E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikalizmi, kufomë e copëzuar në çeta me vula e tabela

Nga Përparim Halili

Ajo që i mungon sot shoqërisë shqiptare mendoj se është edhe lëvizja sindikale. Sindikata ka e madje të shumta në numër. Madje sindikata paralele e politike edhe brenda të njëjtit shërbim, sektor prodhimi e institucionesh. Kudo ka nga 5-10 sindikata paralele. Por nuk ka aktivitet sindikal. Pse nuk janë veprim sindikatat? Pse nuk po e dëgjojmë më zërin e tyre? Troç: Ku janë sindikatat? Janë nëpër zyra!

Po bëjmë me pak rreshta një rikthim përpara 20 viteve, kur këto organizma social-shoqërorë lindën bashkë me pluralizmin shqiptar, si reagim e kundërshti e motivuar shoqërore e politike ndaj ish-Bashkimeve Profesionale, këtyre ish-levave e kukullave propagandistike të ish-sistemit komunist.

Në vitet 1991-1992, në çdo ndërmarrje dhe institucion u krijuan organizatat sindikale, të cilat pas krijimit u pozicionuan në dy grupimet e mëdha sindikale BSPSH (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura) dhe KSSH (Konfederata Sindikale). Aktiviteti i tyre në shërbim të punonjësve ishte i gjallë e dobiprurës vetëm pak vite, aq sa sindikatat ishin faktor dhe aktor në jetën shqiptare në raport me qeverinë, me ligjvënien, me shtetin e deri me punëdhënësit privat.

Pas këtij shkëlqimi sipëror, roli dhe fuqia e tyre sikur u shua me magji, për të përfunduar pas kësaj në kukulla të politikës majtas e djathtas dhe në leva të bindura të punëdhënësve privatë e shtetërorë. Këtu nisi dhe braktisja e mbrojtjes së interesave të punonjësve. Nga ana e tyre, punonjësit të mbetur pa mbështetjen dhe mbrojtjen sindikale, braktisën deri në shpërfillje kupolat drejtuese sindikale dhe liderët e tyre, duke nisur të krijojnë çetat e tyre sindikale me nga 10-15 anëtarë e me nga një kryetar, por pa asnjë fuqi për të diktuar tek punëdhënësit dhe shteti zbatimin e ligjit dhe detyrimet ndaj punonjësve.

Historia e sindikalizmit post-komunist shqiptar po vazhdon të dëshmojë se sindikalizmi mbetet pjesa më e gjymtuar, e shkatërruar dhe e munguar e shoqërisë. Kjo strukturë zgjidhjesh sociale e shoqërisë shqiptare, në këto 20 vite ka rezultuar se është krejt e paaftë për tu aktivizuar me efiçencë dhe për tu pozicionuar si faktor veprues e ndikues në zhvillimet e vendit. Nëse në fillimet e tij, sindikalizmi ishte një ortek i frikshëm për të gjithë pushtetet dhe kabinetet qeverisëse, tashmë duket se ky ortek është thërrmuar, duke u shkrirë gradualisht e duke mos ekzistuar më si fuqi, madje as si pikë referimi prej punëdhënësit.

Dy pjesët e mëdha të sindikalizmit BSPSH e KSSH, kanë zënë tashmë pozicionet e tyre të palëvizshme të konfirmuara në jetën dhe zhvillimet shqiptare, duke tentuar të mbeten faktorë aktivë në raportet mes shoqërisë dhe politikës, shtetit dhe qeverisjes së vendit.

Konfederata Sindikale (KSSH), ka një pozicion fiks e të qetë zyrtar, që nuk e njeh veprimin në terrenin punëtor. Kështu pothuajse ka përfunduar dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPSH), duke humbur vitalitetin dhe profilin e afro 20 viteve me parë, kur në emër të mbrojtjes së punonjësve ka detyruar qeveritë e pushtetet politike, madje dhe shtetin, të pranojë alternativat e saj sociale.

Aktualisht sindikatat janë bërë copa-copa, të ndara e të shpërndara, deri dhe në konflikt brenda e mes njëra-tjetrës për vula, për zyra, për lista fiktive, anëtarësh, për zona dominimi e përfaqësimi nëpër institucione, ndërmarrje, njësi shërbimi e firma private. Opinioni jo vetëm sindikal, konstaton e vlerëson se këto pjesëza sindikale, të pagëzuara me gjithfarësoj emrash e siglash, megjithëse përpiqen të rifitojnë statusin e viteve kur u shkonte fjala e të ribëhen faktorë në jetën shqiptare, nuk e kanë arritur dot këtë stad. Jo se nuk duan e se nuk duhen. Por e kanë të vështirë. Punonjësit shqiptarë i njohin mirë individët që drejtojnë këto çeta sindikale dhe i kanë shkëputur përfundimisht raportet me ta, megjithëse këta individë të vetmuar vazhdojnë ta quajnë veten sindikata. Megjithëse vazhdojnë të tundin klubeve e kioskave vula dhe akte themelimi. Sindikalizmin e ka mbërthyer dhe po shkatërron sëmundja e krijimit të këtyre sindikatave private, të miratuara me një vendim gjyqi, por që nuk kanë asnjë lidhje me sindikalizmin e me punëtorët, por vetëm e vetëm më interesat e atyre që i kanë si sigël e si vulë.

Në Shqipëri, nëse janë dy sindikata të mëdha të vendosura BSPSH e KSSH, që për hir të së vërtetës duhet pranuar se plotësojnë disi kondicionet e formacionit publik institucional, të kompletuara me federatat përkatëse, nuk duhet harruar se nëpër lagjet, blloqet dhe kthinat periferike të Tiranës figurojnë dhe tabelat e 200 e ca sindikatave të tjera tip çeta e tip individë. Këto janë për nga emërtesa janë të mbivendosura brenda një institucioni e sektori pune, apo shërbimi. Aktualisht kemi këtë realitet: për një repart tekstil ka 15 sindikata, për një shkollë ka 7 sindikata, për një park autobusësh apo shoqatë taksish ka 13 sindikata e kështu me radhë. Këto sindikata të llojit Tabelë-zyrë-kryetar-tel&fax nuk janë gjë tjetër veçse pjesa e lodhur dhe e konsumuar e sindikalizmit shqiptar, mbetje e luftës brenda sindikalizmit dhe e pazareve me punëdhënësit kundër punonjësve. Këto lloj sindikata-tabela të ngujuara nëpër garsionere e bodrume pallatesh dhe që ekzistojnë vetëm në dosjet e gjykatave, kanë humbur përfundimisht përfaqësimin e tyre në masën e punonjësve. Këto vërtetë kanë vulat e këtyre sindikatave por nuk mund të bëhen dot faktor. Sepse faktor bëhesh, nuk të bëjnë. Të jesh sindikalist është aktivizim, por që të drejtosh sindikatë, ky është aktivitet që kërkon kolektivitet, që kërkon bashkëpunim. Sindikalizmi nuk lejon askënd që të marrë vulën, të gozhdoj një tabelë me logon e sindikatës mbi një portë, ballkon, tarracë pallati, apo dritare dhe kështu të vet-quhet sindikatë, paçka se nuk kanë asnjë anëtar, por vetëm nga 1 kryetar!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›