AMC-ja nderohet për ecurinë e shkëlqyer të shërbimit “Fun Tune”
Kompanitë “INNOVA s.a.” dhe “COMVERSE” i dorëzojnë kompanisë më të madhe celulare në vend, “AMC”, çmimin e “Ekselencës” për rezultatet dhe cilësinë e lartë të shërbimit “Fun Tune”. Ky çmim i jepet kompanisë për suksesin që ka njohur shërbimi “Fun Tune” dhe për rritjen e vazhdueshme të përdorimit të këtij shërbimi në Shqipëri. “INNOVA s.a.” dhe “COMVERSE” janë kompanitë ndërkombëtare që mundësojnë përmbajtjen e shërbimit “Fun Tune” si edhe monitorojnë ecurinë e tij. Kompania “COMVERSE” është më e madhja në botë përsa i përket programeve dhe sistemeve që përdoren në dërgimin e mesazheve, ofrimin e përmbajtjes së shërbimeve me vlerë të shtuar, tarifimit, komunikimit me anë të “IP”-së, si edhe të shumë shërbimeve të tjera. Ajo ofron shërbimin e saj për më shumë se 500 kompani të shërbimeve të komunikimit, në më shumë se 130 vende të botës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë, Drejtori Ekzekutiv i “INNOVA”, Emmanuil Vasilakis, Drejtori i “COMVERSE Hellas”, George Kyriakopoulos, si dhe Drejtori Ekzekutiv i “AMC”-së, Stefanos Oktapodas. Sipas drejtorit Oktapodas, objektivi i “AMC”-së është të ruajë pozicionin e operatorit më të madh në treg dhe të vazhdojë përmirësimin dhe pasurimin e shërbimeve.
25 Qershor 2008