Qeveria, Meta: Negociatat janë shtyrë për më vonë
Meta nuk përjashton mundësinë për të qenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar me post ministri
"Gjithmonë është menduar që, pas çdo prioriteti, të vendoset emri i një ministrie apo ministri të caktuar"
Marrëveshja për bashkëqeverisjen mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk është ende gati. Megjithëse kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar dje se mosmbyllja e marrëveshjes ka të bëjë pikërisht me faktin që ajo kërkohet të nënshkruhet sa më pranë kufijve kohorë që përcakton Kushtetuta për krijimin e kabinetit të ri qeveritar, për të mos demoralizuar ministrat dhe stafet aktuale të ministrive, duket se arsyeja e vetme nuk është kjo.
Nga burime pranë këtyre dy forcave, që i kanë premtuar paraprakisht njëra-tjetrës bashkëpunim, bëhet e ditur se pavarësisht vullnetit të shprehur publikisht, ende nuk është bërë e mundur arritja e një marrëveshjeje deri në detaje mes të deleguarve të të dy partive, për të krijuar mundësinë më pas të realizimit të negociatave formale ose, thënë ndryshe, nënshkrimit formal të saj mes dy kryetarëve, Berishës dhe Metës.
Por, kreu i LSI-së Ilir Meta, duke mohuar vështirësitë e hasura në këtë drejtim, ka theksuar se është në pritje të ftesës prej kryetarit të PD-së për t'u ulur në tryezë dhe për t'i dhënë dorën e fundit marrëveshjes. "Lidhur me fillimin e negociatave me kryetarin e PD-së për koalicionin e ri dhe qeverinë e re, mund t'ju them se ne jemi të hapur për të biseduar në momentin e gjykuar të përshtatshëm nga kryetari i PD-së, z. Berisha", - tha Meta duke iu shmangur në mënyrë të vazhdueshme pyetjes së gazetarëve për dikasteret që kërkon të drejtojë partia e tij. Për rrjedhojë, duke u përpjekur të shmangë çdo keqinterpretim që mund të ndikonte direkt në ecurinë e qeverisë së tanishme, Meta ka deklaruar se shfaqja e prioriteteve që ka LSI-ja për qeverisjen e ardhshme nuk është e lidhur direkt me dikasteret që i mbulojnë ato.
Megjithatë, ai nuk ka përjashtuar mundësinë edhe të pjesëmarrjes së tij në kabinetin e ri qeveritar, duke lënë të kuptohet qartë se në optikën e LSI-së mbetet posti i ministrit të Jashtëm, si një dikaster nga ku mund të kontribuosh direkt në procesin e integrimit të vendit, një nga prioritetet e kësaj force. Megjithatë, përveç kësaj ministrie, LSI-ja ka bërë të ditur më parë, me anë të eksponentëve kryesorë të saj, se objektiv mbeten edhe posti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe ai i Ekonomisë.
Por ajo çka mësohet nga të njëjtat burimet, është se negociatat paraprake kanë mbetur pikërisht tek Ministria e Jashtme, të cilën PD-ja nuk dëshiron ta lëshojë. Në këmbim të portofolit të ministrit të Jashtëm, PD-ja ka shprehur gatishmërinë që t'i lërë LSI-së postin e ministrit të Integrimit, për të cilin, aleatët e rinj nuk janë shumë të interesuar, pavarësisht se forca e tyre ekzistencën e saj e ka lidhur pikërisht me procesin integrues. "Me integrimin e vendit lidhet çdo gjë. Integrimi është një proces, i cili nuk është se ka një fushë ekskluzive. Kur dikush nga kolegët e mi ka përmendur prioritetet e LSI-së, gjithmonë është menduar, që pas çdo prioriteti të vendoset emri i një ministrie, apo ministri. Ne nuk kemi këtë koncept, dhe nuk mendojmë që procesi integrues do të ecë dhe do të ketë zhvillim, nëse në krye të këtij posti nuk do të jetë një emër i përveçëm i LSI-së", - tha më tej Meta.
Ndërkohë, sipas kreut të LSI-së në qendër të negociatave, është padyshim edhe programi qeverisës, të cilin ai e ka konsideruar si busulla e orientimit të koalicionit të qeverisë së re. Në këtë drejtim, LSI-ja shprehet se po tenton që të përfshijë në programin qeverisës disa nga prioritetet e saj të shprehur gjatë fushatës dhe që kanë të bëjnë më shumë me politikat sociale.
"Ne kemi pasur një program gjatë fushatës elektorale, natyrisht që ne nuk presim që ky program të jetë patjetër programi i koalicionit të ri dhe qeverisë së re, sepse në çdo rast duhet të ketë një integrim dhe një harmonizim me prioritetet e PD-së, apo dhe me forcat e tjera politike që do të jenë pjesë e këtij koalicioni. Por, natyrisht, ne kemi disa prioritete të veçanta, të dallueshme dhe në fund të fundit, janë të interes të vendit dhe të shtresave më të gjera sociale, për të cilat sigurisht do të insistojmë me argumente edhe më shumë", - tha Meta. Tashmë negociatat mbeten të zhvillohen javën e ardhshme, pasi siç mësohet, gjatë fundjavës, kreu i LSI-së nuk do të jetë në kryeqytet.