të gjithë vendin kanë rritur sipërfaqet e mbjella me sera, për shkak se fitimi i prodhimeve në të shumtën e rasteve është i garantuar. Por shpeshherë ndodh që për shkak të mungesës së informacionit për tregun dhe infrastrukturës së dobët, prodhimet kalben në ngastra dhe nuk i ofrohen tregut. Vitet e fundit prodhimi vendas i serave ka stabilizuar çmimet e frutave dhe perimeve në tregjet ushqimore të vendit, të cilat, duke iu referuar traditës, vareshin nga çmimet e importit. Burime nga Drejtoria e Statistikave në Ministrinë e Bujqësisë, thanë se, "shtrirja e prodhimit bujqësor, ose dalja në treg edhe jashtë sezonit të prodhimit, një nga objektivat kryesor të këtij dikasteri, ka ndikuar drejtpërdrejtë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Nga ana tjetër, recensioni në ekonominë globale po jep efekte në uljen e çmimeve të lëndëve të para. Konsumi ka nisur të bjerë dhe çmimet e lëndëve të para si nafta, energjia, misri, gruri, orizi etj., kanë rënë dukshëm. Por në tregun vendas rënia që ka pasuar tregun ndërkombëtar nuk është aplikuar për të gjithë artikujt.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›