E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simboli në poça

Artisti britanik, Nathan Coley, ka instaluar veprën e tij të fundit në një copë toke, me kaçuba e pluhur, të kryeqytetit të Kosovës. Gazeta ‘The Guardian’ ka bashkëbiseduar me zëvendësministrin e Jashtëm të këtij shteti lidhur me domethënien e saj.

Nathan Coley po dëgjonte ‘Radio 4’ të Londrës kur hasi në një frazë. U ngrit në çast, dhe ngarendi lart e poshtë banesës së tij, në kërkim të një lapsi e një cope letre që ta shkruaj atë. Ishte 11 shtatori i vitit 2011, dhe radio-stacioni po transmetonte kujtimet e njerëzve që kishin qenë të ngujuar gjatë sulmeve të 11 shtatorit në New York.

Coley, që në vitin 2007 ishte pjesë e listës së ngushtë të kandidatëve për çmimin më prestigjioz botëror të artit modern - Turner , këtë rrëfim ma tregon një vit më vonë, derisa qëndrojmë të ulur në shkallët e Bibliotekës Universitare të Prishtinës - një ndërtesë kjo e ndërtuar në stilin e arkitekturës sovjetike.

“Një grua po fliste për kujtimet e saj nga udhëtimi me metronë e New Yorkut, rreth një javë pas sulmit”, tregon Coley.

“Ajo po udhëtonte nga puna në shtëpi; e lodhur, e pasigurt dhe mjaft e frikësuar. Ulur përballë saj qëndronte një hindus, me turban të portokalltë në kokë. Vërehej që bashkudhëtarët e saj shfaqnin një urrejtje të hapur ndaj tij. Ai nuk ia ktheu vështrimin askujt, ndërkohë që lotët i rridhnin heshtazi. Në fund, burri ngritet para stacionit të tij dhe ecën drejt derës. Një zezake e re po qëndronte aty, me një fëmijë në dorë. Burri nxjerr një grusht monedhash dhe i fut nën mbulesën e foshnjës. Pikërisht në atë moment, gruaja u shpreh se e kuptoi që, nëse New Yorku do të bëhej një vend i bukur siç e njohim, atëherë duhej të bëhej një vend përtej besimeve - të bëhej i pabesueshëm”.

Në parkun, mes zyrave të reja qeveritare për Arsim, Galerisë Kosovare të Artit dhe një kishe gjysmë të ndërtuar dhe gjysmë të shkatërruar ortodokse - të ngritur gjatë viteve të 90’a nga Slobodan Milosevic – fraza që i bëri aq shumë përshtypje Coley’t u rikrijua si një mbishkrim i madh, me poça ndriçues mbi një skele: "A Place Beyond Belief".

Është kjo skulptura e fundit nga një varg skulpturash tekstuale të shpikura nga 43-vjeçari Coley. E vendosur këtu, fraza e humbë kontekstin e saj origjinal, dhe del në botë për të gjetur një jetë të re. Hapësira përreth është diçka mes rindërtimit dhe shkatërrimit: studentët nguten pranë saj ndërmjet ligjëratave, e drunjtë e mbjellur rishtazi rriten aty përkundër thatësisë. Njëkohësisht, kisha – një simbol i shtypjes serbe ndaj shumicës së popullatës shqiptare me besim islam – po shkatërrohet gradualisht, derisa barishtet e këqija nxjerrin krye nga të çarat e mureve me tulla.

Shkrimtari dhe ekspert për Ballkanin, Tim Judah, mban mend kishën menjëherë pas fushatës së bombardimeve të NATO’s kundër serbëve, në vitin 1999. Brenda skeletit të zbrazët të ndërtesës, forcat britanike kishin vendosur një bazë të vockël, “për të pamundësuar shkatërrimin e saj. Nga gjithë ajo që kisha parë asokohe, kjo mbase ishte gjëja më surrealiste: ushtarët shikonin ‘EastEnders’ dhe lexonin ‘The Sun’, dhe pinin kafe mbi një tavolinë. Ishte njëlloj dhome ndeje britanike, brenda një tende të ngritur pranë kësaj rrënoje".

‘A Place Beyond Belief’ e Coley’t u hap zyrtarisht në fillim të muajit, në prani të diplomatëve dhe politikanëve, përfshirë ish-presidentin finlandez dhe laureatin e çmimit Nobel, Martti Ahtisaari, që hartoi planin e pavarësisë së Kosovës. Ata përfaqësonin “veturat e zeza dhe kostumet e hirta”, siç i quan Coley, që u mblodhën në kryeqytet për të shënuar edhe një hap në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë, drejt një kombi të pjekur – fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë, një sistem ky, sipas së cilit, që nga viti 2008 institucionet politike të Kosovës u mbikëqyrën nga bashkësia ndërkombëtare.

Skulptura ofron një sfidë: A mundet ky vend të bëhet një vend i pabesueshëm? Ajo ofron një aluzion të së paarritshmes.

“Është diçka si kodra pas kodrës, të cilën mund ta shihni”, thotë Coley.

Kjo është gjëja e duhur në një shtet të ri që i ka problemet e veta: një raport thellësisht të brishtë me Serbinë; një pyetje pa përgjigje lidhur me të ardhmen e popullatës pakicë serbe; dhe për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ideja për vendosjen e skulpturës së Coley këtu para një muaji erdhi nga zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi. Ai sapo ka mbushur 33 vjet, dhe është njëri nga katër ministrat e Qeverisë së Kosovës nën moshën 35-vjeçare, megjithëse duhet ditur se edhe vetë presidentja është vetëm 36-vjeçare.

Kur, në të 90’at e hershme, Serbia ndaloi shqiptarët etnikë (rreth 90% të popullatës së Kosovës) që të mbanin poste publike, dhe mbylli shkollat shqiptare dhe universitetin, Selimi dhe shokët e tij u shkolluan në njëlloj shteti hije, në një sistem paralel nëntokësor.

Selimi u politizua herët: ai bëri debutimin e tij në moshën 13-vjeçare, kur foli në një konferencë të OKB’së për të rinj në Vjenë. Ai flet për artin me një rrjedhshmëri të rrallë për politikanët britanikë.

“A Place Beyond Belief është multivokale”, thotë Selimi, “madje, mund të lexohet edhe si antagoniste. Njëkohësisht, është vendosur pranë kishës të cilën filloi ta ndërtonte Milosevic, që qëndron si dëshmi e mosbesimit fetar, por e keqpërdorimeve në emër të besimit fetar. Po ashtu, ajo ndodhet edhe pranë bibliotekës: mes një shkëndije shprese dhe një shkëndije shkatërrimi”.

Galeria e Arteve e Kosovës, e cila e ka organizuar instalacionin, udhëhiqet nga Erzen Shkololli, një i ri tjetër i shkolluar në sistemin paralel.

“Isha 11-vjeçar kur Milosevici erdhi në pushtet”, thotë ai.

“Isha pjesë e brezit që pa protestat, dhe kthimin e ushtarëve shqiptarë nga lufta. Isha dëshmitar i aq shumë gjërave, saqë nganjëherë më duket vetja 66 e jo 36-vjeçar”.

Deri para një viti Shkololli punonte në Berlin, si një artist i suksesshëm puna e të cilit u ekspozua ndërkombëtarisht.

"Por, pasi t’i mbijetosh të gjitha këto trauma, në fund edhe dëshiron të qëndrosh këtu, të kontribuosh këtu”, shprehet ai. Roli i Skolollit tani është që të përpiqet të kultivojë një skenë kosovare të artit - duke sjellë artistë nga jashtë, dhe duke e shfaqur punën e tyre përkrah artistëve ballkanikë.

Vepra e Coley paraqet një hap të madh përpara. Skulpturat e reja publike në Prishtinë përfshijnë një skulpturë bronzi të Bill Clinton, derisa, në stilin e skulpturave soc-realiste sovjetike, përshëndet me dorë me dashamirësi në Bulevardin Bill Clinton. Kjo tregon se sa nderohet ai (dhe Tony Blair) në Kosovë, falë intervenimit të NATO’s në vitin 1999.

Selimi tregon se një numër i pabesueshëm i kosovarëve 13-vjeçarë janë emëruar Tony Blair.

Ai kulturën e sheh si një instrument jetik për shtet-ndërtim, si një mënyrë që Kosova të paraqesë një fytyrë më të pjekur karshi botës.

“Çfarë dinë njerëzit jashtë për Kosovën? Ata mendojnë se kjo është ende një zonë lufte. Ata mendojnë për refugjatët. Vrasësi masiv norvegjez, Anders Breivik, e përmendte shpesh Kosovën si një urë të Islamit në Evropë. Ne na duhet të lidhemi me një botë më të gjerë, dhe rrëfimin tonë ta vendosim në një kontekst më të gjerë evropian ose ndërkombëtar”.

Kjo është jetike për një shtet, sovraniteti i të cilit nuk është njohur nga pesë shtete të BE’së, pa i përmendur këtu superfuqitë botërore si Kina dhe Rusia. Nuk është befasi pse karriera para-politike e Selimit ishte në fushën e marrëdhënieve me publikun (ai organizoi ardhjen e parë në Kosovë të raperit 50 Cent).

"Kur isha 13-vjeçar, Kosova ishte një zorrë qorre e izoluar", shprehet ai.

"Ne kurrë s’mund t’ia lejojmë vetes që përsëri të bëhemi të padukshëm”, vazhdon ai, derisa shton me seriozitet, se “për Kosovën, edhe pjesëmarrja, për shembull, në festivalin ‘Eurovision’ do të ishte një fitore e madhe".

Selimi dhe Shkololli e kanë një plan. Ata dëshirojnë të bindin qeverinë për të blerë një version të ‘A Place Beyond Belief’, dhe ta ekspozojnë atë si një ekspozitë të përhershme në ndërtesën qeveritare të Kosovës. Si një lutje për politikanët e të gjitha llojeve për të mos i përsëritur gabimet e tmerrshme të së kaluarës. Mbase, vështirë do të mund të imagjinohej një porosi më elokuente.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›