E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikatat: Berisha po na heq ushqimin

Elbasan, dega lokale e Konfederatës së Sindikatave kundërshton vendimin e qeverisë për "shtetëzimin" e pronave

ELBASAN- Dega e Konfederatës së Sindikatave Shqiptare në Elbasan kundërshton projekt vendimin sipas të cilit, pronat që ajo disponon të merren e të administrohen nga shteti. Kryetarja e degës, Shpresa Bardhi, thotë se ky projekt vendim merr kundështimin e sindikalistëve elbasanas pasi këto janë e vetmja mundësi që këto organizime sindikale të ekzistojnë, në të kundërt, sindikatat do të pushojnë se ekzistuari dhe po kështu roli mbrojtës ndaj punëmarrësve përballë shtetit dhe punëdhënësit.

"Sindikata është e vetmja hallkë që i shërben demokratizimit të jetës së një vendi. Kur i heq pronat, i heq funksionimin institucionit. Që do të thotë që nëse i pret ushqimin, që janë këto objekte, atëherë i heq mundësinë e veprimit dhe i mban peng të politikës. Ne bashkë me Sindikatën e Pavarur përfshijmë të gjitha grupet sindikale në rreth dhe kuotat janë të pamjaftueshme për të luajtur rolin sindikal. Sindikatat kanë marrë vetëm godinat dhe objektet e Bashkimeve profesionale dhe asgjë më tepër".

Konfederata sindikale bashkë me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura në Elbasan disponojnë gjashtë zyra të përbashkëta të cilat ndodhen në ish-godinën e Bashkimeve Profesionale, dhe katin e dytë të Kinoklub "Metalurgu". Bardhi deklaron se kjo e fundit është e rihipotekuar dhe disponohet me dokumenta të plota nga konfederata sindikale ndërsa 6 zyrat e tjera janë në proces gjyqësor të apeluar në rrugën për t'u rihipotekuar. Gjithashtu mësohet se një pjesë e njërës prej godinave ka ndërruar pronësi. Konfederata sindikale përfiton qiranë e njërës prej godinave dhe zhvillon aktivitetet e saj aty. Gjithashtu sindikalistët elbasanas përfitojnë mundësi më të lira qëndrimi në kampet e pushimit në Vlorë, Durrës e Pogradec.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›