E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sikur Withers të ishte President i Shqipërisë!?

Agim Neza Pas botimit të një shkrimi tim në gazetën “Panorama” për “Presidentin Topi dhe krizën politike”, një miku im tirons safi, deputet dhe mik i Presidentit Topi më thoshte: “Po ç’ke o Gim me Topin? Ai është burrë i mirë!”. Me sinqeritet dhe dashamirësi (pavarësisht se e di se z.Topi mban inat të madh me mua për shkrimet kritike) iu përgjigja mikut të përbashkët se arsyeja që shkruaj për Presidentin e Republikës të vendit tim është se: “Dëshiroj që Presidenti Topi të jetë burrë shteti dhe jo President honorifik!”. Këtë radhë indice për të shkruar përsëri për Presidentin Topi u bë intervista e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, shkëlqesisë së tij zotit Withers dhënë për median shqiptare për situatën aktuale në vendin tonë. Arsyeja për këtë shkrim sipas gjykimit tim, bazuar në intervistën e Ambasadorit amerikan duket se më shumë është i angazhuar për të zgjidhur çështjet shqiptare Ambasadori Withers se sa Presidenti Topi.Lexuesi, natyrshëm kërkon argumentin pse unë mendoj kështu? Ambasadori Amerikan Withers thotë: “Unë mendoj se ne amerikanët jemi shumë të shqetësuar për situatën politike në Shqipëri.” Presidenti Topi vazhdon të japë përgjigjen e tij standarde: “Do të vazhdoj të luaj rolin si garant i Kushtetutës dhe i ligjit!” A është i shqetësuar zoti Topi, a është i angazhuar Ai për ndonjë zgjidhje, këtë nuk e kemi dëgjuar akoma nga goja e tij?! Madje, nuk e dëgjuam as në intervistën e tij të fundit në “Opinion”, ku kishte improvizuar një studio në krye të shkallëve të Pallatit të Brigadave! Shkëlqesia e tij zoti Withers thotë: “Ne i bëjmë thirrje lidershipit politik të të dyja palëve të lënë mënjanë këtë sjellje të ndezur dhe të kërkojnë për mënyra për të folur më njëri tjetrin”. Më tej, Ambasadori amerikan i pyetur nëse a do të ndërhyjë faktori ndërkombëtar, që politikanët shqiptar të komunikojnë me njëri-tjetrin, Ai përgjigjet: “Jo kjo është një pyetje për shqiptarët, kjo u takon shqiptarëve që ta zgjidhin midis tyre”. Diplomatët e huaj thonë gjithashtu se: “Ngërçi politik rrezikon biletën për BE” dhe ajo që është më e keqja (mendimi im) “heqjen e vizave për shqiptarët.” Ndërsa Presidenti ynë Topi në përgjigjen e tij ngjason më shumë me një Ambasador të huaj se sa President i vendit kur thotë se: “... çështja qëndron tek vullneti politik i partive...” , pra zoti Topi kërkon ta thërrasin dy krerët e partive Berisha dhe Rama e t’i thonë “...Aman ndërhy se ti je shpëtimtari ynë?!”. Me të drejtë ish-presidenti Meidani thekson: “Nuk më pëlqen të mbaj një pozicion që në një mënyrë apo në një tjetër lidhet sot me detyrën e Presidentit, por institucioni si një institucion i unitetit të popullit e ka për detyrë të shmangë çdo lloj krize potenciale dhe të mos lejojë që ajo të kthehet në një krizë reale...”. Pra jo vetëm ambasadorët e huaj, politikanët, analistët, por edhe ish-presidenti Meidani që e njeh mirë Kushtetutën dhe ligjet, që i ka përzemër t’i përdorë në çdo intervistë zoti Topi, indirekt Ai po i tregon Presidentit Topi se si duhet të jetë një burrë shteti.Ambasadori Withers thekson: “Ne, si qeveri, i pranuam rezultatet e atyre zgjedhjeve të certifikuara nga ODIHR...” Ndërsa Presidenti Topi akoma nuk ka folur drejtpërdrejt për procesin e zgjedhjeve, a mund t’i hapin kutitë e votimit Berisha me Ramën, a kanë të drejtë ligjore ata për të hapur kutitë? A ka alternativë ligjore për të hapur kutitë dhe pse nuk mund të hapen? A ishte i drejtë vendimi i Kolegjit Zgjedhor? Ambasadori Withers thotë: “Në Shqipëri ka familje të varfra, nëna dhe fëmijë që nuk kanë me çfarë të ushqehen apo që jetojnë në kushte të tmerrshme. Sistemi shëndetësor ka nevojë për reformim. Ka njerëz që u mungon uji apo dritat!”Ndërsa Presidenti hesht. Për hir të vërtetës më shumë ka folur për varfërinë dhe sistemin shëndetësor bashkëshortja e tij znj. Teuta Topi sesa vetë Presidenti. Madje, këto ditë shikojmë që po rritet çmimi i energjisë elektrike rreth 13% dhe Presidenti nuk e thotë një fjalë të paktën “t’i ngrohë” me fjalën e mirë pensionistët dhe familjet nën nivelin e jetesës që duhet të lenë rrogën e tyre vetëm për pagesën e dritave! Presidenti Topi përsëri mund të thotë edhe për këtë çështje se Ai i referohet Kushtetutës dhe ligjit kur flet, që nënkupton se nuk mund të flasë! Ambasadori amerikan, Shkëlqesia e tij z. Withers thotë se: “Jemi të gatshëm për të këshilluar, por ky është problem shqiptar..” Më tej Ambasadori sugjeron që politikanët të “mblidhen” si në Kuvendin e Lezhës.!Po kush t’i mbledhë?! Forcën si President, Topi duket se e ka vetëm në firmosjen e dekreteve për gjyqtarët, prokurorët dhe dekorimeve. Kjo duket se është e gjitha për Presidentin Topi! Të gjithë e vumë re se Presidenti Topi nuk pati “guximin” të përcjellë tek shqiptarët se cila është data e çlirimit! Meqenëse zoti Topi e ka përzemër Kushtetutën dhe ligjin, ai e di shumë mirë se me ligj data 29 nëntor është dita e çlirimit, por as nuk e respekton dhe as nuk propozon që të ndryshohet?!  çfarë t’i themi Ambasadorit Amerikan, i cili i kujton klasës tonë politike Kuvendin e Lezhës, kur fatkeqësisht ne shqiptarët ndryshe nga çdo komb në botë, jemi të ndarë për datën e çlirimit të vendit?! Gjysma e politikanëve shkojnë në varrezat e dëshmorëve me datën 28 nëntor, gjysma tjetër me datën 29 nëntor!! Ambasadori Amerikan thotë: “Lufta kundër Korrupsionit të bëhet realitet dhe jo thjesht në retorikë... Vazhdoj të besoj që ka masa të cilat mund të ndërmerren, përfshi edhe eliminimin e imunitetit. Lufta ndaj korrupsionit duhet të zhvillohet në arenën e ligjit dhe jo të politikës” Ndërsa Presidentin Topi nuk e kemi dëgjuar të thotë një fjalë për heqjen e imunitetit, as të politikanëve as të gjyqtarëve e as të prokurorëve. Besoj se zoti Topi e kupton mesazhin e Ambasadorit amerikan zotit Withers se “lufta ndaj korrupsionit duhet të zhvillohet në arenën e ligjit”. Kjo edhe për faktin se Presidenti Topi është edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mund të marr informacion nga Shërbimi Informativ në çdo moment, jo vetëm emëron dhe shkarkon prokurorë, por ka të drejtë ligjore të dijë se si punojnë ata, pra Ai është pjesë e “arenës së ligjit”, por gjer tani për fat të keq kemi dëgjuar nga Presidenti vetëm slogane të përgjithshme. Presidenti dhe Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duket se është më shumë i “shqetësuar” për emërimet e gjyqtarëve se sa të jap zgjidhje dhe të marrë masa konkrete që drejtësia shqiptare të krijojë besimin tek publiku. Veprimtaria e tij si President të duket “as mish as peshk”. Për të qenë më konkret; Ligjin e Lustracionit (“Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë”) as nuk e ktheu mbrapsht as nuk e firmosi!. Nuk ka folur asnjë fjalë për debatin e nxehtë mbi kufirin detar, mjaftohet duke thënë se: “ka besim te Gjykata Kushtetuese”!. Në fakt këtë thotë gjithmonë se ka besim te gjykatat, por kur ato japin vendime që kritikohen nga qytetarët dhe faktori ndërkombëtar, atëherë Presidenti ynë “turret me shpejtësi tek “Libri i Bardhë” i Kreshniku të KLD-së” për të bërë një mbledhje për mediat me pamjen e tij “serioze” për të krijuar idenë tek opinioni publik se ka halle të mëdha dhe është shumë i shqetësuar për drejtësinë shqiptare!. Do jetë ditë e shënuar ajo ditë që do dëgjojmë Presidentin e Republikës të përmend emrin e një gjyqtari apo prokurori të korruptuar, ashtu siç duhet të vlerësojë ata gjyqtarë e prokurorë  me aftësi profesionale e të pakorruptuar në veçanti për çështje delikate që janë të ndjeshme për opinionin publik. Presidenti i Republikës bën mirë që lavdëron Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive, por pse nuk thotë asnjë fjalë se kush e ka fajin pse janë pushuar 5 kallëzimet që ka bërë ky Inspektorat! A janë kallëzime të paligjshme apo Gjykata dhe Prokuroria kanë marrë vendime të gabuara? Besoj se kjo çështje është brenda juridiksionit të Presidentit për t’u shprehur! Sipas mendimit tim, Drejtësia dhe një elitë politike që e don vendin e vet janë baza për prosperitetin e shoqërisë të një vendi. Unë akoma besoj se Presidenti Topi e don vendin e vet, por duhet të na bind se është i aftë të bëjë drejtësi dhe se i ka mundësitë të bëhet burrë shteti. Deklaratat e Ambasadorit Amerikan duhen “përkthyer” si mesazhe për zgjidhjen e krizës sa më shpejt. Gjithashtu demokracia Amerikane me eksperiencën e saj thekson se: “Në fund të fundit, zgjedhjet demokratike nuk janë luftë për ekzistencë, por garë për t’i shërbyer shoqërisë sa më mirë”. Përfundimisht, Presidenti i Republikës Topi duhet të na mbush mendjen se jo vetëm që i din dhe i ka të qarta ato këshilla që thotë Ambasadori Amerikan, Shkëlqesia e tij zoti Withers nëpërmjet medias, por duhet të na bindë me veprimet e tij se një ambasador i një vendi të huaj (sado dashamirës që të jetë) nuk mund të dijë dhe të bëjë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët se sa një President shqiptar! Përndryshe, të gjithë shqiptarët do të thonë: “Sa mirë do të ishte sikur Ambasadori amerikan të ishte President i Shqipërisë!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›