E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja kthen emrin “Ismail Qemali”



Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Fatos Beja, në daljen e tij të parë publike si ministër ka kthyer emërtimin “Ismail Qemali” Universitetit të Vlorës. Sipas Bejës, dikasteri që ai drejton nuk do të kalojë kërkesën e senatit të Universiteti të Vlorës për vendim në Këshillin e Ministrave.

Prezantimi

Debati mbi ndryshimin e emërtimit të Universiteti të Vlorës kishte mbetur si detyrë për t’u zgjidhur nga ministri i ri i Arsimit. Për këtë, gjatë prezantimit të tij në publik z. Beja ka theksuar se nuk e ka ndërmend që të ndryshojë emërtimin e universitetit.

“Deri më sot, në MASH nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Universiteti i Vlorës. Por mund t’ju them që edhe nëse vjen, nuk do ta kalojmë si vendim të Këshillit të Ministrave”, - është shprehur ministri i Arsimit, z.Beja.

Duke ritheksuar faktin se ligji i arsimit të lartë garanton autonominë e universiteteve, këto të fundit nuk duhet që të marrin vendime për të cilat i kalojnë kompetencat e tyre. Madje ministri Beja theksoi se është e mundur të ndryshohet emri i një universiteti, është e mundur që një rektor të bëjë një propozim, pas një vendimi të mbështetur në vendimin e senatit, por është akti i krijimit të vetë universitetit, i cili duhet të ndryshohet dhe kjo nuk është atribut i senatit, por i Këshillit të Ministrave. Dhe ministria që ai drejton garanton se nuk do të ndryshojë emërtimin e universitetit.

Në këtë mënyrë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i jep përgjigje zyrtare debatit të hapur së fundmi mbi ndryshimin e emërtimit të Universitetit të Vlorës.

Madje ai ka shtuar se “çështja e emrave është shumë komplekse dhe nuk lidhet vetëm me universitetet. Nuk është rektori i Universitetit të Vlorës që ka krijuar këtë universitet, nuk është as ministri i Arsimit dhe Shkencës që e ka krijuar.

Unë si ministër nuk kam ndërmend të ndryshoj emrin e Universiteti të Vlorës. Është një çështje që është shumë normale të diskutohet, do të jetë pjesë e një debati publik dhe opinioni publik do të shprehet. Shqipëria ka nevojë që të ecë sipas modeleve më të përparuara dhe opinioni publik, kuptohet, do të respektohet nga vendimmarrësit”.

MASH

Gjithashtu, ministri Beja ka theksuar se për sa u përket reformave në këtë dikaster do të konsolidojë arritjet e reformave të kësaj qeverie. Duke i konsideruar reformat si proces, puna e tij do të jetë në vazhdimësi të nismave të ndërmarra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›