E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polici i infiltruar: “Pazari i hashashit, 20 000 lekë për kilogram”



Laureta Rryçi

TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje arrest me burg për të arrestuarit që u ndaluan tri ditë më parë me 100 kilogramë hashash. Gjatë masës së sigurisë, teksa prokurori i gatshëm solli para gjykatës disa nga provat kundër të arrestuarve, u përmend edhe çmimi që kishte rënë në ujdi polici i infiltruar me trafikantët. Sipas burimeve që ishin prezente në sallën e gjyqit, pasi kishte mbërritur informacioni që një grup furnizonte Tiranën me hashash, një polic i infiltruar kishte marrë dhe detyrën për të bërë pazar me trafikantët. Të njëjtat burime sqaruan se pas shumë bisedimesh kishin rënë dakord që një kilogram të merrej me 20 mijë lekë. Ndërsa vendin e takimit e kishte zgjedhur një prej të arrestuarve, duke e vendosur pranë shtëpisë së vjehrrës së tij në Thumanë të Krujës. Sipas tij, ai ishte vend shumë i përshtatshëm në orar të drekës, pasi nuk kishte shumë lëvizje dhe askush nuk do të dyshonte se aty do të bëheshin pazaret për 100 kilogramë hashash. Mirëpo jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve të trafikantëve. Gjatë këmbimit të mallit është bërë dhe rrethimi me policë i vendit duke rënë në pranga fillimisht katër prej tyre. Ndërsa i pesti është arrestuar nga policia disa kilometra larg vendit, pasi ka mundur të largohet për pak.

Masa e sigurisë
Në masën e djeshme të sigurisë mësohet se të arrestuarit nuk kanë preferuar të flasin. Më i qetë duket se ka qenë prokurori, ndërsa ka kërkuar të njëjtën masë sigurie për të arrestuarit. Sipas përfaqësuesit të akuzës, kishte prova të pakontestueshme që provojnë fajësinë e të arrestuarve; për këtë arsye dhe gjykata duhet t’i rikthente në qeli. Gjykata, pasi ka dëgjuar të dyja palët, vendosi në favor të akuzës. Të arrestuarit do të qëndrojnë atje deri në apelimin e masës së sigurisë.

Operacioni
Tri ditë më parë policia arriti të sekuestrojë 100 kilogramë Cannabis sativa, që ishte bërë gati të dërgohej jashtë vendit dhe që kishte si vend prejardhjeje Krujën. Një operacion special i policisë ka bërë të mundur bllokimin e lëndës narkotike që vinte nga Kruja dhe të vërë në pranga dhe pesë persona, të cilët ishin transportuesit e saj. Ishte një hetim dymujor i efektivave të Policisë së Tiranës që kanë bërë të mundur vënien në pranga të të dyshuarve. Burime zyrtare thanë se, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vora”, i organizuar nga strukturat e Luftës Kundër Narkotikrve, në bashkëpunim Njësinë e Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 5, është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë prej 100 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis sativa dhe u vendosën në pranga 5 persona, si posedues dhe shpërndarës të saj. Në flagrancë janë vënë në pranga: Gëzim Pirra, Leonard Zhana, Shkëlqim Taf Kuqi, Kujtim Lloti dhe Kujtim Kuqi. Lënda narkotike ishte e destinuar për t’u trafikuar në tregun ndërkombëtar, lëndë e cila u sekuestrua në karrocerinë e automjetit tip fuoristradë “Nissan” më targë LA 9344 A. Si prova materiale janë sekuestruar 100 kg Cannabis, si dhe dy automjet tip fuoristrad “Nissan” dhe “Volkswagen” me targë LA 9305 A, si dhe 15 celularë.
Disa ditë më parë u organizua operacioni tjetër policor, me emrin “Terreni i vështirë”, ku u sekuestruan 25 kilogramë Cannabis dhe u prangosen disa persona. Edhe në këtë rast, lënda narkotike që trafikohej në kryeqytet e kishte origjinën në fshatrat e Krujës.

TË ARRESTUARIT

Gëzim Pirra, 28 vjeç, lindur e banues në Manz, Durrës, i dënuar më parë për “tentativë vrasjeje”

Leonard Zhana, 31 vjeç, lindur e banues në Mans, Durrës

Shkëlqim Taf Kuqi, 34 vjeç, lindur e banues në Mafsheq, Krujë

Kujtim Lloti, 40 vjeç, lindur e banues në Krujë

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›