Vendimmarrja përballë zgjidhjes së radhës
Çdo shoqëri paraqet specifikat e saj historike dhe të zhvillimit. Për këtë kur përdorim termin kontekstual, duam të theksojmë pikërisht ato karakteristika të situatës, momentit historik dhe stadit të zhvillimit që ka çdo shoqëri, e themi duhet kontekstualizuar.
Në përvijimet analitike të periudhës postmoderne e më pas globaliste, ishin të shumtë ata autorë, analistë politikë e ekonomikë, që u përfshinë në betejën e madhe të argumentimit, sipas së cilës tashmë kish ardhur epoka e administratorëve të mëdhenj dhe se ajo e liderëve të mëdhenj po hijezohej. Madje, u shkua deri aty sa perceptohej që shoqëritë perëndimore në një në mënyrë të kontekstualizuar e perceptonin liderin si një çështje të dalë jashtë mode për etapën e avancuar të zhvillimit të një bote globale. Një etapë, e cila vendimmarrjen e përcakton shumë më tepër si një aftësi negociatore e ndërvarur nga interesa dhe kalkulime të benefitit. U duk sikur roli i liderit, që përfshinte vizionin, misionin apo edhe vlera të rëndësishme kombëtare dhe të njerëzimit, kish dalë nga skenari.
Një pjesë e mirë e shoqërive të rajonit ballkanik dhe jo vetëm, të analizuara nga ky filtër i zhvillimit, u shfaqën si jashtë kontekstit të evoluimit perëndimor, dhe tendenca e tyre për të kërkuar sërish në pozicione të rëndësishme liderin karizmatik jo rrallë u perceptua si një mungesë evoluimi. Por çka u vu re njëkohësisht nëpër kurrikulat mësimore në arsimin perëndimor, ishte pikërisht lektimi i koncepteve të liderit kundrejt administratorit. Aktualisht të gjitha kurrikulat e administrimit, menaxhimit, shkencave politike apo komunikimit, kanë në epiqendër një set leksionesh të rëndësishme, që thërrasin për një lider të mirëfilltë dhe jo thjesht administrator, menaxher apo organizator takimesh.
Ne veprën e tij Revolucioni i tretë, Richard Koch prek pikërisht këtë nevojë jetike për ekzistencën e liderit, si një përgjigje e domosdoshme ndaj dëmeve të krijuara nga filozofia e CEO-ve dhe menaxherëve. Jo vetëm kaq, por ai thekson më vonë se mungesa e liderëve në politikë është një dëm historik, dhe në fakt kjo po ndodh rëndom. Por cila është diferenca e liderit të mirëfilltë nga një jo lider apo administrator? Cila është diferenca mes karizmës së një lideri dhe karizmës së një artisti apo shoëman-i? Ku qëndron ndryshimi thelbësor midis liderit të vërtetë dhe një klonimi artificial të tij? Shembuj të tillë në terrenin shqiptar mund të sillen mjaftueshëm, e ndoshta në një moment të dytë duhet të zbresim konkretisht në ilustrimin në terrenin tonë, por le të nisim me parimet.
Ajo çka i bashkon të gjithë liderët e mirëfilltë, është përballimi i problemeve, krizave, pikave të dobëta me një përgjegjësi që fillon nga vetvetja, dhe njohja e kësaj përgjegjësie me forcë, e cila duhet të inspirojë besim deri në zgjidhje nga vetë lideri.
Pak ditë më parë, në mediat europiane, kandidati për President i Gjermanisë deklaronte para gazetarëve: Unë nuk jam superman, mos prisni të jem. Një deklarim i tillë të bënte të mendoje në mënyrë të dykuptimitë; a po i drejtohej ky kandidat ende pa filluar detyrën e tij, qytetarit gjerman në mënyrë jo të duhur duke mos rrezatuar shpresë për një mrekullim në të ardhmen, apo në të vërtetë kish zgjedhur deklaratën e duhur që prekte thelbin e vërtetë të momentit historik të popullit gjerman?! Mendoj që është absolutisht e dyta, ky deklarim i qaset vërtetësisht kontekstit të një shoqërie, e cila ka arritur një standard të lavdërueshëm jetese dhe ndryshimet që mund të sjellë lidershipi nuk mund të jenë përrallore. Por, mbi të gjitha mbart në vetvete një stof lideri, i cili e paraprin situatën, duke njohur edhe një lloj dështimi të paevitueshëm. Ky zhgënjim është i paevitueshëm dhe i përgjigjet një krize psikologjike e sociale të botës së zhvilluar industriale, ku nga njëra ana koha e punës zë në mënyrë motorike 2/3 e ditës dhe ndryshimi në kushtet e jetesës nuk është aq i madh sa të inspirojë një motivim ëndërrimtar. E pikërisht këtë preku ai në ligjërimin e tij.
Le të hidhemi në një tjetër ligjërim, atë të Presidentit grek përgjatë negociatave për krizën greke; Ai shprehet se nuk do të lejojmë të tjerët të na nëpërkëmbin, një shembull tipik i jashtëzimit dhe delegimit të problemit të brendshëm gjetkë.
Presidenti serb nga ana tjetër, në momentin e mosmarrjes së statusit të vendit kandidat të Serbisë, shprehet: Ne e shohim Europën në sy, duke nënkuptuar kështu që arsyet e mosmarrjes së statusit gjenden jo aty, por vetëm e vetëm te bashkësia europiane.
Përqasja e Kryeministrit shqiptar në të njëjtat rrethana të mosmarrjes së statusit të vendit kandidat, ndonëse për arsye krejtësisht jo të ngjashme, ishte e ndryshme, duke njohur që çfarë është problem i brendshëm i politikës shqiptare do të zgjidhet nga vetë ne. Nga ana tjetër, lideri i opozitës shqiptare e emëroi mosmarrjen e statusit kandidat të Shqipërisë si një fajësi ekskluzive të qeverisjes.
Pikërisht jashtëzimi i të gjithë përgjegjësisë tek një tjetër objekt e bën liderin administrator situatash dhe i heq fetishizmin dhe vlerën e liderit. Sigurisht çështja e vlerave të liderit nuk limitohet thjesht në një veti apo dy, por kjo është e domosdoshme dhe jo kontekstuale, lideri në thelb ka vlera universale; Pavarësisht momentit historik apo etapës së zhvillimit, lideri e merr përgjegjësinë dhe frymëzon besim që do ta përballojë atë. Nga ana tjetër, fenomene të cilat duan të vjedhin karizmën apo egon e liderit janë gjithashtu fenomene të gjendura rëndom edhe në terrenin tonë. Janë të tillë të gjithë ata proklamues si shpëtimtarë që kauzën e tyre e ndërtojnë mbi problemet aktuale, ndërkohë që nuk kanë provuar aftësinë e tyre në asgjë të tillë, në mos janë duke u përpjekur ti përvidhen dështimit personal, si të tillë përmendim lëvizjet nacionaliste të tipit demode. E kjo na hedh në një dimension tjetër, në të gjithë analizat e liderëve progresistë të mirëfilltë ka një tjetër veti që gjendet në shumicën e tyre, ata janë profesionistë të shquar në një fushë të shkencës. Përkundrazi, liderët që kanë shkaktuar dëme në histori, karakterizohen në përgjithësi nga një nivel thelbësisht mediokër i njohurive profesionale, ose të tillë që vijnë nga formime pa baza të forta racionale. Por më shumë se një formim i tipit letrar apo përshkrimor dhe jo racional, problemi qëndron në mediokritetin e njohurive të tyre, një mediokritet që i limiton të bëjnë një show të sipërfaqes dhe aspak të përballimit të problemeve në thellësi, për rrjedhojë ata përfundojnë edhe duke shtrembëruar faktin historik deri në nivel ideologjish për të legjitimuar tezat e tyre sipërfaqësore.
Në momentet aktuale, çështja e lidershipit nuk është aspak një diskutim teorik, madje e gjithë vëmendja është përqendruar në këtë reflektim mbi liderin e duhur të radhës. Nga ana tjetër, pikërisht konteksti dhe sfida aktuale, integrimi në Bashkimin Europian i vendit na jep dhe përgjigjen e këtyre qëndrimeve ndaj liderit të duhur. Në stadin aktual të marrëdhënieve të Shqipërisë me Unionin, një term kyç i përdorur është ownership, apo e shqipëruar dalja zot për problematikat që rrjedhin nga përgjegjësitë e të qenët vend anëtar i BE. Si i tillë, ky standard i liderit i cili merr përgjegjësi dhe ka vlera universale të përballimit të rrethanës historike, është një lider i domosdoshëm edhe në terma kontekstualë përkundrejt sfidës së integrimit. Është e domosdoshme që qytetari, votuesi shqiptar të qartësojë dhe të thellohet në kuptimin real të llojit të liderit, që në përfundim do të jetë zgjedhja e tij.
