E Shtunë, 31 Tetor 2026

Decentralizimi i pushtetit vendor dhe totalitarizmi

Sybi Hida* Paszgjedhjet e 28 qershorit po zbulojnë paprerë, përditë,  natyrën totalitariste me të cilën Partia Socialiste e mbetur në opozitë po kërkon të arrijë qëllimet e saj. Pas hartimit të tetë kushteve për t’u futur në Parlament, pastaj të reduktimit të tyre në katër, pas reduktimit të fundit në një, - atë të hapjes së kutive- një tjetër përmasë në sjelljen totalitariste të saj është  medemek marrja e kompetencave pushtetit vendor nga Qeveria. Kishte nisur me “unë jam i pari dhe i fundit”, me “unë jam fillimi dhe më parë s’ka pasur” dhe tashmë nuk është e vështirë të dallohet feksja e një vizioni apokaliptik për vendin në ngjeshjen e zërit mbi hapjen e kutive ose largimin e kryeministrit, rrëzimin e Qeverisë. Paralelizmat me 1997-ën kanë qenë një tagji e pandërprerë për socialistët dhe për gazetarët  në mënyrë që tensioni të mos ndalet. Fillimisht është kërkuar të zgjohet vrulli revolucionar duke radikalizuar qëndrimin për ç’do sjellje, duke sulmuar qeverinë dhe kryeministrin së bashku me familjen e tij. ç’do gjë që ecën, ngjet apo dremit në Tiranë duhet kundërshtuar me forcë dhe prandaj energjia, uji, kutitë, marrëveshja me Greqinë, buxheti, të ardhurat, plehrat dhe decentralizmi më së fundi janë rrafshi ku mbahet debati dhe ku duhet të ngjizet urrejtja që të kthehet në vrull evolucionar.  Utopia është një tjetër gjë që duhet ushqyer në një totalitarizëm. Dhe ja: do futemi në BE pas 7 ditësh nga rrëzimi i qeverisë dhe një botë e re do nisë të shkallmojë këtë të sotmen. Grushti i jonë thonë ata (Rama) do të thyejë brinjët e korrupsionit dhe çmimet nuk do të rriten, papunësia do të zhduket, ekonomia do të lulëzojë, drejtësia do të triumfojë etj. Antihumanizmi. është e qartë se opozita e sotme vetëm njeriun nuk e ka pasur ndonjëherë gjë të rëndësishme dhe po e tregon këtë. Nuk ka nevojë të risjellim në vëmendje mënyrën se si ajo u tall me disa në grevë urie kohë më herët, apo se si protestoi për një aksident si një vdekje shtetërore, apo se si përdor çdo të gjorë të vrarë apo vdekur në Shqipëri edhe për reklama fushate. Ajo i detyron punonjësit të shkojnë të mbushin thasë me plehra dhe t’i bartin ato para Kryeministrisë, më antihumanizëm nuk ka. Në një miting të sajin opozita e sotme tha që do ishte mirë që tuneli i Kalimashit të kishte zënë brenda kryeministrin. Veç gjithë këtyre antihumanizmi i saj është pikësëpari tek fakti që kërkon të ndalë zhvillimet, të pengojë procesin e liberalizmit të vizave, të nxisë kaos dhe të stimulojë krizë ekonomike duke folur pa arsye. Një tjetër problem me totalitarizmin është madhështia dhe opozita dhe sidomos kryetari Rama sot shfaqin qartë se vuajnë nga kjo. Ata mendojë se do të rrëzojnë ç’t’iu dalë para, se qeveria ose do ikë ose do hapë kutitë, se ata janë shkëmb e gur dhe do të thërrmojnë çdo kundërshtar, ata dinë gjithçka, kanë aftësi të bëjnë gjithçka, do bëjnë rrethim demokratik, populli do vijë mijëra tek ata dhe ata si liderë farfuritës do ta çojnë atë në një botë re.  Tipar tjetër i totalitarizmit është intoleranca dhe kjo vihet re jo tek kërkesat e paligjshme dhe skandaloze, por edhe tek mospërfillja e autoriteteve shtetërore evropiane. Rama tha pas takimit me ministrin francez Lelouche, një figurë shumë e rëndësishme në Francë dhe botë, nxënës i Raymond Aron-it, se takimi me të pati interes intelektual në një kohë që ai tha të njihen zgjedhjet dhe të lihet tej bojkoti.  E fundit që dua të them është se totalitarizmi dallohet edhe për moskokëçarjen ndaj të vërtetës, ndaj fakteve dhe Rama dhe Partia Socialiste as që iu referohen ndonjëherë. Ata kanë në kokë shifrat e tyre, botën e tyre, të vërtetën e tyre të rrejshme. Nuk ka rëndësi raporti i FMN-së, i BB-së, raporti i ODIHR-it, fjala e Olli Rehnit, e asamblesë së OSBE-së, e ministrit të Shtetit francez, e vëzhguesve vendorë, nuk ka rëndësi shifra në buxhet, as ajo në raportin e statistikave të BE-së. Në lidhje me zhurmën e çelur së fundi nga opozita për rrëmbimin e kompetencave nga qeveria të pushtetit vendor dua të paraqes disa detaje, duke qenë se tashmë Rama totalitarizmin e tij po e hullizon vetëm në këtë drejtim edhe për shkak të pamundësisë për të bërë një gjë  tjetër. Treguesit e buxhetit të vitit 2009 flasin për një rritje prej 50 për qind të transfertës së pakushtëzuar krahasuar me nivelin e vitit 2005, pavarësisht përdorimit të tyre. Rritja e transfertës së pakushtëzuar që ka përfituar pushteti vendor gjatë këtyre viteve ka shkuar pothuajse për shpenzime pagash e shpenzime operative dhe jo për investime. Pra, ky buxhet i shtuar më shumë ka ndihmuar në punësimin e disa njerëzve, dhe jo në rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Prandaj është për t’u përshëndetur që, në buxhetin e vitit 2010, është parashikuar një ulje e transfertës së pakushtëzuar dhe rritje e transfertës që shkon për investime publike. Në mitingun rrethues para kryeministrisë, opozita shpalli si premtim se nuk do të largojë asnjë të punësuar vitin e ardhshëm. Premtimi duket joshës, por filozofia që institucionet shtetërore janë për të punësuar qytetarët ka dështuar botërisht, pavarësisht se në Shqipëri zgjati deri në fund të vitit 1990. Zbatimi i një politike ku paratë e taksapaguesve shkojnë për disa të punësuar dhe jo për shërbime ndaj qytetarëve është e papranueshme dhe në kundërshtim me strategjinë e integrimit të vendit tonë dhe, si e tillë, nuk duhet mbështetur. Vetëm nëpërmjet rritjes së investimeve në ekonomi mund të mbështesim zhvillimin e qëndrueshëm. Pretendimi tjetër që ulja e kufirit minimal të regjistrimit në biznes që paguan TVSH nga 8 milionë lekë në 5 milionë lekë do të ndikojë negativisht biznesin, është plotësisht i pakuptimtë. Ulja e kufirit minimal ndihmon dhe lehtëson aktivitetin e bizneseve, pasi rritet numri i subjekteve që lëshojnë faturë me TVSH. Dhe, duke qenë se TVSH është një tatim zinxhir, ku niveli i TVSH që paguhet në buxhet është diferenca e TVSH mbi vlerën e mallit minus TVSH e kreditueshme, ulja e kufirit ndihmon bizneset që paguajnë TVSH dhe rrit mundësitë për më shumë biznes. Përfshirja e një numri të bizneseve në skemën e TVSH vetëm përmirëson konkurrencën dhe nuk cenon aspak autonominë e pushtetit vendor. Në vendet e rajonit, kufiri minimal i regjistrimit në biznes që paguan TVSH është dukshëm poshtë nivelit të vendit tonë: Maqedonia përdor një nivel xhiroje prej 20,000 euro (2.8 milionë lekë), Mali Zi 18,000 euro, Bullgaria 25,000 euro, Rumania 35,000 Euro, dhe Kroacia  11,500 euro. Në fakt, edhe ligji i TVSH përcakton se kufiri minimal është objekt i ndryshimeve, pasi ai i ka lënë kompetencë Këshillit të Ministrave ta ndryshojë atë. Pavarësisht dy pretendimeve të mësipërme, më alarmante është dëshira që kanë disa njësi të pushtetit vendor për të rritur nivelin e taksave dhe tarifave ndaj biznesit e qytetarëve, siç duket me dëshirën për të rritur numrin e të punësuarve dhe të makinave. Kjo politikë është e papranueshme, pasi, së pari, krijon konfuzion në lidhje me barrën e taksës në vend dhe, së dyti, bie në kundërshtim me politikën e taksave të ulëta. Një biznesmen e ka të pamundur të parashikojë nivelin e tatimeve që mund të paguajë periudhën tjetër, kur ato mund të ndryshojnë sa herë që mblidhet këshilli bashkiak/komunal. Dhe, nga ana tjetër, në qoftë se do të mbahej një barrë e lartë taksash ndaj biznesit, këtë mund ta bëjë vetë qeverisja qendrore, por ajo ka zgjedhur një politikë me taksa të ulëta dhe kjo politikë nuk duhet cenuar, pasi është mbi interesin lokal. Megjithatë, Edvin Ramës nuk i intereson se sa është niveli i transfertës së pakushtëzuar, as i transfertës së kushtëzuar apo i nivelit të taksës, siç duket se nuk i interesojnë 20 mijë firmat e zgjedhjeve të 28 qershorit. Totalitarizmi nuk ka interes për këto.*Deputet i PD

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›