Patrulla e Përgjithshme, shpallen 68 fitues për qarqet Gjirokastër, Fier, Berat e Vlorë
Shpallen fituesit për Shkollën e Policisë gjatë testimit me shkrim për qarqet Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër. Konkurrimi i kandidatëve për të ndjekur studimet në shkollën bazë të policisë për “Patrullë e Përgjithshme” u zhvillua dje në ambientet e universitetit “Kristal” në Fier. Këtij testimi iu nënshtruan 152 aplikantë nga këto qarqe, të ndarë në dy grupe. Grupi i parë që përbëhej nga aplikantët nga qarqet Fier dhe Vlorë iu nënshtrua testimit në orën 07:00 dhe grupi i dytë që përbëhej nga aplikantët Berat dhe Gjirokastër iu nënshtrua testimit në orën 11:00. Në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 68 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Ashtu sikundër dhe në vitet e mëparshme, korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. Kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen sot fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues të testimit me shkrim do t’i nënshtrohen testimit fizik ditën e sotme, në orën 08:00 në stadiumin e qytetit të Lushnjës. Aplikantët duhet të paraqiten në orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive. Ndërkohë që Policia e Shtetit kujton se për qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në datën 09.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Ndërsa, për qarqet Elbasan dhe Korçë, testimi me shkrim do të zhvillohet në ambientet e universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në datën 18.05.2009. Kandidatët duhet të paraqiten në orën 07:00 pranë këtij universiteti. Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë Zyrave të Personelit në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ose pranë Sektorit të Pranimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu, sipas Policisë së Shtetit, aplikantët mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën shkollaepolicise@mrp.gov.al. Për gjithë të interesuarit bëhet e ditur se procesi i aplikimeve për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë është i hapur gjatë gjithë vitit.