E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksident në Austri, 6 të vdekur në autobusin nga Kosova



Nga përplasja e një autobusi nga Kosova dhe dy kamionëve në një autostradë në Austri, kanë humbur jetën 6 vetë dhe janë plagosur së paku 36 të tjerë. Sipas policisë Austriake, përplasja ka ndodhur të dielën në mesnatë, afër vendbanimit Hajlegenkrojc. Në autobus gjendeshin udhëtarë nga Kosova për në Gjermani. Autoritet kosovare po bashkëpunojnë me ato austriake për të zbardhur ngjarjen. Albana Beqiri, këshilltare e lartë për median në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se të lënduar janë 36 persona dhe ata janë shpërndarë në tre spitale, të cilat janë në qytete të ndryshme. “Ambasadori Kiqmari ka mbërritur t’i vizitojë dy spitalet dhe është rrugës për në spitalin e tretë. Nga ata që ka takuar ambasadori, vetëm një ka qenë i lënduar rëndë. Ne kemi një listë, dhënë nga policia Austriake, me personat e lënduar, por akoma nuk kemi kuptuar se kush janë të vdekurit”, tha Beqiri për “Express”. Osman Hoti pronar i kompanisë “Polluzha”, ka deklaruar për “Express” se njëri nga autobusët e firmës së tij ka pësuar aksident të rëndë në Vjenë të Austrisë. Ai tha se autobusi është nisur nga Prizreni, mirëpo tani për tani as ai vetë nuk ka shumë informacione në lidhje me atë që ka ndodhur. “Dimë vetëm se gjashtë janë të vdekur, por përveç shoferit, emrat e të tjerëve nuk i di”, tha Hoti. Ai sqaroi se kompania e ka listën me emrat e udhëtarëve por tash për tash nuk mund ta bëjë publike, pasi ende nuk ka asgjë të sigurt se kush prej tyre ka vdekur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›