Simply Red do të ndahen pas turneut të fundvitit
Grupi britanik i muzikës soul, “Simply Red”, do të shpërbëhen pas turneut që do të zhvillohet para Krishtlindjeve. Lideri i “Simply Red”, Mik Huknall zbuloi planet për ndarje të grupit vitin e kaluar dhe ata kanë vendosur t’u thonë lamtumirë fansave me një varg koncertesh nëpër Britani të Madhe në muajin dhjetor. “Mirë se vini në vitin e fundit të 25 viteve shpërthyese të mendjes. Çfarë aventure ka qenë! Ne duam të ndajmë këtë përvjetor përmbyllës me të gjithë njerëzit të cilët janë kënaqur me tingujt tanë gjatë këtyre viteve. Ne të gjithë shpresojmë të ju shohim juve në koncert diku së shpejti”, ka thënë këngëtari në një deklaratë të fundit. Koncertet e fundit do të fillojnë në Belfast, Irlandën Veriore më 8 dhjetor dhe do të mbyllen me dy koncerte në O2 Arena të Londrës.
26 Prill 2010