E Diel, 1 Nëntor 2026

Hungaria do të financojë projekte shqiptare, që do zgjidhen me konkurrim



Banka hungareze “EximBank” dhe disa kompani hungareze do të financojnë projekte në Shqipëri të pushtetit vendor, që do të përgjigjen me konkurrim. Dje u prezantua Marrëveshja për Krijimin e një Programi Kuadër për Bashkëpunim Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Hungarisë. Marrëveshja ka në thelb mbështetjen financiare të një sërë projektesh me prioritet të lartë, nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta kredie me terma koncesionale dhe do të rregullojë të gjitha financimet e qeverisë hungareze në Shqipëri sipas prioriteteve të dy vendeve. Zv.ministri i Financave, z. Sherefedin Shehu, theksoi se përfitues të këtyre financimeve do të jenë ministritë dhe pushteti vendor. “Gjithçka do të kalojë në një proces konkurrimi, nga i cili do të përfitojnë ato institucione që do të përgatisin më shpejt projektet më të mira”, – tha z. Shehu, i cili garantoi eliminim të burokracisë nga ana e Ministrisë së Financave dhe qeverisë hungareze në procesin e përzgjedhjes së projekteve. Ndërkohë ambasadori hungarez në Tiranë, z. Sandor Molnari, tha se marrëveshja është një pikë kthese në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve dhe synon rritjen e prezencës së biznesit hungarez në Shqipëri. “Vetëm në vitin 2008 janë rritur me 50 % investimet hungareze në Shqipëri, ndërsa janë shumëfishuar investimet shqiptare në Hungari”, – tha z. Molnari, i cili shprehu besimin se me nënshkrimin e marrëveshjes do të ketë biznese të mëdha hungareze që do të vijnë në Shqipëri. Projektet të cilat do jenë objekt i zbatimit të kësaj marrëveshjeje, do të përzgjidhen nga qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe do të realizohen nga eksportues hungarezë. Delegacioni hungarez përbëhej nga përfaqësues të Bankës Hungareze Eksport-Import (EximBank) dhe të shtatë kompanive hungareze më të suksesshme që operojnë në rajon.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›