E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas qershorit 2009

Do të doja të isha në gjendje të riprodhoja me cilësi një nga mijëra opinionet që kam dëgjuar gjatë udhëtimit tim në rrugët e Dialogut me Shqipërinë. Në Antigone, komunë e bukur me pastërti shembullore jo larg Gjirokastrës, flisnim me më të moshuarit për hallet e moshës së tretë, rrënimin ekonomik të fshatit, faturën e rritur të dritave, bukën dhe vajin e shtrenjtuar, ilaçet e parimbursueshme…

Teksa biseda endej rreth muzgut plot re të një jete të jetuar me punë të ndershme e sakrifica të pazakonshme, një grua fisnike rreth të shtatëdhjetave vuri theksin diku tjetër. Unë nuk i sjell dot këtu fjalët e saj me kthjelltësinë dhe me forcën që i renditi ajo grua, por shpresoj, riprodhimi im i zbehtë, nuk do të humbasë thelbin e atij kumti që për mua vlen sa një pikë referimi për ndërtimin e një politike të re për arsimin:

"Kjo qeveri nuk na e rrit dot kurrë pensionin aq sa për të mos e ngrysur ditën me hallin se nesër do mbetemi pa paguar dritat, pa blerë dot vajin apo pa u mjekuar. Po sikur edhe një qeveri e mirë të vijë e të ma dyfishojë vërtet pensionin, nuk do më shtojë më shumë se ca djathë e domate në pjatë. Ndaj po të them, se unë jam gati të kem kaq sa kam sot, po do fle e qetë nëse qeveria dyfishon kujdesin dhe paratë për të mos i lënë nipat e mbesat e mia të kthehen nga shkolla pa mësuar asgjë! Po nuk luftuat as ju socialistët për ta, nuk ka më ditë të bardhë për Shqipërinë!".

Përpara se të them se jemi për të vazhduar përpjekjen në rrugën e shkrimit të një programi të ri qeverisës për Shqipërinë, duke e filluar nga shkollimi i denjë për çdo fëmijë të atdheut tonë, më lejoni të rendis një episod të dytë:

Ka shumë arsye për t'u ndjerë keq në Shqipërinë e Sali Berishës e të injorancës që reflekton në jetën e vendit qeverisja e tij, por njëra ndër ato më therëset për shpirtin e mendjen time, është poshtërimi që u bëhet atyre të cilëve u thuhet,"Po shkuat në takimin e Partisë Socialiste do t'ju heqim nga puna!".

Janë të rralla rastet kur unë kam shkelur në një qytet për të takuar arsimtarë dhe nuk kam marrë SMS e telefonata keqardhjeje për pamundësinë e pjesëmarrjes në takim nga rreziku i humbjes së vendit të punës. Më kanë ardhur shpesh edhe letra. Ja një fragment i njërës prej tyre që po e përcjell pa e zbuluar identitetin e letërshkrueses, e cila jep mësim në një shkollë të mesme:

“Shoqja ime u pushua dje nga puna dhe i thanë: Shko merre rrogën tek PS. Nuk jam ndjerë kurrë më keq sepse e kishim lënë të vinim të dyja në takimin tuaj në Pallatin e Kulturës dhe isha unë që i mbusha mendjen, por e lashë në baltë në sekondën e fundit. Gjeta një arsye për të mos shkuar, po e vërteta është që nuk më dilte asnjë llogari po të më hiqnin nga puna me dy fëmijë të vegjël, burrin të papunë dhe gjyshin e fëmijëve gjysmë të paralizuar. Ajo që këta nuk i sheh dot me sy, po që siç ju shkruajta, nuk është anëtare e PS, erdhi në takim, e unë jo. Jam e detyruar ta pohoj me dhimbje se sikur të ktheheshin dot gjërat mbrapsht e vërteta është se s'do e kisha lënë kurrë as atë të vinte. Si mund të jetohet në Shqipëri zoti Rama?

E para gjë që do të ndryshojë në Shqipëri me fitoren tonë të qershorit të ardhshëm, do të jetë shembja e murit të presionit psikologjik që pushteti kërcënues i politikës së vjetër ka ngritur kudo për të ndaluar komunikimin normal të mësuesve e pedagogëve, mjekëve e infermiereve, rrogëtarëve të shtetit, përfaqësuesve të shoqërisë civile, e sipërmarrjes private, me opozitën.

Në Shqipëri politika do të bëhet për njerëzit e me njerëzit dhe për ne një opozitë që i angazhon qytetarët në diskutime rreth çështjeve e problemeve reale të jetës së tyre, është një shtysë emancipuese për qeverinë jo vetëm kur jemi vetë në opozitë, por mbi të gjitha kur në opozitë janë kundërshtarët tanë.

Koha e mospjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike e publike për shkak të trysnisë primitive që ushtron pushteti i politikës së vjetër po mbaron. Po mbaron bashkë me orët e këtij pushteti injorant, të papërgjegjshëm e si s’ka më të korruptuar. Po mbaron edhe koha e përçarjes së madhe 17-vjeçare mes qytetarëve socialistë e demokratë, të cilët lavdi Zotit do të vazhdojnë të kenë bindjet e tyre të ndryshme, po kurrë më nuk do ta ndjejnë shtetin në kurriz për shkak të ndryshimit mes bindjeve të tyre.

Arsimi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë ditë më të këqia se këto të keqqeverisjes së Berishës, por këto ditë janë njësoj të këqia për familjet e majta e të djathta, për fëmijët e socialistëve dhe të demokratëve, për çdo shqiptar e shqiptare që si prind, si mësues apo si nxënës, ka lidhje me sistemin e sotëm arsimor. Dialogu me Shqipërinë na ka treguar pa asnjë shkak për dyshim se 700 mijë nxënës e dhjetëra mijëra studentë – numri i saktë i studentëve nuk gjendet në asnjë statistikë të këtij shteti - përjetojnë një tjetër fund-kapitull të hidhur qeverisës.

Duke përqeshur mendimin e botës universitare dheshpërfillur autonominë e saj, duke shqyer dyert e universiteteve dhe duke hapur çdo muaj universitete e fakultete, pa asnjë vizion afatgjatë për shoqërinë e për ekonominë shqiptare, asnjë konstrukt konceptual të gjeografisë së shpërndarjes së fushave të studimit në zona të ndryshme të vendit, asnjë objektiv tjetër përveç shmangies së përballjes me papunësinë në rritje, Berisha - ky frymëzues sharlatan i kaosit dhe çorodisë totale në ekonomi, urbanizim, administrim e shërbime publike - ka vulosur kapitullin më të zymtë të politikës së vjetër 17-vjeçare me universitetin.

Vitin e ardhshëm ne do të marrim në kurriz barrën jashtëzakonisht të rëndë të kthesës historike nga ky drejtim i paditur, ku po e çon arsimin politika e këtij kryeministri që s'ka qeveri dhe të kësaj qeverie që s'ka kryeministër.

Vetëm në kushtet e kësaj mungese alarmante për një vend mund të ndodhë që numri i studentëve të shtohet në përmasa apokaliptike, ndërsa buxheti për universitetet të ulet 29%. Vetëm në kushtet kur ai që duhet të bëjë punën e kryeministrit të vendit merret me punët e shtëpisë së tij dhe kur ata që duhet të qeverisin merren me hallet e shtëpisë së kryeministrit, mund të ndodhë si me Shqipërinë tonë ku mesatarja e atyre që hyjnë në universitet në lëndët me zgjedhje katandiset në 6.3 %, ndërsa në ato pa zgjedhje zbret pa asnjë gajle në 5.5%. Vetëm në kushtet kur qeveriset duke premtuar dhe gënjehet duke qeverisur siç ndodh sot në Shqipëri, mund të arrihet ky nivel marrëzie që është një çudi në botën ku duam të integrohemi. Në botë aksesi në arsimin e lartë vërtitet rreth 50%. Danimarka e paarritshme e mrekullisë së shtetit social shpalli si objektiv të vitit 2025 shifrën 55% - në “Shqipërinë e Sali Berishës“ u kap shifra 98.2%(pa llogaritur mbetësat që nuk mbesin kurrë në demokracinë e llojit të tij).

Ky “liberalizim“ pa asnjë princip, standard e rregull, jo vetëm ka krijuar iluzionin e rremë të arsimimit të lartë 100% të të rinjve, po edhe ka rrafshuar dy vlera themelore për një jetë universitare që zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të tregut të lirë: Konkurrencën si mekanizëm i patjetërsueshëm i zhvillimit e përparimit dhe meritën si vlerë e patjetërsueshme e konkurrencës. Mëson s'mëson, shkon nuk shkon në leksion, thua s'thua gjë kur pyetesh, nuk ka asnjë dallim të përgjithshëm për nesër. Dallimin e përgjithshëm e bëjnë në fund tarafllëku, bakshishi dhe fijet e klientelave politike.

Ndryshimi i këtij realiteti të papranueshëm për çdo familje shqiptare që investon për shkollimin e fëmijëve, duke ëndërruar një punë sa më të mirë për djalin a vajzën dhe jo një diplomë papunësie, është kushti themelor për të siguruar të ardhmen e këtij vendi, si edhe për të fuqizuar ekonominë e familjeve shqiptare.

Për ta realizuar këtë ndryshim ne do të ndryshojmë në rradhë të parë natyrën e qeverisjes së punëve të arsimit, duke punuar qysh të nesërmen e fitores së zgjedhjeve për një koalicion të fuqishëm me trupat pedagogjike dhe me prindërit.

Prindërit shqiptarë bëjnë shpenzime kolosale për të shkolluar fëmijët jashtë për shkak të këtij çorganizimi të organizuar që kemi në sistemin arsimor shqiptar(vetëm në Itali familjet shqiptare derdhin për shkollimin e fëmijëve një sasi parash të barabarta me buxhetin e shtetit shqiptar për arsimin). Ndërkohë që një sasi tjetër jo e vogël derdhet për kurse private, shpeshherë me vetë mësuesit e lëndës, për të marrë dije shtesë për matematikën, fizikën, kiminë, anglishten që bëjnë në shkollë. Këto investime të jashtëzakonshme të familjeve tona flasin jo vetëm për krizën e thellë të sistemit tonë arsimor, po edhe për një përkushtim mbresëlënës të prindërve shqiptarë në funksion të arsimimit të fëmijëve. E pra tek ky përkushtim ne do të kapemi fort për t’i bërë prindërit aleatët strategjikë të qeverisë së re.

Ne do të fitojmë në qershor për ta ndërtuar Europën këtu, në vendin tonë, duke filluar pikërisht nga shkollat dhe nga spitalet tona. Në bashkëpunim me trupat pedagogjike dhe me prindërit ne do t'i japim fund traditës 17-vjeçare të eksperimenteve në kurriz të fëmijëve tanë, të kopjimit të një copëze sistem nga një model e të një copëze tjetër nga një model tjetër, të strategjive të vjetra që hidhen në kosh pa u zbatuar e të të rejave që shkruhen pa lexuar të vjetrat, të pseudoreformave pa bosht që na hallakatin çdo vit, dhe të interesave partiake pa kufi që shkatërrojnë cilësinë e shkollimit.

Kur të tregohet historia e kësaj kohe, ne nuk duhet të jemi fajtorë pse Shqipëria nuk diti të ngrihet e të vrapojë drejt së ardhmes, duke investuar në radhë të parë për shkollimin e fëmijëve të saj, po duhet të jemi ata, të cilët jo vetëm kuptuan nga duhet ta fillonin, po edhe morën të gjitha kostot politike përsipër, duke e nisur aty ku rezultatet e investimit nuk duken të gjitha menjëherë, po ku e ardhmja garantohet si borxh që ua kemi atyre që vijnë pas nesh. Këtë borxh ne e njohim dhe do ta garantojmë pa menduar se si do rizgjidhemi vetë, po se si do fusim në rrugën e zgjidhjes problemet e vendit.

Sali Berisha gjeti në 2005-ën një Shqipëri të kthyer pas në të tatëpjetën e analfabetizmit dhe në 2009-ën do të na dorëzojë një vend më analfabet se në asnjë vit tjetër të kësaj periudhe tranzicioni. 10 për qind analfabetë kemi sipas shifrave zyrtare në Shqipërinë e tij të moshës së internetit, e cila në fakt sot më shumë sesa një kompjuteri i ngjan këpucës së Lulit të Vocërr.

Ka të ngjarë që Sali Berisha e konsideron të kryer detyrimin e qeverisë së tij ndaj fëmijëve të këtij vendi pas vitit të abetares, ndërsa për ne që e duam Shqipërinë si Europa lumin e fëmijëve që braktisin shkollën gjatë viteve të arsimit të detyruar në pamundësi për ta vazhduar atë, nuk e ndan gjë nga analfabetizmi.

Të këqiat në arsimin tonë s’kanë filluar me rikthimin e Sali Berishës në pushtet, por gjatë keqqeverisjes së tij ato janë thelluar e shtuar me të tjera. Ndër të cilat më e turpshmja, faktor i drejtëpërdrejtë në rritjen e analfabetizmit, është jo vetëm shitja e librave të arsimit të detyruar, po edhe rritja e çmimeve të librave e mjeteve shkollore çdo vit, duke ua bërë praktikisht të pamundur blerjen e tyre shumë familjeve të varfëra e në nevojë.

Viti i ardhshëm shkollor do të fillojë me librat e arsimit të detyruar falas deri në fshatin më të largët të Shqipërisë. Pas fitores sonë qershorin e ardhshëm, asnjë fëmijë nuk do të jetë fëmija pa libra në fshatin apo lagjen e tij, dhe asnjë prind nuk do të jetë vetëm e kokulur përballë fëmijës së tij për shkak të pafuqisë ekonomike për të blerë librat.

Ne do të jemi aty, pranë tyre, në emër të Shqipërisë që s’do të lerë më asgjë pa bërë për të rritur fëmijë të ditur e të integruar në botën e dijes. Ashtu siç do të jemi aty, në rrugën e fshatit, për t’i dhënë fund njëshkolonave pikëlluese të vocërrakëve që bëjnë orë të tëra në këmbë, në dëborë a nën shi, për të mbërritur derën e klasës kolektive e pastaj për t’u kthyer përsëri në shtëpi të rraskapitur.

Do të jemi aty me mjetin e transportit që do t’i çojë e marrë nga shkolla. Do të jemi aty, kudo ku ka fëmijë që duhen çuar në shkollë e arsimuar si duhet. Do të ndërtojmë çerdhe, kopshte e shkolla të reja sipas një harte investimesh të integruara, brenda një plani që do të garantojë aksesin në shkollë të çdo fëmije dhe kushte normale shkollimi nga qendra në periferitë e Shqipërisë.

Kur u kërkoi votat shqiptarëve, kryeministri që gënjen për të njëjtën arsye që ne të tjerët marrim frymë, u premtoi se 45% të shkollave të ciklit të mesëm do t’i kthente në shkolla profesionale. Vetëm 14% janë të tilla sot po të nisemi nga emri, sepse efektivisht janë shumë më pak, për të mos thënë aspak me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, ndërkohë që kjo qeveri injorante raporton një shifër 23% duke përfshirë në llogaritje edhe shkollat artistike madje edhe gjuhët e huaja (!).

Si mund ta mundim ne varfërinë e papunësinë pa u dhënë njerëzve asnjë zanat, po veç diploma që janë zhvleftësuar krejt për shkak të një sistemi që thith energji, kohë e kursime nga familjet shqiptare dhe superprodhon të papunë?! Si mund ta mundim ne varfërinë e papunësinë pa ndërtuar një sistem arsimor, që reflekton kohën e re ekonomike dhe nevojat e tregut të punës duke orientuar një pjesë të konsiderueshme të burimeve të veta njerëzore drejt formimit profesional?! Si mund ta nxjerrim fshatin nga kthetrat e varfërisë e të papunësisë pa nxitur e krijuar kushte për formimin profesional bujqësor, pa të cilin rezervat e dikurshme të dijes janë vjetëruar e po shterren me shpejtësi?! Si mund të kemi ne në qytet më shumë shanse për ta zmbrapsur varfërinë e papunësinë kur, në një sektor kaq dinamik të tregut të punës sa ç’është ndërtimi, ka kohë që merren ustallarë nga jashtë vendit sepse krahu ynë i punës në ndërtim s’ka kaluar asnjë lloj kualifikimi profesional?!

Këto pikëpyetje e shumë të tjera do të marrin përgjigjen e duhur në programin tonë të ri qeverisës dhe do të gjejnë me rradhë rrugën e zgjidhjes në realitetin që ne do të krijojmë në Shqipërinë e pas qershorit 2009.

Arsimimi është fuqia më e madhe çliruese e energjive të njeriut dhe forca më e jashtëzakonshme e progresit social, garanci e pakonkurrueshme për mirëqenien kombëtare. Eshtë koha që t’i drejtohemi kësaj fuqie të madhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga varfëria, papunësia, injoranca, korrupsioni, dhuna.

Kjo fuqi ka nevojë për një bashkim të madh forcash njerëzore, energjish intelektuale, burimesh shpirtërore dhe sigurisht edhe për një dozë të posaçme altruizmi për të bërë për arsimimin e njerëzve tanë atë që çdo familje shqiptare bën për fëmijët e saj, duke kursyer gjithshka duhet, për shkollimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›