Sikur Shqiperia të kish një Karaxhiç!
BALLKANI DHE INTEGRIMI NË BE
Kapja e Karaxhiçit ishte lajmi i verës që shkoi. Dukej surreale dhe nuk na dëshpëroi aspak me pompozitet. Ashtu siç e kishim pritur, ai fshihej ‘në mesin tonë’ sikur kriminelët e Luftës së Dytë Botërore. Mbyllja e tij nw burg u mirëprit nga të gjithë me përjashtim të radikalëve serbë të cilët mbushën rrugët me 50,000 protestues. Kapja e Karaxhiçit e vuri Serbinë në një pozitë të favorshme në raport me BE-në. Këto ditë, Olli Rehn, komisionari për zgjerim i BE-së deklaroi se Serbia ka gjasa të mira që deri në fund të vitit në tren të shpejtë të marrë statusin e vendit kandidat. Është ironike, si Karaxhiçi pas dobisë që dha për kauzën nacionaliste serbe, tani të jetë i dobishëm edhe në përshpejtimin e rrugës për në BE.
Integrimi i Serbisë në BE gjithsesi është lajm i mirë për shqiptarët. Progresi në Serbi do të thotë më shumë stabilitet në rajonin tonë, dhe rrjedhimisht përparim më i shpejtë i rajonit. Por, ajo çfarë është dëshpëruese është gatishmëria e BE-së për ta hedhur Serbinë para vendeve të rajonit pas gjithë asaj që ka ndodhur në këto 20 vjetët e fundit. Nëse krahasohen vendet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk e kanë marrë statusin e vendit kandidat, do të duhej që Shqipëria dhe Mali i Zi të garonin për vendin e parë dhe të dytë. Bosnja, Kosova dhe Serbia do të duhej të pasonin.
Shqipëria i doli para kohës dhe e pranoi Maqedoninë në kohën kur atje brutalisht shkileshin të drejtat e shqiptarëve. Shqipëria pranoi refugjatë gjysmën e popullsisë së Kosovës kur perëndimi po bombardonte Milosheviçin. Shqipëria luajti një rol të pazëvendësueshëm stabiliteti gjatë gjithë konflikteve të ish-Jugosllavisë. Kjo do të duhej të shpërblehej.
Nuk ka logjikë që Serbia të dalë para Shqipërisë në udhën integruese. Serbia shkatërroi Jugosllavinë, shkaktoi katër luftëra dhe ndihmoi institucionalisht kriminelë si Karaxhiqi të vrasin mijëra njerëz në mënyrën më barbare që nga Lufta e Dytë Botërore. Serbia është i vetmi vend me pretendime zyrtare territoriale ndaj një vendi tjetër në Ballkan, pra Republikës së Kosovë. Nëse Serbia bën diçka të mirë, si në rastin e dorëzimit të Karaxhiçit, ajo duhet të shpërblehet. Por duhet të shpërblehet edhe tërë rajoni, meqë do të ishte padrejtësi që Serbia të jetë para Shqipërisë e Malit të Zi në procesin integrues.
Ka një keqkuptim të funksionit dhe funksionimit të BE-së në rajonin tonë. BE-ja është një organizatë e komplikuar dhe jo monolite, siç shihet te ne. Institucioneve të BE-së u duhet bërë e qartë që do të ishte një zhgënjim i madh për Shqipërinë nëse Serbia i del përpara në rrugën për integrim. Prapë, Shqipëria e as Kosova s’kanë gjë kundër integrimit të Serbisë. Por nëse dikujt i duhen bërë favore në Ballkan, nga BE-ja atëhere ata janë shqiptarët.
Populli thotë, fëmija që qan pi më shumë. Është koha që Shqipëria të ngre zërin dhe të kërkojë që ajo të jetë vendi i parë që e merr statusin e vendit kandidat nga vendet e mbetura të Ballkanit. Natyrisht kjo duhet të kombinohet me përmbushjen e detyrave të shtëpisë në vend.
Institucione si Iniciativa Evropiane për Stabilitet thonë që shtetet e Ballkanit duhet ta thyejnë portën e BE-së dhe të hyjnë në të si mysafir të paftuar e mos të presin burokracinë dhe vendimet politike që dalin nga një strukturë e komplikuar në një formë të paprecedent. Kjo në kuptimin që duhet të bëhen aktorë të procesit dhe të zhvillojnë politikë agresive të lobimit e jo të presin pasivisht vendimet nga Brukseli. Duhet të ndryshojë qasja e shikimit të integrimit si lëmoshë të BE-së. Shqipëria është pjesë e Evropës dhe hyrja e saj në klub është interes i dyanshëm në një proces që patjetër duhet të jetë i dinjitetshëm.
*Pedagog në American University in Bulgaria, ish-keshilltar i kryeministrit kosovar Agim Çeku