E Diel, 1 Nëntor 2026

Simona: “Kaka, një fëmijë që fliste pak”

Në moshën katër vjeç apo ndoshta edhe tre, Kaka ishte Kaka. “Një fëmijë që mendonte shumë dhe fliste pak”. Këto janë fjalët e para të nënës së tij, Simone Izecson dos Santos Leite, për djalin e saj, fituesi më i madh i vitit 2007. “Qysh i vogël më duhej ta ndiqja pasi kishte një moshë që dukej dy vjet më pak nga ajo e vërtetë. Kanë qenë gjithmonë të ndryshëm fëmijët e mi dhe për një nënë kjo është një punë interesante. Kaka i vogël, Digao truplartë. Kaka refleksiv, Digao më impulsiv. Është bukur të rritësh fëmijë të ndryshëm”, - thotë Simona, për dy fëmijët e saj, njëri i shndërruar në futbollistin më të mirë të botës ndërsa tjetri pak më ndryshe. “Është e vështirë të shpjegosh se çfarë është feja për Kakanë dhe familjen tonë. Nuk është vetëm një lutje, por është vetë jeta. Është një gjë, të cilën nuk e braktisim kurrë. Është besim”, - argumenton Simona. Por, vëllai i Kakasë, Digao, nuk është fanatik. “Jemi persona normalë, por mos më kërkoni defektet e Kakasë, pasi do të ishte e çuditshme po të thosha se nuk ka, por mua nuk po më vijnë në mendje. Nuk është xheloz, nuk është i ftohtë dhe as impulsiv, nuk është llupës, edhe pse më parë hante shumë. Duhet t’i jap hapësira dhe unë jam një mbrojtëse e tij”. Te Milani janë të gjithë të kënaqur për trofeun e ri të Kakasë, “FIFA WORLD PLAYER”. Administratori Galiani thotë: “Kontrata e re e Rikardos do të firmoset në qershor dhe do të jetë e vlefshme deri në vitin 2013. Kontrata më të gjata në Itali nuk lejojnë”.

Berluskoni: “Paguaj Ronaldon, por ai nuk luan”

Silvio Berluskoni nuk po e kupton se çfarë po ndodh me Ronaldon. “Dukej në formë të mirë fizike, vetëm që nuk arrin të impenjohet, duhet të jetë diçka psikologjike. Në gjashtë muajt e fundit, edhe pse me një pagesë të respektuar, praktikisht ai nuk luan”. Berluskoni takon të gjithë lojtarët: “I kam konsideruar gjithmonë si fëmijët e mi”. Së fundi edhe detaji: “Më telefonoi Morati (presidenti i Interit) dhe më komplimentoi për fitimin e Botërorit të Klubeve. Do ta ngremë në qiell futbollin në Milano, ashtu si në Itali dhe në botë. Interi luan mirë, ka një teknikë adekuate, një grup të gjerë lojtarësh dhe një president të apasionuar. Ka gjithçka për të fituar dhe besoj se do ta bëjë. Kështu, mund të them edhe ‘Forca Inter!’, pasi jemi në Milano”. Presidenti kuqezi flet edhe për objektivat: “Ronaldinjo? Nëse do të vinte një qershi si ai do të më jepte shumë kënaqësi. Unë, megjithatë, vazhdoj të ëndërroj për treshen e mrekullueshme brazilane (Kaka, Ronaldo e Pato), pa përmendur të tjerët (Inzagi e Xhilardino)”.

Messi: “Unë flas me topin”

“Nuk jam shumë elokuent, preferoj të flas me topin, shprehem kështu si jam”, - thotë lojtari i dytë më i mirë i botës për vitin 2007 Lionel Mesi. Argjentinasi i Barcelonës do t’i mungojë fushave për gati pesë javë për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë. “Do të paguaja për të qenë në fushë tani”, - thotë Mesi për gazetën spanjolle “El Pais”. “Por për momentin më duhet të mendoj vetëm për terapinë”. Mesi, 20 vjeç, me tetë golat e shënuar, është edhe golashënuesi më i mirë i Barçës në kampionat.

UEFA ndëshkon Rajkardin

Një ndeshje skualifikimi më shumë për teknikun e Barcelonës, Frenk Rajkard, për protestë kundër arbitrit italian Farina gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Olimpikut të Lionit. Holandezi ishte pezulluar edhe për ndeshjen kundër Shtutgardit në takimin e fundit në fazën e grupeve dhe tani do të mungojë edhe në ndeshjen e parë të një të tetave të finaleve.

Valencia, sulm për “Bekamin e ri”

Valencia dhe Atletiko janë duke u përgatitur të bëjnë një ofertë të jashtëzakonshme për mesfushorin e avancuar të Bllekbërnit, Devid Bentlej (23 vjeç). Sipas gazetës britanike “Mirror”, Valencia kishte ofruar 14 milionë euro. Shumë nga ekspertët e kanë përcaktuar Bentlejin si “Bekami i ri”.

Alonso: “Titulli me Reno? Do të ishte çmenduri”

“Të them se dëshiroj të kaloj te Ferrari, vetëm 15 ditë pasi kam nënshkruar me Renonë, do të ishte e padrejtë. Por, skuadrat e mëdha janë Meklaren, Uiliams dhe Ferrari, që ka fituar më shumë tituj se të gjithë. Dhe nëse një ditë do të garoj me Ferrarin, ju siguroj se do të ishte argëtuese”. Fernando Alonso rrëfehet për radion e njohur spanjolle “Cadena Ser”. “Titulli menjëherë me Renonë? Do të ishte çmenduri ta mendoja”, - pohon me sinqeritet piloti. “Duhet të jemi realistë. Gjatë këtij viti kanë qenë shumë të ngadaltë dhe është shumë e madhe ajo që duhet të bëjnë. Megjithatë, gjithçka është e mundur, por si fillim duhet të përmirësojnë makinën”. Alonso flet për arsyet që e bindin për të nënshkruar për skuderinë franceze. “Ishte një vendim i vështirë për t’u marrë pasi duhet të zgjidhja më të mirën për të ardhmen time. Zgjodha Renonë pasi ishte opsioni më i mirë për vitin 2008. Menjëherë sapo mbaroi kampionati nuk dija ç’të bëja, të qëndroja te Meklaren apo jo. Në fund zgjodhëm rrugë të ndryshme. Kur lashë Meklarenin, të gjitha skuderitë e Formula 1 më dhanë propozimet e tyre”, - thotë gjatë intervistës Alonso. “Edhe Ferrari? Jo, Ferrari jo”, - thekson Fernando. “Dhe nëse do të thërriste Ferrari? Nuk e di. Dëshiroj një skuderi që fiton dhe nëse fitoj me Renonë nuk do të shkoj asgjëkundi”.

19 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›