E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangosen dy shqiptarë në Ravena, u kapën me një kg heroinë



RAVENA – Policia italiane ka vendosur në pranga dy shtetas shqiptarë, të cilët janë kapur duke mbajtur një kilogram kokainë. Arrestimet kanë ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ravena të Italisë, pas një aksioni të forcave të Antidrogës. Sipas mediave të vendit fqinj, njëri prej të arrestuarve është shtetasi shqiptar Luan Daiu, 36 vjeç. Ai jetonte në Itali me leje të rregullt qëndrimi. Emri i të arrestuarit tjetër nuk është bërë publik. Policia bëri të ditur se pas informacioneve të marra në rrugë operative është bërë kontroll në automjetin e dy shqiptarëve, ku është arritur të gjendet një kilogram kokainë. Të arrestuarve iu sekuestrua edhe një sasi prej 8400 eurosh, e cila dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal i shitjes dhe trafikimit të drogës.

Gracka në Lazarat prangos shpërndarësit e Cannabis-it

GJIROKASTËR - Arrestohen në flagrancë dy shpërndarës të lëndës narkotike dhe sekuestrohen rreth 280 gramë marijuanë. Policia e Gjirokastrës bën të ditur se ditën e premte, rreth orës 18:00, janë prangosur shtetasit K. C., 22 vjeç dhe D. M., 24 vjeç, që të dy lindur dhe banues në Gjirokastër. Dy ditë më parë agjentët e Antidrogës janë vënë në ndjekje të dy të rinjve, të cilët janë mbajtur nën kontroll në luginën midis lagjes “Zinxhira” të qytetit të Gjirokastrës dhe lagjes “Draç” të fshatit Lazarat. Poseduesit e lëndës narkotike kanë dalë nga fshati Lazarat duke lëvizur në drejtim të lagjes “Zinxhira”.
Zëdhënësi i Policisë së qarkut, Gentian Mullai, thotë se “gjatë rrugës, këta persona kanë ndaluar në një bunker, ku dhe kanë bërë ndarjen në pjesë të vogla të lëndës narkotike (me gram, të gatshme për ta shpërndarë te përdoruesit)”.
Në këtë moment kanë ndërhyrë specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Drogës, ku kanë bërë arrestimin në flagrancë të tyre dhe tashmë pritet të hetohen për veprën penale të ”prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Burime policore thonë se po punohet për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Aksidentet, alkooli dhe shpejtësia u merr jetën dy personave

DURRËS-LEZHË - Dy aksidente automobilistike të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit kanë përfunduar me një bilanc dy të vdekur. Burimet policore pohojnë se ngjarjet ndodhën në Durrës dhe Lezhë dhe shkak kryesor ka qenë shpejtësia dhe përdorimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve. Sipas tyre, në qytetin e Durrësit janë përplasur 2 motoçikleta, kurse në Lezhë 2 kamionë. “Ka qenë ora 24:00 e natës kur dy kamionë, njëri me targë KR 469A, i drejtuar nga shtetasi Nikoll Kola dhe një kamion i dytë me targë DR 0191A, ishin duke udhëtuar në të njëjtën korsi në aksin Lezhë-Shkodër. Pikërisht dy kilometra në dalje të Lezhës mësohet se kamionët janë përplasur me njëri-tjetrin dhe si pasojë ka gjetur vdekjen Ndue Marku, pasagjeri i kamionit me targë Durrësi. Policia në vendngjarje konstatoi se drejtuesi i kamionit me targa Kruje ka qenë në gjendje të dehur.
Një tjetër aksident është shënuar orët e vona të mbrëmjes duke shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në Durrës, në aksin Sukth-Manëz, ku dy motoçikleta të tipit “Yamaha”, që udhëtonin me shpejtësi të madhe, janë përplasur fatalisht me njëra-tjetrën. Si pasojë ka humbur jetën Selim Lushi, 37 vjeç nga fshati Vadardh i Durrësit, kurse i plagosur rëndë ka mbetur shtetasi U. Kurti, 25 vjeç.
Policia, e cila mbërriti në vendngjarje, dyshon paraprakisht se shkak për përplasjen është bërë shpejtësia e madhe e drejtuesve të motoçikletave.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›