E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguruesit, shërbim më të mirë për emigrantët



Çdo emigrant shqiptar apo dhe shtetas i huaj që ka ardhur për pushime në vendin tonë, ka vënë re pa dyshim diçka ndryshe. Një shërbim më i kulturuar dhe më i qëndrueshëm që në momentin kur kanë shkelur në territorin e Shqipërisë. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar, duke filluar nga porti i Durrësit, që ka dhe fluksin më të madh, i Vlorës, në të gjitha pikat e tjera të kalimit kufitar, si dhe në çdo degë ose sportel të shoqërive të sigurimeve, këto të fundit u kanë ofruar atyre një shërbim më të mirë, kur u është dashur të presin policën kufitare për sigurimin e automjeteve të tyre. Asnjërit prej vizitorëve apo turistëve nuk i kanë zënë rrugën ajo mori “kapësish” që operonin në emër të një agjenti sigurimesh, asnjërit prej tyre nuk i kanë vendosur çmimin e kripur sipas dëshirës së tyre. Madje, ky çmim, krahasuar me një vit më parë, është përgjysmuar dhe krejt ndryshe nga sa pretendon ndonjë dashakeqës apo që i janë prishur interesat. Më konkretisht, si në muajin janar të këtij viti, ashtu edhe në korrik dhe gusht, çmimi për autoveturat, për një periudhë 15 ditore është 27 euro përfshirë edhe TVSH-në (një vit më parë ishte 53 euro) dhe jo 36 euro siç pretendohet me qëllim përfitimi nga dashakeqës të tregut të sigurimeve. Çmimi prej 27 eurosh është vetëm 2 euro më i lartë se kufiri minimal i përcaktuar nga Ministria e Financave prej 25 eurosh. Për periudhën e sigurimit 20-ditor, tarifa e sigurimit është 33 euro dhe jo 45 euro. Të gjitha çmimet, për të gjitha kategoritë e mjeteve motorike dhe për të gjitha periudhat, është i përgjysmuar, krahasuar me vitin 2007.

Përveç kësaj, të huajve, por edhe shqiptarëve që vijnë në Shqipëri, si për pushime në verë, ashtu edhe në periudha të tjera, u ofrohet një shërbim më i mirë. Në pikat kufitare ka një zonë të caktuar ku shiten policat e sigurimit dhe çmimet janë të njësuara nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë. Si rrjedhojë, as turistët nuk shqetësohen nga duart që u zgjaten për të përfituar një sigurim, as me çmimet nuk abuzohet, ku shumë agjentë, deri pak kohë më parë, përcaktonin tarifat sipas dëshirës së tyre.

Në këtë mënyrë shoqëritë e sigurimeve, jo vetëm që kanë përgjysmuar çmimet nga një vit më parë dhe për pikun e ardhjes së pushuesve nuk i kanë ngritur, por kanë krijuar dhe komoditet për ata që u është dashur një sigurim në pikat kufitare. Kjo mënyrë e funksionimit të shitjes së policës kufitare bën të mundur, sipas Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, edhe pagesën sa më të shpejtë të dëmeve.

Kompania Austriake "VERBUND"

do të ndërtojë HEC-in e ri të Ashtës

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës shpalli dje si fituese të tenderit për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit të Ashtës në qarkun e Shkodrës, kompaninë austriake 'Verbund', një kompani e krijuar që prej vitit 1947, e cila zotëron rreth 90 hidrocentrale me një fuqi 6000 MW dhe një prodhim 22.8 bilionë kWh. Vlerë totale e investimit për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, me një fuqi të instaluar 40 - 70 megavat, është llogaritur nga firma austriake në shumën prej 167 milionë euro. Kohëzgjatja e ndërtimit të tij parashikohet në 36 muaj.

Në tenderin e zhvilluar në 13 qershor të këtij viti për ndërtimin e këtij hidrocentrali, paraqitën ofertat e tyre konsorciumi i përbërë nga dy kompani "CNR & Electrabel" si dhe kompania "Verbund". Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në METE ka vlerësuar me 95.33 pikë ofertën e dhënë nga "Verbund" dhe me 59.21 pikë konsorciumin "CNR & Electrabel".

Përzgjedhja e fituesit u bazua në kritere të përcaktuara, të shpallura në mënyrë transparente që në publikimin e dokumenteve të tenderit. Ndër kriteret kryesore ishin çmimi më i lirë i energjisë elektrike që do ofrohet për tregun dhe sistemin shqiptar, cilësia teknike e ofertës, fuqia e instaluar, standardet teknike dhe sociale me të cilat do të ndërtohet ky projekt, si dhe koha e ndërtimit të HEC-it.

Qeveria shqiptare përgatiti dhe publikoi në datën 14 janar, 2008 projektin koncesionar për ndërtimin e HEC-it të Ashtës, në formën e një propozimi të kërkuar me konsulencën e IFC-së. Në përcaktimin e skemës më të mirë të ndërtimit të këtij hidrocentrali, METE ka ndërmarrë një sërë konsultimesh me publikun, përfshirë shoqatat e ambientalistëve, pushtetin vendor dhe popullsinë e zonës për të eliminuar të gjitha pasojat negative të cilat ishin vënë re në projektin e mëparshëm për ndërtimin e HEC-it të Bushatit.

Kështu, në projektin e hidrocentralit të Ashtës u morën parasysh disa kufizime, si evitimi i modifikimeve të rrjedhës së lumit Drin në pikën e bashkimit me lumin Buna, që të mos ndikohet regjimi hidraulik i liqenit të Shkodrës; kufizimi i gjatësisë së argjinaturave (kanali i largimit) në lumin Drin, për të ruajtur qytetin e Shkodrës nga ndonjë përmbytje; mbajtja e pritës së Spatharit në nivelin e 21-23 m mbi nivelin e detit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›