E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, Disiplina ia lë gjykatës



Dje është mbledhur Komisioni i Disiplinës në FSHF, ku ndër të tjera do të shqyrtohej edhe një kërkesë e aksionerit të Partizanit, Paro Laçi, rreth mënyrës së administrimit të skuadrës në sezonin e ri. Në lidhje me kërkesën e Laçit, komisioni vlerësoi se çështja nuk është në kompetencën e tij, por në atë të gjykatës civile dhe për këtë shkak nuk mund të gjykoj mbi të. Mosmarrëveshjet mes aksionerëve të Partizanit, Albert Xhani dhe Paro Laçi, vijojnë prej muajsh, ku të dyja palët pretendojnë se kanë të drejtë për të administruar ekipin. Kujtojmë se ishte hera e tretë që ky komision do ta merrte në shqyrtim këtë çështje, kur dihet se në dy mbledhjet e mëparshme nuk është marrë asnjë vendim, pasi mungonte presidenti Albert Xhani, me të cilën do të ballafaqonte faktet para këtij komisioni aksioneri tjetër i të kuqve, Paro Laçi. E njëjta panoramikë ka ndodhur edhe dje, pasi megjithëse është lajmëruar, Xhani nuk është paraqitur sërish në dyert e federatës. Arsyet e kësaj mosparaqitjeje numri një i klubit i detajon në një letër të gjatë, që ua ka drejtuar organeve kompetente të FSHF-së.
Reagimi
Aksioneri i të kuqve i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Disiplinës, ku shprehet se ka ndërmend ta apelojë. “Kjo çështje mori një udhë të tillë, pasi për të tretën herë radhazi Xhani nuk u paraqit në mbledhjen e Disiplinës. Unë kam ndërmend ta apeloj këtë vendim, pasi ortaku im nuk mund të marrë administrimin e ekipit në kushte të tilla, duke mashtruar e falsifikuar dokumente. Unë do ta apeloj atë vendim, pasi unë me kërkesën time nuk pretendoja të merrja një përgjigje të tillë, pasi tanimë unë e dija që çështja do kalonte në gjykatë. Por kërkoja që Federata ti jepte një dorë këtij klubi që të ecte përpara, duke qenë se kampionati po afron. Megjithatë mesa kuptova unë Disiplina ka lënë një hapësirë që pas vendimit të gjykatës, të jap edhe ajo një rrugëzgjidhje. Që do të thotë nëse ne duam të krijojmë ekipin, mund të federojmë lojtarët edhe pas datës që është vendosur si rregull. Gjithsesi mua më duket që gjithçka po shkon sipas ideve dhe mashtrimeve të Xhanit. Por ju them diçka dhe jam i bindur për këtë, që ai person nuk ka për ta bërë kurrë këtë ekip, pasi nuk i ka mundësitë. Ai di vetëm të mashtrojë, por mashtrimet nuk të çojnë asgjëkundi”, -përfundoi Laçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›