Komedia “Berberi i Seviljes”, një tur shfaqjesh në Francë
Komedia “Berberi i Seviljes” ka nisur një tur shfaqjesh në Francë në teatrin e qytetit, “Theatre de Lorient”. Para tre vitesh shfaqja “Berberi i Seviljes” me regji dhe skenografi nga Erik Vigner dhe asistent regjisor Vasjan Lami, u realizua me një sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, në interpretimin e Luiza Xhuvanit, Roland Trebickës, Neritan Liçajt, Helidon Finos, Fadil Kujofsës dhe Marko Bitrakut. Regjisori Vigner u mundua që në historinë e njohur të fusë edhe elementë shqiptarë, siç ishin veshjet me fustanella. Regjisori iu largua në vënien e tij skemës klasike të kësaj vepre të shkruar para Revolucionit Francez në vitin 1773. Realizimi i këtij turneu në Francë është përmbushja e një prej objektivave kryesore për vitin 2010 të Teatrit Kombëtar, atë të promovimit të vlerave artistike, si brenda dhe jashtë kufijve, si dhe shkëmbimeve kulturore mes teatrove evropiane. Ky turne vijon eksperiencën ëorkshop të dy regjisorëve fitues të Festivalit të të Rinjve 2009-2008 në Saint-Ettien të Francës, në shkurt-mars 2010, ku Alma Hoti dhe Erion Hinaj në bashkëpunim vunë në skenë premierën e Carole Frechette “La piece au fond de l’escalier”. Ky shkëmbim eksperiencash është i pari projekt në kuadër të anëtarësimit të Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Projekti i dytë nën siglën e ETC-së është pjesëmarrja e trupës së Teatrit Kombëtar më shfaqjen “Allegreto Albania” në festivalin prestigjoz në Visbaden ,Gjermani. Ky aktivitet është festivali i dramaturgjive kombëtare, ish-Bienale e Bonit që drejtohet nga shkrimtari i njohur Tankred Dorts dhe regjisori Manfred Beilhartz dhe mbahet në qershor 2010. Për trupën e Teatrit Kombëtar, të përfaqësuar me komedinë e Stefan Çapalikut “Alegreto Albania”, me regjisor Altin Bashën janë planifikuar dy shfaqje në datat 23 dhe 24 qershor. Një nga projektet e tjera prioritare për vitin 2010 është edhe bashkëpunimi me teatrot kombëtarë të rajonit si me atë të Teatrit Kombëtar të veriut të Greqisë, me teatrin e Selanikut si dhe atë të Podgoricës.
Spektakël muzikor në TOB për ditën e “Shën Marisë”
Një koncert muzikor me pjesë të zgjedhur nga kryeveprat simfonike, por dhe të muzikës qytetare dhe të lehtë shqiptare do të zhvillohet sot në mbrëmje në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert mbahet me rastin e festës së “Zojës së Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës”, dhe mundësohet nga Fondacioni me të njëjtin emër. I ideuar në formën e një spektakli, aktiviteti do të përmbajë pjesë të zgjedhura muzikore nga kompozitorë të shquar të muzikës simfonike botërore dhe asaj vendase si: Moxart me “Serenata e Vogël”, Gluk “Melodi”, Scarlatti “Arie për tenor & tromb”, Falvo “Dicitencello Vuije”, Simon Gjoni “Lule borë”, Preng Jakova “Margjelo” dhe pjesë të zgjedhura si, “Ave Maria”, “Serenata Korçare”, këngë qytetare dhe këngë të muzikës së lehtë. Pjesët do të interpretohen nga solistët: Kastriot Tusha (Tenor), Manjola Nallbani, Marjeta Billo dhe Dorina Toçi. Orkestrimi muzikor do të jetë i Kuartetit të Harqeve të Akademisë së Arteve të Bukura, me Ibrahim Madhin (Artist i popullit) në violinë, Gëzim Bulçari violinë, Arjan Paço violë, Gëzim Belegu violinçel dhe Isak Shehu trombë. Gjatë spektaklit, do të bëhet dhe ndarja e diplomave për 77 studentët e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, për vitin 2009. Hyrja do të jetë e lirë.
Promovohet libri “Me shqiptarët e Turqisë”
Vuajtjet dhe sfidat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre drejt Turqisë rreth 100 vjet më parë, aktivitet kulturo-artistike dhe përpjekjet e tyre për ruajtjet e traditave dhe zakoneve. Të gjitha këto ngjarje, të radhitura në mënyrë kronologjike dhe të shoqëruara me fotografi e fragmente nga artikujt gazetaresk, përbëjnë librin “Me shqiptarët e Turqisë” të autorit Fatmir Selimi. Me këtë rast, gjithashtu u promovua edhe dokumentari për shqiptarët e Turqisë, realizuar nga viti 1998- 2009. “Shpërnguljet me dhunë nga ish-Jugosllavia, nga gjitha regjimet pas shthurjes së Perandorisë Osmane dhe grishja e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që së paku të krijojnë Ministrinë për diasporë, ka qenë qëllim themelor. Sepse diaspora më e madhe në botë gjendet në Turqi, ku me origjinë shqiptare janë 10, 15 apo 20 milionë bashkëkombësish tonë”, vlerësoi autori i librit Fatmir Selimi. “Është ky një libër që jo vetëm na kthen në të kaluarën, por njëkohësisht na bënë krenarë për këta njerëz që me gjithë vuajtjen për dheun e të parëve dhe ballafaqimin me një mjedis të ri, me një kulturë dhe gjuhë të panjohur, prapë se prapë arritën të ruajnë edhe identitetin edhe gjuhën edhe besën”, deklaroi Shefqet Zekolli, përfaqësues i Këshillit për arsim i komunës së Çairit.
26 Prill 2010