Simetria koreanoveriore
Ndër kërcënimet më të padëgjuara e që të lënë pa mend, mbetet ajo e Koresë së Veriut, shqiptuar kundër Koresë së Jugut: dhe hiç nga tjetërkund, veç m’u në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjatë Konferencës për Çarmatim, këtë muaj; dhe, hiç nga tjetërkush, por prej diplomatit koreanoverior Jon Yong Riong, me porosi të Phenianit. Ai, sipas agjencisë Reuters, nuk tha më pak se sa një paralajmërim të ashpër dhe aspak diplomatik, madje të formuluar në mënyrën më agresive:“Sjellja e gabuar e Koresë së Jugut mund t’i paraprijë shkatërrimit të saj final”. Togfjalëshin “shkatërrim final”, të shtetit të jugut nga shteti i veriut, ambasadorja britanike në OKB, Joanne Adamson e përcaktoi si gjuhë “krejtësisht e papranueshme”.
Dhe, shkaku është fare i thjeshtë për t’u kuptuar: Koreja e Jugut iu bashkua vendeve të ndryshme të botës, përfshirë edhe Kinën e Rusinë, që e dënuan shpërthimin e tretë bërthamor të nëndheshëm të kryer nga Koreja e Veriut. Janë dy faktorë që, kërcënimin me asgjësim, e bëjnë një shprehje të tmerrshme edhe për vet shtetin komunist: Koreja e Veriut, me popull të njëjtë si dhe Koreja e Jugut, paralajmëroi shkatërrimin e shtetit kapitalist me popull të njëjtë me atë të veriut! Ideologjia komuniste, gati shtatë dekadëshe dhe gjithmonë me dinastinë Kim në pushtet, mëton t’i mbijetojë varfërisë edhe për ushqim, me prova të kushtueshme raketash balistike e bombash atomike, qoftë edhe me shkatërrimin e gjysmës tjetër koreane në jug!
Kjo lloj politike, në Gadishullin e Koresë në Azi, njëzet vjet më parë ka pasur simetrinë e vet në Gadishullin e Ballkanit në Europë. Dhe, për të njëjtat arsye: ideologjinë komuniste dhe pushtetin. Më 17 shtator të vitit 1990, kardiologu Dr. Sali Berisha, pati botuar në gazetën Bashkimi, artikullin “Demokracia dhe humanizmi – binom i pandarë”. Mbi pikëpamjet e shprehura në artikull se, “…proceset demokratike në vendin tonë janë njëkohësisht një ndihmë e çmuar për luftën e vëllezërve tanë në Kosovë” dhe që, “…demokratizimi i jetës së vendit tek ne është proces jetik për çështjen shqiptare në tërësi”, përbënin faj alla koreanojugor të sotëm, sa që, Prof. Sofo Lazri, njeriu i plotfuqishëm i Komitetit Qendror të PPSH, me porosi të vetë Ramiz Alisë, Sekretari i Parë i PPSH, autorit të këtyre radhëve, atëherë kryeredaktor i gazetës Bashkimi dhe botues i artikullit të famshëm të Dr. Sali Berisha, i tha:“Kjo është tezë amerikane. Amerikanët na thonë “Ndryshoni sistemin, t’u përkrahim për Kosovën”. Saliu, me këtë paragraf, bile me disa fraza, kërkon të bëjmë çfarë duan në Uashington. Të zëvendësohet sistemi ynë socialist me kapitalizmin e tyre”, dhe “…, shpëtimi i Kosovës kushtëzohet me sakrifikimin e sistemit socialist në Shqipëri për të cilin kemi bërë sakrifica të panumërta dhe kemi derdhur lumenj gjaku e djerse”, çka do të thosh se, Kosova le të vuante atje nën Serbi e të mos shpëtonte kurrë, sepse më shumë se çlirimin nga pushtuesi dhe liria e saj, Kosovës i vlente socializmi në Shqipëri! Çfarë çmendurie e panë dhe egoizmi marrok shtetëror për pushtet të përjetshëm! Qysh më 24 janar të vitit 1990, Ramiz Alia nuk kishte lënë asnjë mëdyshje lidhur me ideologjinë komuniste dhe socializmin, duke deklaruar qartë që, “… kur flasim për politikën tonë… të shikojmë interesat … e socializmit në Shqipëri. Kjo është themelorja” (Qendërcikloni, f. 20 dhe 25, viti 2002), një pohim me fjalë të tjera, i thënies tronditëse të Diktatorit që, “edhe barë do të hamë, por parimet nuk i shkelim”. Ndoshta, nuk gjendej nëpër botë një shembull i tretë, i braktisjes asisoj si çështja e Kosovës dhe keqpërdorimi i saj, për mbijetesën e socializmit dhe të pushtetit klanor.
Ideologjia komuniste në Shqipëri qe e pashpirt ndaj popullit të vet në mizerje ushqimi dhe gjysmës së kombit nën shtypje çnjerëzore përtej kufirit, siç ideologjia komuniste në Korenë e Veriut është, edhe sot e kësaj dite, e pashpirt ndaj popullit të vet të uritur, dhe mohimit të gjysmës tjetër të popullit të lirë në në jug që, u kërcënua me“shkatërrim final”. Këto janë sjellje të padëgjuara pasi, kërcënime shtetesh kundër shtetesh njihen e dihen, deri edhe së voni, si ai i presidentit Ahmadinexhad të Iranit, për fshirjen e Izraelit nga harta. Por, nuk ka më të urryer se ideologjia komuniste që, për të mbijetuar bashkë me dinastinë në pushtet, është gati të mbajë të ndarë përjetësisht të njëjtin popull apo dhe ta shkatërrojë me armë atomike gjysmën tjetër të vetvetes, që shpërthen bomba atomike me paranojën si “një hap i vendosur për vetëmbrojtje kundër agresorit të huaj”.
...