E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Silvio duhet të bëjë si Sarkozi, i duhet një Zonjë e Parë në krah"

Tarak Ben Amar, aktor i qarqeve të financës së lartë, është mik personal i Berluskonit, Murdokut, Sarkozisë dhe i shumë shtetarëve të tjerë, producent i filmave të Spilbergut e Mel Gibsonit, nip i Burgibës, çlirimtarit të Tunizisë. Ai konfirmon se nuk po zhvillohet kurrfarë lufte mes Berluskonit e Murdokut dhe se nuk është ky i fundit nxitësi i sulmeve të ashpra me të cilat po përballet këto kohë Kryeministri italian.

Dhe ju e besoni këtë?

Po, Murdoku e di shumë mirë se monopolin e satelitit në Itali e ka vetëm falë Berluskonit. Të gjithë ishin kundër dhe prisnin një shkrirje Sky-Mediaset. Edhe bashkëpunëtorët e afërt i thanë Berluskonit se po dobësohej. Por ai këmbënguli se ishte e nevojshme hapja e tregut.

Nuk ka të bëjë fakti se Murdok u nervozua kur Berluskoni ishte gati t‘i shiste "Mediaset"-in dhe më pas u tërhoq?

Berluskoni nuk kishte ndërmend të shiste asgjë. Ishin bijtë ata që hynë në këtë lojë. Madje tani po zhvillohet një kompeticion mes tyre. Për më tepër, Murdok është modeli ku do donte të arrinte Berluskoni nëse nuk do kishte hyrë në politikë. Një "manjat global". Ndërsa Murdok, që e ndjek me obsesion politikën, do kish dashur me gjithë shpirt të kish qenë ai lloj shtetari që është Berluskoni. Ndryshimi është se Ruperti është shumë më i djathtë.

A do të dalë dot Berluskoni nga kjo krizë?

Aftësia e tij për të rezistuar dhe reaguar është e pazakontë. Gjatë këtyre javëve e kam takuar shpesh. E kam parë t‘u bëjë ballë sulmeve që do të ulnin në gjunjë këdo tjetër.

Veronika ka shkruar se i shoqi nuk është mirë.

Sigurisht që Silvio nuk është mirë. Është punëtor i palodhshëm, fle vetëm katër orë. Bën një jetë të tmerrshme që ka nevojë për pauza. "Sëmundja" e tij mund të jetë vetëm dëfrimi, lumturia, të qenit i rrethuar nga njerëzit që i pëlqejnë. Gjë që i mungon tani, pasi që kur martesa me Veronikën mori fund, është i vetëm.

Kush e di ç‘ka hequr Veronika!

Veronika nuk ka pasur kurrfarë problemi, pasi deri në çastin kur martesa funksiononte, deri para një-dy vjetësh, ishte shumë e lumtur. Nuk kam parë kurrë një çift aq të lumtur. Shkoja në vilën "Çertoza" me time shoqe dhe viheshin në siklet nga raporti i tyre: putheshin e përkëdheleshin gjithë kohës. Kur e njoha Silvion në vitin 1984...

...Në Hamamet, në një festë me vajza të reja, apo jo?

E njoha në plazh me Kraksin dhe një mbrëmje më pas u bë kjo festë. Unë po xhiroja një film dhe solla me vete modele dhe aktore të mrekullueshme. Silvio mbeti pa mend. Por fliste vetëm për Veronikën dhe është mëkat që nuk e ka pasur vazhdimisht në krah, përveç vizitës së Klintonëve. Një grua aq e bukur, aq elegante, aq e zgjuar, është shumë e rëndësishme për një lider. Shikoni ç‘rol ka pasur Karla në rastin e Sarkozisë.

Çfarë mendimi keni për Nikolas Sarkozi?

Të shkëlqyer. Po vepron mirë, por në fillim dukej nervoz, i pamatur. Karla i erdhi në ndihmë, e afroi me intelektualët, një botë me të cilën nuk kishte kontakte. Dhe mund të përballet me çdo Zonjë të Parë, përfshi këtu edhe Mishel Obamën.

Berluskoni duhet të veprojë si Sarkozi?

Silvio sigurisht nuk ka nevojë për këshillat e mia. Por sigurisht që vetmia nuk e bën të ndihet mirë. Shpresoj që të dashurohet sa më shpejt me një grua që ta dojë siç ai dashuroi Veronikën dhe siç e dashuroi Veronika. Prania e një gruaje përkrah, është thelbësore për një mashkull aq të ndjeshëm karshi bukurisë, elegancës, talentit.

Pallati Gracioli dhe vila "Çertoza" nuk janë frekuentuar shumë kohëve të fundit.

Unë kam qenë dhe kam gjetur gjithnjë artistë e intelektualë të niveleve më të larta. Nuk më kanë zënë sytë asnjëherë ndonjë "vajzë shoqërimi". Kam qenë për darkë kohët e fundit, ishin edhe Karlo e Rosela, Emilio Fede dhe dy çifte, miq tanë, amerikanë e francezë. Ishte mbrëmje e mrekullueshme, me këngëtarë e artistë në zë. Pasi Silvio është estetist. E kërkon sensin e së bukurës në çdo detaj. Është i paaftë ta pranojë vulgaren.

Por, ju miqtë, nuk e paralajmëronit dot që të mos fuste në shtëpi disa lloj njerëzish?

Silvios i pëlqen pa masë të njohë njerëz të rinj. Është kjo natyra e tij: zbulimi, miqësia, aventura. Pa këtë kuriozitet nuk do ish bërë ai që është. Pastaj, askush prej atyre që e kritikojnë, nuk e zotëron autoritetin e duhur për t‘i dhënë leksione morali.

Nuk bëhet fjalë për sjellje të një qytetari privat, por për numrin një të qeverisë.

Por numri një i qeverisë nuk ka motiv të kërkojë falje për asgjë, vetëm në Itali një lider politik trajtohet në këtë mënyrë. Këtu, në Francë, nuk do të kishte ndodhur kurrë. Askush nuk ka shkruar një rresht për muajt kur Sarkozi mbeti i vetëm. Askush nuk ka shkruar një rresht për vitet kur Miteran rrinte me mikeshat në katin poshtë, ndërsa Daniela jetonte me mikun e vet në katin e sipërm. Vetëm italianët janë në gjendje të bëjnë sulme kaq të ashpra, është e palejueshme që shtypi të ndërmarrë sulme kaq të ashpra ndaj një njeriu që rezulton i pafajshëm. Ju duhet të bëni si Anjeli, që në vitin 1994, për hir të Italisë, iu kundërvu me brutalitet gazetave të huaja që flisnin keq për Berluskonin.

Do të thonë se ju po e mbroni Kryeministrin ngaqë është vërtet në ditë të vështira.

Nuk është në ditë të vështira. Është subjekt i një sulmi të planifikuar dhe vënë në veprim nga një grup editorial që vepron në marrëveshje me të majtën. Por sot, është protagonisti kryesor i politikës ndërkombëtare. Është njeriu që sheshoi mosmarrëveshjet mes administratës amerikane dhe asaj ruse, është njeriu që bindi shumë qeveri të ndërhynin për t‘u ardhur në ndihmë bankave, është ai që, bashkë me Sarkozinë, ndali tanket ruse vetëm pesë kilometra larg Tbilisit. Berluskoni nuk ka nevojë të mbrohet nga unë. Nuk jam zëdhënësi i tij. Kjo histori tërësisht italiane do të kalojë shpejt.

Keni qenë edhe në festat e vilës "Çertoza"?

Kam qenë gushtin e shkuar, për t‘u përgatitur për takimin që kisha me Gedafin një ditë më pas. Dhe Silvio organizoi për nderin tim një prej mbrëmjeve më të paharrueshme të jetës sime. Dhe mbrëmje të paharrueshme kam jetuar shumë, si në Kanë, ashtu edhe në Hollivud. Kishte organizuar një spektakël të vërtetë. Një balet rus në nivelin e Bolshoit. Muzikantë brazilianë. Këngëtarë të muzikës klasike. Ai vetë ishte regjisori, njeriu kyç i spektaklit, si në kohët e "Canale 5". Unë isha i ftuari i nderit dhe juria, në fund i dhashë çmimin e numrit më të mirë. Ndërsa ai kishte përgatitur dhurata për të gjithë: ora për burrat e bizhuteri për artistët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›