Sindikata e minatorëve padi kompanisë “ACR”

Sindikata e minatorëve ka depozituar sot në gjykatë një padi ndaj kompanisë koncesionare “ACR”.
Sindikata e akuzon kompaninë për ndërhyrje në punët e sindikatës, për thyerje të ligjit të grevës dhe për presion dhe largim të pamotivuar nga puna të minatorëve.
Sipas përfaqësuesve të sindikatës padia e minatorëve është e bazuar në kodin e punës dhe përkatësisht në nenet 182, 186, 197.
Ndërkohë minatorët e Bulqizës kanë nisur sërish sot protesta para zyrave të kompanisë ACR ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se të hënën do të nisë puna në minierë.
Nëpërmjet një deklarte për shtyp, “ACR” ka theksuar dje se minierea nuk mund të mbetet peng i një grupi njerëzish ndërsa ka shtuar se ajo përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta.
“Për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës ACR pranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave. Ashtu si dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mos dashjen e pa arsyeshme për zgjidhjen e situatës. Në këto kushte ACR ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar”, thuhet në njoftimin e “ACR”-së.
Gjithashtu “ACR” i ka bërë thirrje minatorëve të kthehen në minierë ditën e hënë, ndërsa ka theksuar se punonjësit e ACR-së, të cilët nuk do të paraqiten në pozicionet e tyre përkatëse do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë në këtë kompani.
“ACR”, gjithashtu ka nënvizuar se personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë, duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e kësaj kompanie në Bulqizë”, ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.
“Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me modifikimet; paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme, e drejta për t`u informuar për planet e investimeve në minierë ndërsa. për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, “ACR”, do t`u paguaj minatorëve rrogën e 13-të brenda javës së ardhshme.