E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan dorëzon pyetësorin: Të zgjidhet ngërçi politik

 BLEDAR HOTIKomisioni Evropian i dorëzon zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha pyetësorin për të vlerësuar aplikimin e kërkesës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Shefi i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, i dorëzoi dje kreut të qeverisë shqiptare dokumentin të përbërë nga 2,280 pyetje të shënuara në 384 faqe. Së bashku me dokumentin voluminoz, Lohan i ka vënë dhe si kusht nisjen e dialogut politik mes PD-PS, si pjesë kyçe e realizimit të reformave. “Ecuria apo progresi i mëtejshëm drejt BE kërkon reforma të mëtejshme, reforma të vështira. Në procesin e integrimit në BE këto reforma të vështira duhet të bazohen në konsensusin më të gjerë të mundshëm. Për këtë arsye, ne e themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të çështjeve të Përgjithshme: BE u bën thirrje të gjithë partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament”, deklaroi Lohan. Në konferencën për shtyp, kryeministri Berisha është prezantuar me tone të buta në adresë të opozitës. “Unë shfrytëzoj këtë rast për të ftuar kryetarin e PS-së që së bashku ta përshëndesim në një konferencë shtypi këtë moment historik për të gjithë shqiptarët, si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të forcave politike për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në BE. E siguroj se qeveria mbetet shumë e hapur për të dëgjuar zërin e opozitës, ekspertëve të saj në të gjithë problematikën e madhe që trajton pyetësori”, tha Berisha. Ndërsa Lohan, pas qëndrimit të mbajtur nga lideri i maxhorancës i Ekzekutivit, u shpreh se “unë e mbajta shënim thirrjen që u bë nga Kryeministri për të hapur këtë dialog”. “Ne, KE-ja, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksoi Lohan.PyetësoriGjatë dorëzimit të këtij dokumenti, Lohan u shpreh se “pyetjet kanë të bëjnë me të gjithë segmentet e kuadrit ligjor evropian dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE. Pyetësori i jep rëndësi të veçantë kritereve politike. Mirëqeverisja, shteti i së drejtës, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, liria e medias – këto janë çështjet kyçe, të cilat do të formojnë thelbin e vlerësimit tonë”. Kryeministri Berisha e cilësoi dokumentin si kartolina historike që BE-ja u solli shqiptarëve për festat e mëdha të fundvitit. Lohan shtoi se “KE do t’i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen. Po ashtu, KE do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë pikërisht në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›