Prapë Nano, zoti Arvizu ?!
Dje shkova në qytetin tim, në Lezhë. Krejt rastësisht u gjenda mes një grumbulli njerëzish, të cilët i njoh prej vitesh, kur isha 12 vjet deputet i tyre. U gjenda ngushtë prej pyetjeve të tyre, të cilat po mundohem ti jap shkurt, ashtu siç mi thanë, paksa me zemërim:
-Ore, këtë Fatos Nanon doni të na zgjidhni për President?!
-Po ambasadori amerikan pse shkon prapë te Nano?
-A keni turp ju si maxhorancë që të votoni Tosin?!
-A na ka gënjyer Kryeministri Berisha kur ka thënë se Nano është hajdut, i kriminalizuar dhe mafioz?
Herë hidhja vështrimin djathtas e herë majtas, por nuk arrita të bind asnjërin prej tyre, të djathtë e të majtë, se është e drejtë e Nanos të fantazojë edhe për President. Nisur nga ky shqetësim qytetar, edhe unë mendoj se duhen thënë disa gjëra, të thëna e stërthëna shumë kohë më parë, por me sa duket, të harruara. E ndoqa lajmin natën e së enjtes se ambasadori amerikan Arvizu është në një darkë me zotin Nano. Natyrisht që është e drejtë e ambasadorit të takojë këdo e cilindo, porse kur vjen puna tek emri i Fatos Nanos, të cilin fatmirësisht dhe fatkeqësisht e njoh më mirë se kushdo se çfarë fshihet poshtë kapotës së qengjit në dukje, nuk mund të rri pa folur. Në të vërtetë menduam se iku koha e Nanos dhe e shokëve të tij për të ardhur te dekada e të rinjve, të cilët kanë tjetër kulturë politike e vizion krejtësisht europian; menduam se nuk është koha për një kthim 9 vite pas kur biznesgrupi i Fatos Nanos drejtonte Shqipërinë mes kontrabandës dhe krimit, mes pazareve dhe intrigave. Për ambasadorin amerikan jam shprehur në media kohë më parë, e jo vetëm sot, është ambasadori amerikan më karizmatik e më popullor që kanë pasur Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. E them këtë jo për të zbutur kritikën time për ambasadorin në rastin Nano. Kjo është një e vërtetë, aq sa janë të vërteta që këto do të mundohem të shpjegoj paksa më poshtë. Pak kohë më parë, ambasadori tha disi, si nëpër mjegull, diçka pozitive për zotin Nano, ndonëse kishte nëntekste, por përsëri u përkthye në opinion si një përkrahje amerikane për emrin e ish-kryeministrit Nano. Ende pa u shkruar në gazeta kjo gjë, kandidati Nano vendosi të kthehet në mesnatë në atdhe nga Austria, ashtu sikurse do të rikthehet në kryeqytetin austriak kur të mos zgjidhet President, nëse politika do që të ecë përpara ky vend. Por në ato ditë kur ambasadori tha ato fjalë, menjëherë zoti Nano u shpërngul bashkë me Xhoin, gruan e tij kandidate për First Lady. Unë, ndonëse jam në maxhorancë në detyrën e zv/ministrit, por pikë së pari jam dhe drejtues i një formacioni kristian, votat e të cilit janë përkthyer në postin e zv/ministrit, përsëri nuk mund të rri pa folur që të mos pendohemi me vonë, nëse e zgjedhim. Memoria politike dhe opinioni publik mban ende, besoj, në mendje, se si është kritikuar me fakte Fatos Nano për keqqeverisje, madje mafioze e me të korruptuarën në Europë, është kritikuar dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, është kritikuar nga zoti Berisha dhe ishte motoja e fitores sonë në vitin 2005. Atëherë, si ka mundësi që një njeri që provoi 14 shtatorin e vitit 1998 dhe braktisi vendin duke ikur për në Maqedoni, duke e lenë qeverinë dhe shtetin në mes të katrahurës, të kthehet prapë e shpreson se mund të zgjidhet kryetar shteti?! Si mundet që gjithë këta emra deputetësh dhe politikanësh me perspektivë të mos bëzajnë kur shohin në sfond rikthim të një politike të vjetër e aq më keq, në krye të shtetit, duke na vonuar dhe një dekadë tjetër zhvillimin e vendit? Presidenti i Republikës është simbol i unitetit të popullit, kështu thotë Kushtetuta. Po si mund të jetë nesër ky njeri simbol i unitetit, kur asnjëherë nuk ka manifestuar unitet apo solidaritet, por veçse përçarje, kulisa, pazare dhe sherre, ndonëse disa njerëz në media për interesa meskinë thonë poshtë e lart se Nano është njeri i kompromisit. Në të vërtetë, në pamje të parë zoti Nano të jep përshtypjen e një njeriu pa komplekse, e një njeriu që flet anglishten shumë mirë, e një njeriu që di të bëjë shakara e të tregojë barsoleta, por në thelb është një njeri me vese e intriga dhe me një barrë akuzash mbi supe. Akuza dhe kriminale madje, nëse hapen dosjet e Prokurorisë, mund të ishte dhe i pandehur. Nëse më lejohet të them dhe unë diçka, mund të shtoj, duke iu adresuar zotit Arvizu se nëse ju doni të shikoni fytyrën e vërtetë të zotit Nano, mund tju tregoj të dokumentuar presionin dhe fjalorin më rrugaç që mund të manifestojë një njeri i pakulturë. Mos e merrni zotin Nano siç ju paraqitet, por ai që është ose më mirë ai që ka qenë dhe që prapë është po ai; që civilizoi PS në fillimet e saj, që bëri pazare jo parimore e që nguliti sistemin e korrupsionit më të egër në Europë, aq sa duhen vite që të shkulet. Natyrisht që para jush ai sillet si më i vogli shejtan dhe është gati të të fshijë këpucët për hir të atij kolltuku presidencial. Unë, personalisht, zoti ambasador, e kam ndihmuar zotin Nano të dalë nga burgu dikur dhe nuk kam bërë gabim. Dikur kam qenë dhe botues i të parës gazetë të pavarur në vend, ndonëse u largova më vonë nga media. Me atë gazetë i hoqa prangat nga duart e policit të Berishës. Kam qenë i bindur dhe prapë mbetem në këtë mendim se ai ishte një i burgosur politik i zotit Berisha. Por më vonë doli në pah, më shumë e më hapur, se kush fshihej pas tolerantit Nano. Shqiptarët nuk harrojnë, ndaj bëjnë pyetje retorike nga ato që shkrova në fillim. Dhe populli do një President që ti përbashkojë e jo ti ndajë, do një President që të nderohen me të e jo një njeri që mendjen e ka sa tek kazinoja e sa tek paratë e tij në Austri, sa tek futja e sherrit mes kundërshtarëve e duke e mbyllur ditën me një grumbull shishesh verë të kuqe, që kushton vetëm njëra sa paga mujore e një punëtori të thjeshtë. Nëse kulisat politike e duan ta ngjitin Nanon tek Pallati i Brigadave në mënyrë që të ngopet me copat e mishit të Edi Ramës, gjoja se është mbi palët, por do të pendoheni se nuk do të lërë palë pa copëtuar ky njeri me emrin Nano. Dhe jo për vendosjen e shtetit ligjor, por për të shkatërruar gjithçka, me synimin e vetëm shtimin e thesit me euro, pasi dollarët amerikanë nuk i pëlqejnë më.
I thashë këto, zoti ambasador, se nuk mund të rrija duke heshtur, ndërkohë që shoh lojën finoke e djallëzore të Fatos Nanos që të rikthehet në politikë si kryetar shteti, duke u humbur shqiptarëve dhe shumë vite të tjera shprese për një politikë më të pastër e më të sinqertë. Juve mund tju sugjerojnë nesër në formë pyetjeje, që si guxon një zv/ministër të flasë kështu, aq më tepër me ju. Miqtë e mi në media e në politikë e dinë se nuk më mban karrigia e sotme e zv/ministrit në udhën e mendimit tim të lirë! Kështu do të vazhdoj të jem i lirë për të thënë atë çka mendoj se është më mirë, me apo pa karrige zv/ministri, ndonëse dikush në PD zëmërohet, here pas here, me deklaratat e mia.
Ambasadori amerikan është si një rreze drite, të cilën shqiptarët e shikojnë, pasi ju jeni në sytë e popullit vetë Amerika. Ndaj çdo hap, çdo kafe, çdo fjalë, madje edhe lëvizje e syrit apo shtrëngim dore perceptohet sikur flet e shikon vetë Amerika e madhe. Kështu shikohen edhe takimet apo përqafimet tuaja me zotin Nano, për të cilin verdikti u dha nga shqiptarët në korrik 2005. Nuk ka përse të vazhdojmë sërish me të njëjtët emra, ndërkohë që vendi ka elitë politike e intelektuale krejtësisht në nivel europian. Nuk ka kohë për vetërrotullim nga ku e nisëm në vitin 1991, pasi jemi në autostradën e madhe që kemi përcaktuar për të shkuar në Europë, por gjithnjë me mendje tek e madhja Amerikë. Ka nevojë për emra të tjerë, të cilët janë më të mirë e më të zotë si dhe me personalitet të jashtëzakonshëm. Ndaj duhet që politika, shoqëria, partnerët euroatlantikë të kërkojnë përtej restorantit të Nanos tek stadiumi Dinamo! Natyrisht që emri i Presidentit ka n
