“Jerma” sjell dramën e gruas në skenën shqiptare
Izaura Ndoj
“Jerma” është drama që preku mbrëmë skenën e madhe të Akademisë së Arteve me regji të Alma Hotit. Në qendër të kësaj shfaqje është personazhi i Jermës e cila vuan në mënyrë torturuese martesën me një burrë, të cilin ia kanë dhënë për hirë të dashurisë. Fituesja e festivalit për të rinj me shfaqjen “Shtëpia e Bernarda Albës”, regjisorja Alma Hoti vjen serish në skenë këtë radhë në Akademinë e Arteve me shfaqjen "Jerma" nga po i njëjti autor Federico Garsia Lorka sërish në një tjetër bashkëpunim me Ambasadën Spanjolle në kuadrin e javës së letërsisë spanjolle. “Jerma” vihet për herë të parë në skenë dhe është një tjetër kryevepër e Lorkës, që bën pjesë në trilogjinë e dramës së gruas. Pas “Shtëpisë së Bernarda Albës” Lorka shkroi "Jermën" dhe më pas “Dasëm Gjaku”. Në të tria këto vepra prioritet kryesor Lorka i ka dhënë femrës, ndjesive të saj, dëshirave të saj në të gjithë kuptimin e fjalës. “Jerma” është emri i personazhit kryesor, që vuan në mënyrë torturuese martesën me një burrë, të cilin ia kanë dhënë për hir të pasurisë. Ajo përjeton mungesën e tmerrshme të një fëmije, i cili nuk vjen kurrë pasi burri i saj nuk bënte fëmijë. Që është e persekutuar nga mentaliteti meskin nga morali i shtirur nga ligje dhe rregulla absurde të një shoqërie patriarkale. “Jerma” është një femër shumë e bukur e re dhe ka ëndrra dhe dëshira për të bërë një jetë të gjallë të mbushur me dashuri, pasion. Në mënyrën më të drejtpërdrejtë ajo lufton për të marrë çdo gjë që ka nevojë një grua nga burri i saj dhe në momentin që ai nuk reagon dhe është indiferent ajo gjen përkrahje dhe mbështetje në krahët e një burri tjetër, duke jetuar një dashuri magjike, shumë pasionante, dashuri e cila i jep dhe mundësinë për të pasur një fëmijë, por fati tragjik bën që burri i saj ta keqtrajtojë dhe ta çojë në humbjen e shansit për të pasur një fëmijë. Largimi i detyruar i Viktorit, lufta me Huanin dhe humbja e mundësisë për të pasur një fëmijë e çojnë Jermën në humbjen e logjikës, duke e bërë vrasëse të burrit të saj. Vepra ka sa momente dramatike aq dhe komike dhe kjo e bën të rrallë në llojin e saj. Për veprën regjisorja tregon se: “ Pas shfaqjes “Shtëpia e Bernarda Albës” në skenë do të vij me një tjetër kryevepër të këtij autori të madh botëror, i cili tashmë është i njohur me dramaturgjinë e tij. “Një nga frazat kryesore të veprës është: Femra është si lulja që po nuk ujite ajo thahet”. Në vepër do të interpretojnë aktorë të rinj që janë të talentuar dhe shpresojmë se do të sjellim një vepër të bukur tek publiku”. Kasti i aktorëve përbehet nga Ermela Ruri, që luan Jermën, Arbër Islami që luan burrin Huanin, Ledio Janushi që luan të dashurin Viktorin, Arejta Dhima që luan Marinë shoqen e Jermës, Elona Hyseni që luan gruan e vjetër si dhe disa aktore të tjera të reja. Skenografia dhe kostumografia është realizuar nga Beqir Nanai, që është dhe fituesi si skenografi më i mirë në festivalin e regjisorëve të rinj.
26 Prill 2010