E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet për një celulal pronari i një lokali, 500 mijë lekë për “spiunin”



Artan CENA
DURRËS - I humb celulari në lokal dhe gjatë sherrit vret pronarin. Ngjarja e rëndë dhe banale ka ndodhur në Durrës mëngjesin e djeshëm. Burime zyrtare nga policia lokale kanë bërë të ditur se, autori i dyshuar i vrasjes së Agim Secit, është 32-vjeçari Shpëtim Mema, nga Shijaku. Për kapjen e tij, Policia e Durrësit ka vendosur dhe një shpërblim prej 500 mijë lekësh, për personin që jep informacion. Policia tha se, ngjarja e rëndë ndodhi në orën 03:00 të mëngjesit në lokalin “Diaspora”, të 53-vjeçarit Seci. Disa orë më vonë, pas dëshmive të marra nga uniformat blu është mundësuar dhe identifikimi i krimit të rëndë. Ai ishte një 32-vjeçar nga Shijaku dhe e kishte qëlluar Secin me një armë të tipit shotgan. Viktima kishte marrë disa plumba në stomak dhe me gjithë ndihmën e dhënë në spital, ai ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në stomak.
Ngjarja
Debati me një klient për një cellular i ka kushtuar jetën një biznesmeni 53-vjeçar nga Tropoja që ushtronte aktivitetin në qytetin e Durrësit. Agim Seci, pronari i lokali “Diaspora” në afërsi të Plazhit të Durrësit është ekzekutua me armë zjarri rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e lokalit që ndodhet pranë vendit të njohur si "Rrota e Kuqe". Mësohet se autori i krimit fillimisht ka shkaktuar në lokal një debat për një celular. Ai ka preteduar fillimisht se kishte humbur celularin dhe ka debatuar me një prej kamarierëve të lokalit. Mësohet se në diskutim është përfshirë edhe pronari i lokalit, 53-vjeçari Agim Seci, i cili ka tentuar të shuajë sherrin. Por diskutimi për celularin ka përshkallëzuar në debate mes pronarit të lokalit dhe klientit që u shndërrua në vrasës. Mësohet se autori i vrasjes është larguar fillimisht nga lokali dhe është rikthyer aty me një armë zjarri tip shotgan. Ai e ka qëlluar disa herë nga 53-vjeçarit nga afër, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup.
Identifikimi
Pas krimit autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë, ku dyshohet se bashkë me të ishin dhe disa persona të tjerë. Zonën e kanë blinduar forca të shumta policie. Ata kanë identifikuar autorin dhe kanë nisur punën për arrestimin e tij. Në të gjithë zonën janë ngritur postblloqe, ndërsa patrulla policie ushtruan kontrolle në disa rrugë. Në vendin e ngjarjes është parë dhe kreu i policisë së Durrësit, i cili ka drejtuar nga terreni operacionin. Agim Seci është dërguar me urgjencë për në spitalin civil të Durrësit, por 53-vjeçari nuk u ka rezistuar plagëve dhe ka ndërruar jetë. Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje dëshmitarët okularë të ngjarjes dhe deri në orët e para të mëngjesit në komisariat për ngjarjen janë shoqëruar 10 persona. Për banorët e zonës 53-vjeçari Agim Seci njihej si njeri i qetë dhe pa probleme. Ai ushtronte aktivitetin e tij prej disa vitesh në këtë zonë të Durrësit.

Shpërblimi
Vrasja në Durrës ka alarmuar policinë e qytetit bregdetar që këto ditë është mbushur me pushues të shumtë nga vendi e diaspora. Efektivët janë vënë në kërkim të vrasësit Shpëtim Mema. Reth pasdites, policia, vuri shpërblim për informatorin rreth autorit të vrasjes së Agim Secit, 50 vjeç. Policia ka vënë në dispozicion shumën 500 mijë lek të reja si dhe numrin falas të telefonit në numrat 126 e 129, duke ruajtur anonimatin.

21 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›