Makinat e zyrtarëve do shiten me 50% të çmimit
Qeveria ka vendosur të shesë të gjithë makinat nën pronësi të administratës. Pas miratimit të vendimit për heqjen e makinave për zyrtarët, dje u mor vendimi për shitjen me ankand të automjeteve. Gazeta zbardh të plota kushtet e ankandit, që duket se do të kenë një ndërhyrje të fortë në çmimet e tregut. Sipas vendimit, çmimi i shitjes së makinave do të përcaktohet nga doganat dhe ankandi do të hapet me 50 për qind të vlerës. Këto të fundit do i referohen çmimit të importit të makinave të përdorura që vijnë nga jashtë. Sipas vendimit, titullarët e institucioneve duhet që të miratojnë listën me makinat e dikasterit të tyre që do të dalin në ankand. Kjo listë, do të shoqërohet bashkë me të dhënat për tipin e makinës, vitin e prodhimit. “Lista e mjeteve të transportit, që do të shiten, i dërgohet nga autoriteti shitës, zyrës doganore më të afërt, e cila, brenda pesë ditëve kalendarike, përgjigjet zyrtarisht, për vlerën, që rezulton për secilin automjet, nga tabelat e buletineve, që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet evropiane”, theksohet në vendimin e djeshëm të Qeverisë. Që në këtë moment, makinat që do shiten nga qeveria do të përbëjnë një konkurrencë të fortë me makinat e përdorura që shiten rëndom në tregjet e vendit, të cilat krahas çmimit të blerjes në tregjet ndërkombëtare, do të duhet t’i shtojnë edhe vlerën e doganës. Por kjo nuk është e vetmja ndërhyrje në treg. Makinat që do të shiten nga qeveria, do të kenë edhe një skonto tjetër prej 50 për qind. “Vlerës së gjendur në tabelë, i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Pra, vendimi i Qeverisë ka paracaktuar edhe vlerën e amortizimit të përdorimit të makinave. Në fakt, të parët që do të përfitojnë nga ky ankand janë vetë zyrtarët që i kanë përdorur makinat. Në pikën e parablerjes, vendimi sanksionon komisionet se të parët që di ofrohet makina me çmim fiks, janë zyrtarët që i kanë pasur në përdorim këto makina. Këta të fundit përfitojnë edhe pagesa me këste për makinat e shtrenjta. “Për vlera më të mëdha se 1 milion lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se 500 mijë lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej 1 milionë lekësh”. Këtu bëhet fjalë për makinat e tipit të fundit, të blera gjatë këtij viti, apo vitit të kaluar, vlera e të cilave, edhe me skontimin e amortizimit, prej 50 për qind është disa milionë lekëshe. Sidoqoftë, qytetarët që do blejnë makinat, mund të përbëjnë një agjent të fortë në tregun vendas. Pas blerjes së mjetit, ata janë konkurrentë në çmim, pasi skontohet me 50 për qind. Por vendimi parashikon edhe ankandin e hapur për publikun. Ky ankand zhvillohet në rastet kur makinat që do shesë institucioni nuk kanë qenë të titullarëve apo drejtorëve, apo këta të fundit kanë refuzuar të drejtën e parablerjes. “Ofertat dorëzohen me shkrim, dorazi ose përmes postës, të nënshkruara dhe të mbyllura në zarf. Komisioni i ankandit, sipas kërkesës, pajis ofertuesit me një dëshmi, ku shënohen data dhe ora e pranimit të ofertës.” Sipas vendimit në rastet kur ka dy oferta të njëjta, atëherë fituesi i ankandit, do të shpallet me short.