E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtaraku, emblemë e shtetit

Halil Katana* Oficerët dhe në përgjithësi ushtarakët gëzojnë një status të veçantë në të gjitha shtetet e botës jo vetëm ligjor, por edhe moral Ata respektohen në mënyrë të veçantë nga shoqëria, për vet specifikën e misionit që kanë dhe detyrat që kryejnë. Ky mision është mbrojtja e Atdheut dhe sovranitetit kombëtar.  Për të plotësuar këtë mision të shenjtë, ushtarakut i besohet arma, që është mjeti më autoritar dhe i kërkohet të bëjë një betim solemn para flamurit, duke shprehur gatishmërinë për të dhënë edhe jetën, kur e kërkon kjo detyrë. Vetëm ushtarakut i kërkohet kjo sakrificë sublime. Ai, kur niset në detyrë, shkon drejt rrezikut me vetëdije se mund të vritet dhe t’i kthehet familjes në arkivol. Kështu ka ndodhur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, gjatë provokacioneve në kufi, gjatë kryerjes së detyrave të mbrojtjes, por edhe sot me ushtarakët tanë që shkojnë në Irak, në Afganistan e gjetkë, atje ku e kërkojnë interesat e Shqipërisë në kuadrin e NATO-s. Populli i njeh këto sakrifica, prandaj i respekton ushtarakët dhe nuk kursehet për ta.Ushtaraku është emblemë e shtetit, është pasqyrë e tij. Ai pajiset me uniformë, që nga kapelja e deri te këpucët, në të cilën vendosen simbolet kombëtare, për ta paraqitur atë në mënyrë sa më dinjitoze. Që kur është ndarë bota në shtete e deri më sot, shtetet kanë krijuar e mbajtur ushtritë për një ditë, për atë ditë kur Atdheu vihet në rrezik.Por tek ne, në këto vite të tranzicionit, politikanët në pushtet, të djathtë apo të majtë, nuk i kanë vlerësuar ushtarakët, për të mos thënë se i kanë përbuzur ata.Në vitin ’91 u hartua statusi i ushtarakut me konsensus, por nuk u hartua ligji për sigurimet shoqërore, që do të bënte të mundur të zbatohej ky status. Me ardhjen në pushtet të PD, oficerët u nxorën në lirim dhe u shpërblyen jo sipas statusit, por sipas vendimeve të qeverisë së asaj kohe. Oficerët u nxorën në rrugë dhe u lanë në mëshirë të fatit. Me ardhjen në pushtet të forcave të majta, në vitin ’97, u rivendos njëfarë pensioni i parakohshëm, kurse për ushtarakët në pension u njoh një suplement mbi pensionin bazë, por jo sipas statusit të caktuar me ligj. Dhe për 8 vjet me radhë ushtarakët vazhduan kërkesat, por pa sukses. Vetëm në fund të mandatit të dytë, në prag të zgjedhje e për qëllime elektorale, u hartua një ligj që përafrohej me statusin, por as ky nuk u vu në zbatim. Me zgjedhjet e 2005-ës rierdhi në pushtet PD-ja, e cila nuk e njohu fare ligjin e votuar, edhe prej saj në maj të 2005-ës. Ushtarakët vazhduan kërkesat e tyre, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila i quajti ato të drejta. Por qeveria nuk e mori në konsideratë as vendimin e e kësaj gjykate, as protestat e zhvilluara në Tiranë e në rrethet e vendit.Arsyet padrejtësisht janë të karakterit politik. Politikanët në pushtet, jo pse nuk e njohin misionin e oficerëve dhe sakrificat e punës së tyre, por i kanë paragjykuar ata politikisht. Dhe sipas këtij paragjykimi i kanë ndarë në klasa, sipas kohës së daljes në pension. Më të goditur janë ata që kanë dalë deri në vitin 1994. Një kategori tjetër janë ata që kanë dalë deri në vitin 1997 dhe më të privilegjuar janë ata që kanë dalë vitet e fundit. Një nënoficer, që del sot në lirim, merr një pension më të madh se një komandant Divizioni, që ka dalë në lirim në vitin ’92.Oficerët e ushtrisë, me vendosjen e pluralizmit politik, e kuptuan shumë mirë detyrën e tyre në kushtet e sistemit demokratik. Ata u distancuan nga partitë politike dhe nuk pranuan të bëhen vegla të tyre. Në situata tepër të tensionuara të vitit 1991-1992, ata mbrojtën ushtrinë, armatimet dhe nuk i kthyen armët kundër popullit, për të mbrojtur pushtetin e Partisë së Punës. Opozita e asaj kohe e pati falenderuar Ushtrinë dhe oficerët e saj për qëndrimin neutral ndaj proceseve demokratike. Por nuk e paskësh pasur seriozisht, sepse sapo erdhi në pushtet mbajti qëndrim tjetër ndaj tyre. Pushtetarët, ndonëse me origjinë komuniste, u bënë shprehës të së djathtës ekstreme, e cila i urrente oficerët, duke i konsideruar ata si “oficerë të Enverit” dhe që duheshin ndëshkuar si të tillë. Aq më tepër inati ndaj oficerëve u shtua në ngjarjet e marsit ’97, kur pjesa dërmuese e tyre nuk pranoi të bëhej vegël e partisë në pushtet, për të mbajtur pushtetin me forcën e armëve. Dhe ky inat vazhdon edhe sot. Në kushte të tilla ka lindur domosdoshmëria, që oficerët të riorganizohen më mirë, sepse të parcelizuar siç janë në disa shoqata, nuk mund t’i elaborojnë dhe t’i realizojnë kërkesat e tyre. Për këtë qëllim, kohët e fundit u krijua “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, e cila në programin e saj ka unifikimin e qëndrimeve të të gjitha shoqatave të ushtarakëve të krijuara deri tani. Ajo nuk synon të suprimojë asnjë nga këto shoqata dhe as të spostojë ndonjërën prej tyre. Ajo kërkon vetëm bashkim e bashkëpunim në frymën e mirëkuptimit sa më të gjerë, në mënyrë që kërkesat të jenë sa më të pjekura, të unifikuara e të vendosura. Deri tani me Aleancën janë bashkuar shoqatat: e FLD-së, Aviacionit, Xhenios, Zbulimit, Kimisë, “Skëndërbegasi”, Ndërlidhjes, Topografisë, Autotraktorëve, Tankeve, ...Aleanca është e distancuar nga partitë politike. Pavarësisht se ajo parashtron një seri kërkesash ndaj qeverisë, nuk e shikon veten si opozitë ndaj saj. Përkundrazi dëshiron të jetë një partnere, kur është çështja e sigurisë kombëtare dhe e mbrojtjes së vendit dhe një oponencë profesionale dhe e ndershme jo vetëm për ushtarakët e liruar, por edhe për ata në detyrë, si dhe për probleme të tjera të sferës ushtarake. Si në të gjitha vendet e NATO-s ku jemi anëtarësuar, Aleanca jonë dëshiron të jetë pranë Forcave të Armatosura, si rezervë e tyre. Ne, ushtarakët që sot jemi në lirim a pension, jemi të lidhur me ushtrinë me mish e me shpirt, sepse gjithë jetën ia kemi kushtuar asaj. Ata që drejtojnë sot ushtrinë kanë qenë studentët tanë, vartësit tanë, të cilëve u kemi dhënë mësimin dhe përvojën, të frymëzuar nga një idealizëm atdhetar e dashuri atërore.Kërkesat tona janë të ligjshme. Nuk kërkojmë lëmoshë, por vlerësimin që na takon me ligj, si në aspektin moral dhe financiar, si dhe trajtimi shëndetësor. Ne nuk jemi aspak xhelozë ndaj favorizimeve, që u bën qeveria kategorive të ndryshme shoqërore. Kërkojmë të vihet në vend dinjiteti ynë dhe zbatimi i statusit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. *Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›