“Lufthansa” humb 25 milionë euro në ditë
Rreth 800 fluturime të kompanisë ajrore “Lufthansa” janë anuluar dje, për shkak të grevës së pilotëve të linjës më të madhe ajrore në Evropë. Ankesat e pilotëve kanë të bëjnë me kushtet e sigurisë në punë. Dhjetëra mijëra pasagjerë kanë mbetur pa udhëtuar në aeroportet e Gjermanisë pas veprimeve më të ashpra industriale në historinë e aviacionit gjerman, të cilat nisën mbrëmjen e së dielës. “Cockpit”, unioni që përfaqëson 4000 pilotët e Lufthansa-a, 94 për qind e të cilëve janë në grevë po lufton për rritjen pagesave me 6.4 për qind dhe të garancisë së punës. Greva duhej të zgjaste katër ditë, por u ndërpre mbrëmë pas ditës së parë. “Lufthansa” po përpiqet të ndërpresë këtë vendim të sindikatës së pilotëve, që po i kushton asaj 25 milionë euro në ditë. Kështu “Lufthansa” vendosi t’i hedhë në gjyq pilotët, të cilët thanë se do të apelojnë për të drejtat e tyre. Sipas unionit, kushte e punës dhe pagat e pilotëve të Lufthansës po rrisin varësinë nga linja të huaja fluturimi si “British Midland”, “Swiss” dhe “Austrian”. Pilotët e këtyre linjave janë të punësuar në kushte shumë më të këqija se ata të “Lufthansa”-s, pasi fitojnë 40 për qind më pak. Pagat e pilotëve të “Lufthansa”-s nisin nga 62,000 euro dhe arrijnë deri në 250,000 euro. Pilotët e linjës i tremben fakti se ata mund të zëvendësohen me të tjerë që kushtojnë shumë më pak. Ministri gjerman i transportit, Peter Ramsauer ka ndërhyrë në përpjekje për të bashkuar interesat e “Lufthansa”-s dhe sindikatës “Cockpit”, duke paralajmëruar se greva mund të ketë ndikim të ashpër në ekonominë gjermane dhe rimëkëmbjen e saj.